Kërko

Vatican News
AZERBAIJAN ARMENIA NAGORNO KARABAKH CONFLICT AZERBAIJAN ARMENIA NAGORNO KARABAKH CONFLICT  (©AregBalayan)

Nagorno-Karabak, Kishat e Jeruzalemit bëjnë thirrje për armëpushim

Me një zë tё vetëm Kishat e Jerusalemit u drejtohen udhëheqësve botërorë për t'i dhënë fund dhunës dhe për të negociuar një paqe të qëndrueshme ndërmjet Azerbajxhanit dhe Nagorno-Karabakut.

R.SH. - Vatikan

Patriarkët dhe krerët e Kishave të Jeruzalemit u bëjnë thirrje udhëheqësve evropianë, presidentëve të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për të ndërhyrë e ndalur armiqësinë e dhunën në kufirin ndërmjet Azerbajxhanit dhe Nagorno-Karabakut. Në një deklaratë Kishat e Jeruzalemit u bëjnë thirrje burrave dhe grave me ndikim qё të punojnë për një armëpushim të menjëhershëm dhe të negociojnë një paqe të qëndrueshme. "Edhe një herë, njerëz të pafajshëm kanë vdekur dhe shumë burra, gra dhe fëmijë janë pastrehë, sepse tё detyruar tё zhvendosen nga tmerret e luftës" shkruajnë patriarkët dhe krerët e Kishave të Jeruzalemit duke u shprehur ngushëllimet atyre që kanë janё nё zi pёr vdekjen e tё dashurve dhe i luten  Zotit për shërimin e të sëmurëve.

"Lutem për paqe në Kaukaz dhe u kërkoj palëve në konflikt të bëjnë gjeste konkrete të vullnetit të mirë dhe vëllazërimit që mund të çojnë në zgjidhjen e problemeve jo me përdorimin e forcës dhe tё armëve, por përmes dialogut dhe negociatave. Të lutemi së bashku, në heshtje, për paqen në Kaukaz", kjo thirrja qё bёri Papa Françesku, menjëherë pas shpërthimit tё konfliktit, tё dielën e 27 shtatorit tё kaluar gjatё lutjes sё Engjëllit Tёnzot).

Dhuna e mëtejshme, shtojnë Patriarkët dhe krerët e Kishave të Jeruzalemit, mund vetёm të përkeqësojë përçarjet ndёrmjet Nagorno-Karabakut dhe Azerbajxhanit. Së fundi deklarata na fton të reflektojmë mbi fjalët e profetit Isaia (2, 4): «Zoti do t’i gjykojë kombet dhe do t’i zgjidhë mosmarrëveshjet e shumë popujve. Ata do t'i kthejnë shpatat e tyre në plugje dhe heshtat e tyre në drapërinj. Njё popull  nuk do të ngritë më shpatën kundër njё populli tjetёr dhe mё nuk do të ushtrohen për luftë”.

05 tetor 2020, 16:04