Kërko

Vatican News
E Lumja Marije Tuci, martire E Lumja Marije Tuci, martire 

Më 24 tetor Kisha kremton festёn e sё Lumes shqiptare Marije Tuci

Marija Tuci ishte e çiltër dhe e vendosur, shumë guximtare, luftarake dhe e emancipuar, por edhe e dashur, ishte e shoqërueshme dhe shumë bamirëse, zemërbardhë. Ishte një vajzë e re e interesuar për jetën dhe kulturën, nuk merrej me politikë, aq më pak bënte agjitacion e propagandë, nuk ishte fusha e saj. Feja përbënte interesin e saj, e kishte për zemër fenë e krishterë me vlerat e saj të pamohueshme.

R.SH. - Vatikan

Mё 24 tetor Kisha katolike Universale kremton festën e sё Lumes shqiptare Marije Tuci, duke përkujtuar dhe nderuar martiren e Krishtit nё kohёn e regjimit komunist ne Shqipëri.

Marije Tuci, aspirante e Motrave Françeskane Stigmatine, lindi më 12 mars 1928 në Ndërfushaz, jo larg nga Rrësheni, qyteti më i rëndësishëm i Mirditës dhe zonë pothuajse krejt katolike. Rrësheni që prej datës 7 dhjetor 1996 është seli ipeshkёvnore, në vend të selisë më të lashtë të abacisë së Oroshit. Familja e saj, në gjendje mjaft të mirë ekonomike, jetonte me punën në ara dhe me kullotjen e bagëtive; ajo përveç nënës shtëpiake dhe të atit bujk përbëhej edhe nga katër fëmijë: Marku, Marija, Luçja dhe Liza. Familja jetonte në harmoni sipas stilit patriarkal dhe bashkë me ta jetonin edhe e motra e të atit, Angjia, që nuk ishte e martuar, vëllai i të atit, Zefi, me të shoqen Dilën. Pati një fëmijëri të qetë dhe normale, që e ndihmoi të rritej me parimet e fesë të ngulitura prej prindërve dhe prej hallës beqare, e cila jetonte me ta. Si i vë-llai dhe dy motrat e tjera edhe ajo u pagëzua nga i Lumi Dom Jak Bushati, që në ate kohë ishte famullitar i zonës së Gëziqit. Siç ishte zakon atëherë, sakramentet e Rrëfimit dhe të Kungimit të Parë jepeshin çdo dy- tre vjet, në kohë kur Etërit Jezuitë shkonin atje në Misionet Shëtitëse.

E motra, Liza, duke folur për të motrën, më 03.03.2006, ka dashur të sqarojë: “ E di se për një njeri tëndin ekziston tendenca për t’i zmadhuar më tepër sesa duhet aspektet pozitive, por do të mundohem të jem krejt e sinqartë dhe e paanshme”, dhe vazhdon me kujtimet:” Sa herë që merrte këto sakramente (rrëfimin dhe kungimin) përgatitje me kujdes. Kur i mori për herë të parë, përpara meje, unë nuk isha e pranishme. Por mbaj mend se ishte shumë e lumtur që i kishte marrë. Në vazhdim çdo të diel, me të e me të tjerët, shkonim në këmbë në fmaullinë e largët të Gëziqit, që ishte 6-7 kilometra larg, për të marrë pjesë në Meshën e shenjtë, që të mund të rrëfeheshim dhe të merrnim Kungimin. Kur merrte Kungimin ishte e përqendruar dhe pëkulej me duart e bashkuara”. Dhe kujtimet e motrës vazhdojnë: “Kur ishte fëmijë rrëshqiti në një vend plot me baltë dhe u tremb kaq shumë sa kjo gjë i zgjati gati një muaj. Gjatë këtij muaji, në të cilin prindërit e mi dhe mjeku mundoheshin ta shëronin, disa herë së bashku kemi shkuar në Kishën e Shna Ndoit në Laç për të  kërkuar shërimin e saj. Pasi e mori veten u kërkoi prindërve  të shkonte në Shkodër për të vazhduar shkollën te Motrat Stigmatine dhe për të filluar jetën rregulltare. Atëherë ishte rreth 12 vjeçe. Ajo shkoi për të studiuar në Shkodër, sepse aty ishte edhe vëllai ynë Marku, që studionte pranë kolegjit Saverian të Jezuitëve. Unë nuk shkova në shkollë, sepse, duke shkuar në shkollë ata të dy, duhej të rrija në shtëpi për të ndihmuar familjen”. Motra, Liza vazhdon të tregojë kujtimet e jetës së saj të ndërthurura me ato të Marijes dhe thotë:” Jemi rritur bashkë, dhe kur ishim të vogla, si të gjithë fëmijët në atë kohë, loznim së bashku… Kishim edhe  miqësi e marrëdhënie të mira me fëmijtë e komshinjve. Kemi kaluar një fëmijëri të qetë dhe ndryshe nga bashkëmoshatarët tanë që për shkak të varfërisë duhej të fillonin të punonin qysh të vegjël për të jetuar, ne ndihmonim nënën në punët e shtëpisë, pa bërë punë të rënda. Si Marija ashtu edhe unë ndihmonim me qejf nënën në punët e shtëpisë. Vetëm ndonjëherë na dërgonin për të ruajtur delet afër shtëpisë”.

