Kërko

Vatican News
Embrione, vita Embrione, vita 

Në Brazil fillon Java pёr jetёn

Nga sot deri më 7 tetor nisma mbi temën "Jeta: dhuratë dhe angazhim". Tё shumta nismat në program që do të arrijnë kulmin më 8 tetor me " Ditën kushtuar fëmijëve qё pritet tё lindin”.

R.SH. - Vatikan

Nё Brazil 'Java kombëtare për Jetën' që Konferenca Episkopale e Brazilit (Cnbb) organizon nga dita e sotme deri më 7 tetor i kushtohet temёs "Jeta: dhuratё dhe angazhim". Nisma do të mbyllet me " Ditën kushtuar fëmijëve qё pritet tё lindin" më 8 tetor tё ardhshёm. Veprimtaria, thonë ipeshkvijtë brazilian, dёshiron tё "theksojë vlerën e jetës njerëzore si dhuratë të Zotit dhe nevojën për të nxitur kujdesin ndaj kësaj dhurate qё  nga ngjizja e deri te vdekja e natyrshme". Këtë vit tema e 'Javёs pёr Jetёn' frymёzohet nga 'Fushata e Vëllazërisë', do tё thotё  nga nisma e solidaritetit që bëhet në kohën liturgjike tё Kreshmëve.

Kisha katolike e Brazilit pёrmes kёsaj nisme dёshiron tё ripohoj principin themelor se: “familja e themeluar mbi martesën është mё vendi i përshtatshëm për ngjizjen e jetës, për të lindur jetë të reja në mënyrë të përgjegjshme.” Kisha është e ftuar pra, “t’ua propozojë mendimin e krishterë mbi ngjizjen e përgjegjshme dhe familjare të jetës të gjithë njerëzve”. Në kushtet e tanishme kulturore – sipas ipeshkvijve tё Brazilit - dy janë kërcënimet kryesore: “konceptimi i njeriut vetëm si një individ” si edhe manipulimet e shkencës dhe teknikës që janë “preludi i asaj që njeriu është krijuar nga njeriu”. Nëse njeriu i njeh vetes fuqinë për të fabrikuar njeriun, nis një proces i pashmangshëm që çon drejt vetëshkatërrimit.

Prirjet individualiste dhe aborti, ku shfaqet qartë mungesa e çdo pike referimi ndaj Zotit, përbëjnë kërcënime të tjera që duhen shmangur. Prandaj rruga që duhet ndjekur është ajo e ungjillëzimit të ri që kalon përmes njeriut dhe familjes. Dhe në këtë rrugëtim familja, “qeliza e parë shpirtërore” ka një detyrë themelore: ‘Të forcojë marrëdhëniet ndërmjet breznive’, dhe të shpëtojë traditën e bashkësisë sё njё vendi.

Procesi i ngjizjes dhe i zhvillimit tё fёmijёs në barkun e nënës, procesi i lindjes, shërben për të krijuar një si hapësirë të përshtatshme, që krijesa e re të mund të dëftohet si “dhuratë”: e tillë, në fakt, është ajo që nga fillimi. A mund të cilësohet ndryshe kjo qenie e brishtë dhe e pambrojtur, krejtësisht e varur nga prindërit dhe krejtësisht e lëshuar në duart e tyre. I sapolinduri u dhurohet prindërve për vetë faktin se vjen në ekzistencë. Qenia e tij është tashmë një dhuratë, dhurata e parë e Krijuesit për krijesën.

Tek i sapolinduri realizohet e mira e përbashkët e familjes. Sikurse e mira e përbashkët e bashkëshortëve plotësohet krejtësisht në dashurinë martesore, e gatshme për të dhënë e për të pranuar jetën e re, poashtu e mira e përbashkët e familjes realizohet me anë të po asaj dashurie martesore të konkretizuar tek i sapolinduri. Në gjenealogjinë e personit gjendet gjenealogjia e familjes, që ruhet në kujtesë me anë të shkrimit në regjistrat e të pagëzuarve, edhe pse kjo s’është tjetër, veçse rrjedhoja shoqërore e faktit “se erdhi në botë një njeri” (Gj 16, 21).

Lindja e një njeriu nganjëherë duket vetëm një e dhënë statistikore, e shënuar si shumë të dhëna të tjera në bilancet demografike. Sigurisht, lindja e një fëmije do të thotë se prindërit do të mundohen edhe më shumë, do të kenë barra të tjera ekonomike dhe kushtëzime të tjera praktike. Këto motive mund t’i shtyjnë prindërit të mos dëshirojnë lindje të tjera. Në disa mjedise shoqërore e kulturore, pastaj, tundimi është edhe më i fortë.

Fëmija, pra, nuk është dhuratë? Vjen vetëm për të marrë e jo për të dhënë? Ja disa pyetje shqetësuese, prej të cilave njeriu i sotëm e ka të vështirë të lirohet. Fëmija vjen për të zënë pak hapësirë, në një kohë që në botë duket se ka gjithnjë e më pak hapësirë. Por a është e vërtetë se ai nuk i sjell asgjë familjes dhe shoqërisë? A nuk është, ndoshta, një “pjesëz” e asaj të mire të përbashkët, pa të cilën bashkësitë njerëzore shpërbëhen dhe rrezikojnë të vdesin? Si mund të mohohet kjo? Fëmija është dhuratë për vëllezërit, për motrat, për prindërit dhe për mbarë familjen. Jeta e tij bëhet dhuratë për vetë dhuruesit e jetës, të cilët nuk mund të rrinë pa e ndjerë praninë e fëmijës, pjesëmarrjen e tij në ekzistencën e tyre, ndihmën e tij për të mirën e përbashkët dhe për bashkësinë familjare.

01 tetor 2020, 12:38