Nicë, Macron: “Jemi në gjendje sulmi”
R. SH. - Vatikan
“Është atentat terrorist islamik”: Presidenti francez nuk ka asnjë dyshim kur, duke folur për Nicën (Nizza), deklaron se vendi vijon të sulmohet. Vrasësi, që u mori jetën tre vetëve në bazilikën e Zojës (Notre-Dame) quhet Brahim Aoussaoui, është tunizian, 21 vjeç, i ardhur nga fundi i shtatorit në Lampeduzë të Italisë e më pas, në tetor, në Francë. Manuel Macron dhe mbarë Kombi është përkrah katolikëve në Francë e në Botë.
“Pas vrasjes së atë Hamel, në verën e vitit 2016 - kujtoi presidenti - katolikët sulmohen e kërcënohen përsëri në vendin tonë. Kombi mbarë është përkrah tyre e përkrah tyre do të vijojë të jetë, që feja të mund të ushtrohet lirisht në vend”. Ndërkaq, në takimin e Këshillit të Sigurimit, u vendos të merren masa të reja për mbrojtjen e territorit dhe të vendeve të kultit.
Dy fjalë për zhvillimin e ngjarjes
Sulmi me thikë nisi dje paradite, në orën 9.00, në Bazilikën kushtuar Zojës së Bekuar, në qendër të Nicës, në Avenue Jean-Medecin. Agresori, si iu sul viktimave me britmën “Allah Akbar”, i preu kokën një gruaje dhe e theri në fyt sakrestanin, 45 vjeçar, që vdiq menjëherë brenda kishës. Pastaj i nguli thikën në grykë edhe një gruaje tjetër, që iku e u strehua në një bar, ku pas pak dha shpirt. Pati kohë të thoshte vetëm: “Thojini fëmijëve të mi se i dua fort!”.
Atentatori u arrestua, pasi u plagos. Kryebashkiaku i Nicës, Kristian Estrosi, që foli menjëherë për sulm terrorist, vendosi që të gjitha Kishat të rrethohen me roje ose të mbyllen, ashtu si të gjitha vendet e kultit të qytetit. Më pas kujtoi se “atentatori, edhe ndërsa po e mjekonin, vazhdonte të bërtiste “Allahu është i madh!”. Me sa dukej, sapo i kishte mbushur 25 vjetët.
Kryeministri Jean Castex u largua ngutshëm nga Asambleja Kombëtare, ku do të paraqiste masat e reja të përballimit të koronavirusit, për të marrë pjesë në takimin e organizuar sakaq në ministrinë e brendshme nga ministri Gerald Darmarin. E menjëherë në të gjithë Francën u shpall gjendja e emergjencës në situata atentatesh.
Imami i Madh i Al-Azhar e dënon atentatin
Ahmed Al Tayyib, Imam i Madh i Al-Azhar, qendra më e rëndësishme teologjike dhe universitare e Islamit sunit, e dënoi sulmin kundër bazilikës së Shën Marisë në Nicë, duke pohuar se “fetë nuk kanë punë me kësi kriminelësh”. Në mesazhin e përhapur edhe përmes facebook, Al-Azhar pohon se “nuk mund të ketë asnjë shfajësim për veprime të tilla të urryera ateiste, të cilat i kundërvihen mësimeve tolerante të Islamit dhe të gjitha feve hyjnore, që kërkojnë të luftohet kundër çdo tip dhune, ekstremizmi, urrejtjeje dhe intolerance”. Kërkohet t’i vihet fre gjuhës, duke ndenjur larg fjalëve si dhunë e urrejtje, për të dëgjuar zërin e urtisë e të arsyes.
Dy javë më parë u vra Samuel Paty
Sulmi ndodhi ndërsa Franca ishte ende e tmerruar, pas fundit të Samuel Paty-it, mësuesit që, më 16 tetor, iu pre koka vetëm pse u foli nxënësve për karikaturat e Charlie Hebdo, që paraqisnin Muhametin. Tensioni vijoi të thellohet edhe orët e fundit, pak orë pas botimit të karikaturave të reja kundër presidentit turk Erdogan dhe pas deklaratave të presidentit francez, Emmanuel Macron.
Qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare
Kryesia e Bashkimit Evropian e dënon aktin terrorist dhe i shpreh Francës afërsinë. Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, pohon: “Të rrimë të bashkuar e të vendosur përballë mizorive dhe fanatizmit”. Ndërsa kryetari i Europarlamentit, Davide Sassoli, nënvizon: “Kjo dhimbje ndjehet në mbarë Evropën: e kemi për detyrë t’i kundërvihemi së bashku dhunës e edhe atyre, që përpiqen ta nxisin e ta përhapin urrejtjen”.