Formimi i krishterë, që kishte marrë në familje, u konsolidua duke studiuar e duke jetuar si nxënëse e brendshme tek motrat Stigmatine dhe ky formim karakterizoi krejt jetën e saj të re… Ishte një katolike e bindur dhe e zellshme. Lutej shumë dhe kishte një devocion të veçantë për Zojën, ashtu si e kishte mësuar në familje. E motra, Liza, thotë: “Gjithmonë në gishtin e dorës së djathtë mbante një unazë me imazhin e Zojës ndaj së cilës ishte shumë e devotshme dhe gjatë verës, kur ishte në shtëpi, sapo shikonte një grup fëmijësh i thërriste dhe u fliste për Zojën e Zotin… Mbrëmjeve shpesh, pas darkës, thoshim rruzaren në familje, që gati gjithmonë e fillonte halla Dilë. Gjatë Kreshmës, sipas traditës, gjithmonë pas darkës e thoshim rruzaren dhe të gjithë merrnin pjesë në këtë lutje. Pastaj e kishim si rregull, secili në mënyrë private bënte lutjet e veta në darkë dhe në mëngjes, ashtu siç ishim të edukuar”.

Sipas asaj që tregon i vëllai Marku, motra Liza e të tjerë që e kanë njohur, Marija ishte e çiltër dhe e vendosur, shumë guximtare, luftarake dhe e emancipuar, por edhe e dashur, ishte e shoqërueshme dhe shumë bamirëse… Edhe pse ishte shumë e gjallë, ishte e matur, kur fliste, nuk fyente askënd. Të gjithë e vlerësonin. E motra Liza shton: “Marija ishte e bindur dhe e vendosur në fenë e vet tamam si një shenjtëreshë”. Dhe thekson: “Kam frikë t’i them këto gjëra, sikur të jem unë ajo që dua ta bëj të shenjtë, por kjo është e vërteta. Të gjitha bisedat e saj, në fakt, silleshin rreth fesë. Kur në shtëpi kishim miq, qe bënin biseda të tjera, ajo nuk përzihej dhe nuk merrej me muhabete të tilla, por largohej me mirësjellje. Pastaj ishte edhe zemërbardhë. Merrte prej gjërave të veta dhe ua jepte të tjerëve. Duhet thënë se në atë kohë nuk kishim shumë gjëra. Për shembull, nëse kishim në shtëpi një gjë të bukur (një bluzë ose diçka jetër), që edhe i pëlqente dhe ishte e vetja, për të më  bërë të lumtur, ia hiqte vetes dhe ma jepte mua”. Vazhdon të tregojë: “Edhe pse ishte e arsimuar, ishte shumë e thjeshtë dhe e dashur, e paqtë dhe e qetë. Ishte e thjeshtë dhe për moshën që kishte nuk ishte mendjemadhe dhe kryelartë. I referohem periudhës sidomos kur ajo ishte 18 vjeçe… Gëzonte një shëndet të mirë… Kishte karate të fortë, si të ishte burrë. E vendosur edhe në biseda, ishte e dashur me të gjithë. Moralisht ishte e fortë dhe e drejtë”.

Duke studiuar te Motrat Stigmatine në Shkodër, mbeti shumë e magjepsur prej idealit të jetës së tyre të kushtuar krejtësisht Zotit, nën shembullin e Shën Françeskut të Asizit dhe kishte kërkuar të pranohej si aspirante e tyre dhe këto e kishin pranuar kërkesën e saj. Ëndërr që nuk arrit ta realizonte, sepse natën e 24. 12. 1946, dy vite pas ardhjes së regjimi komunist, Instituti i Motrave u mbyll dhe shtëpia u mor nga regjimi: kisha u bë njëra prej gjykatave të shumta ekzistuese në Shkodër. Disa vite më vonë, shkruhet: “Në Shkodër Murgesha nuk ka më. U nxorën jashtë të gjitha duke i paralajmëruar pak minuta përpara dhe duke i lënë në dorë të policëve dhe shtëpitë tyre u morën në shërbim të popullit, kuptohet! Një pjesë e madhe e motrave të reja u shpërfytyruan me dhunë” Mbyllja e Institutit  ndodhi për arsye se regjimi ndihej i bezdisur nga Motrat, që drejtonin një shkollë shumë të ndjekur, të afirmuar dhe të vlerësuar për seriozitetin e mësimdhënies dhe për vlerat katolike që jepte. Në fakt, në atë shkollë ishte formuar pothuajse krejt rinia katolike femërore e Shkodrës dhe e rrethinave, në fakt Marije Tuci ishte prej një zone tjetër, prej Mirditës. “Vendimi për t’u bërë Motër, thotë e motra, ishte e vendosur dhe i prerë edhe pse nuk e dinte nëse do të hapej dhe kur do të hapej kuvendi i Motrave Stigmatine. Si provë për këtë vendim, e motra sjell faktin se “edhe pse e re, ajo nuk kishte dikë që t’i vardisje dhe është e vërtetë që askush nuk kishte ardhur në familje për ta kërkuar si nuse dhe as prindërit nuk kishin menduar ta jepnin nuse, sepse e dinin se ajo ishte e vendosur për të ecur përpara në rrugën që kishte ndërmarrë për t’u bërë Motër”.

