Kërko

Vatican News

Nobeli për Paqen i jepet organizatës ndërkombëtare WFP: “kundër urisë si armë lufte”

Agjencia e Kombeve të Bashkuara - Programi Botëror Ushqimor (WFP/PAM) – mori sot Çmimin Nobel për paqen, për “përpjekjet e tij në luftën kundër urisë, për kontributin në përmirësimin e kushteve të paqes në zonat e prekura nga konfliktet dhe për rolin e rëndësishëm në parandalimin e përdorimit të urisë si armë në konflikte”.

R.SH. - Vatikan

Komiteti i Stokholmit i dha sot Çmimin Nobel të Paqes 2020 Programit Ushqimor Botëror të Kombeve të Bashkuara (WFP/PAM). Në motivacion shkruhet se çmimi prestigjioz jepet për përpjekjet dhe kontributin në “përmirësimin e kushteve të paqes në zonat e prekura nga konflikti dhe për rolin e rëndësishëm në parandalimin e përdorimit të urisë si armë lufte” .

Në vitin 2019, u shpërndanë 15 miliard racione me ushqime

         Nga Jemeni në Korenë e Veriut, organizata ndërkombëtare me seli në Romë, ka ushqyer dhjetëra miliona gojë, sidomos në këtë periudhë, kur gjendja është rënduar nga pandemia e koronavirusit. Programi Ushqimor Botëror e konsideron veten si “organizata më e madhe humanitare”, siç nënvizoi edhe zëdhënësi i saj, i cili, pasi u bënë të njohura motivacionet, lexuar nga presidenti i Komitetit për Nobelin, Berit Reiss-Andersen, pohoi se ky është “çast krenarie” për WFP-në (World Food Programme). Themeluar në vitin 1961 e financuar krejtësisht nga kontribute vullnetare, gjatë vitit 2019, organizata e OKB-së, ka shpërndarë rreth 15 miliard racione me ushqime për 97 milion njerëz në 88 vende të botës. E megjithatë, pavarësish se këto shifra mund të duken të larta, nevojat janë edhe më të mëdha. Sipas ekspertëve, objektivi i OKB-së për ta zhdukur urinë brenda vitit 2030 duket i paarritshëm, nëse prirjet aktuale do të vijojnë. Kujtojmë se WFP pati luajtur një rol të rëndësishëm për shpërndarjen e ushqimeve në favor të popullsisë së Kosovës, gjatë luftës së viteve ’90. Madje, përfaqësuesja e organizatës humbi jetën në njërin nga udhëtimet me avion për në Prishtinë.

Kombet e Bashkuara kanë marrë 12 herë çmim

Kjo është hera e dymbëdhjetë që Çmimi Nobel i Paqes u jepet Kombeve të Bashkuara, njërës prej agjencive të tyre, ose një personi të lidhur me ta. Covid-19, fatkeqësisht, do t’i ndryshojë kushtet në të cilat Programi Ushqimor Botëror do të mund ta marrë këtë vlerësim të madh. Nëse gjendja shëndetësore do ta lejojë, çmimi - një diplomë, një medalje ari dhe një çek prej 10 milion koronash (gati 950.000 euro) - do të tërhiqet personalisht në një ceremoni më të ngushtë se zakonisht, më 10 dhjetor, në Oslo. Përndryshe, ceremonia do të zhvillohet në internet.

Çmimet e tjera Nobel gjatë kësaj jave

         Të hënën, Komiteti i Nobelit dha çmimin për fiziologji dhe mjekësi për zbulimin e virusit të hepatitit C, që shkatërron mëlçinë. Çmimi i së martës për fizikë iu kushtua hapave të bëra në kuptimin e mistereve të vrimave të zeza kozmike dhe çmimi i kimisë të mërkurën, iu dha shkencëtarëve, që kanë punuar në fushën e gjenetikës. Çmimi Nobel i letërsisë iu dha të enjten poeteshës amerikane Louise Glück për poezinë e saj “të sinqertë dhe pa kompromis”. Javën që vjen, do të jepet çmimi për ekonominë.

09 tetor 2020, 13:21