Kishte një fytyrë të qetë dhe të paqtë, të rrethuar nga një tufë flokësh të dendur që nëse nuk i binin mbi supe, i bënte gërshet mbi kokë ose thjeshtë gërsheta. Sytë  saj të kaltër, si pothuajse të të gjithë familjarëve të saj, ishin të kristaltë, të gjallë, inteligjentë dhe depërtues.

Në lidhje me sjelljen e Marije Tucit, në periudhën që ishte te Motrat, është bukur të kujtojmë çfarë thotë një bashkëmoshatare, që u bë Motër Stigmatine, e cila kishte jetuar me të disa kohë. Bëhet fjalë për Motër Marije Kaletën, mbesën e një martiri tjetër, të Lumit Dom Ndoc Sumës, që, me 15 mars 2003, tha: “Kishte trup mesatar, ishte bionde dhe pak pikaloshe. Për nga karakteri ishte vajzë e shkathët, shumë inteligjente, dinte të bënte punë të ndryshme. Ishte gjithnjë e gatshme për të na ndihmuar. Dinte të na ngrinte lart moralin, kur ishim keq. Kishte karate shumë te gëzueshëm. Dëshironte të këndonte, por nuk kishte zë të bukur. Në lojërat që bënim angazhohej në maksimum për të fituar. Këtë qëndrim e kishte në çdo punë që bënte. Me angazhimin e saj donte t’ua  kalonte të gjithave. Nga ana morale ishte një vajzë që dinte, me shumë gëzim ua mësonte edhe të tjerave që kërkonin ndihmën e saj”. Kur i detyruan të ndaheshin, Marije Tuci ishte 18 vjeçe dhe Motër Marije Kaleta ishte 17 vjeçe.

Kur u kthye në shtëpi prej Institutit të Motrave Stigmatine në vitin 1946, duke qenë një prej vajzave më të shkolluara të zonës, “sepse katolike dhe e aftë për të luftuar për bindjet e veta”, me ndërhyrjen e Ipeshkvit, Imzot Frano Gjinit, të cilin pas disa muajsh do ta arrestonin, e motra  Liza thotë: “Fillimisht u ngarkua nga regjimi për të mbajtur, në fshatin tonë Ndërfushaz, një kurs shkollor për të rriturit që nuk dinin shkrim dhe këndim. Dy-tre muaj më vonë gjithmonë nga regjimi u dërgua t’u jepte mësim fëmijëve të shkollës fillore të Gojanit dhe këtu dha mësim pak më shumë se një vit. Pastaj shkoi në shkollën fillore të Sangut, në Fan, ku qëndroi një vit duke jetuar nëpër familje. Në kursin që mbajti në Ndërfushaz pata marrë pjesë edhe unë, pastaj vazhdoi të më jepte mësim në shtëpi”.

Edhe pse ishte një vajzë e re e interesuar për jetën dhe kulturën, nuk merrej me politikë, aq më pak bënte agjitacion e propagandë, nuk ishte fusha e saj. Feja përbënte interesin e saj, e kishte për zemër fenë e krishterë me vlerat e saj të pamohueshme për këto interesohej dhe e përhapte me jetën e saj shembullore dhe me fjalë, ashtu siç u pa më vonë.

Patën kaluar gati pesë vite qysh kur regjimi komunist kishte marre situatën në dorë dhe terrori ishte bërë gjithnjë e më i fortë në gjithë tokën shqiptare. Por Marije Tuci, përveç vuajtjes për gjërat që merrte vesh: arrestime, gjyqe, tortura, dënime, pushkatime, zhdukje personash etj, e gjente forcën te feja e te lutja dhe energjinë për të rezistuar te karakteri i saj i vendosur dhe i guximshëm. Nuk ndenji indiferente ndaj lajmit të arrestimit, më 15.11.1945, dhe pastaj të pushkatimit, më 11 mars 1948, të Ipeshkvit të saj, Imzot Frano Gjini, që futi në ankth krejt Kishën në Shqipëri; të arrestimit dhe të vdekjes tragjike të famullitarit të Oroshit, Dom Mark Gjanit, përveç arrestimit të ish-famullitarit, Dom Jak Bushatit, që ndodhi në prillin para arrestimit te saj. Por furtuna, me ose pa justifikime duhej të përplasej edhe mbi të, edhe pse ishte një pemë e re, e fuqishme e plot jetë.

Papritmas u arrestua nga agjentët e policisë se Rrëshenit më 11.08.1949, në orën 06.00, në mes të verës, kur sapo ishte kthyer në familje për pushimet verore, pas mësimdhënies në Sang. Policët nuk e ngucën shumë dhe as që i thanë se po e arrestonin. Thjeshtë i thanë se duhej të shkonte me ta deri në Rrëshen. Pasi mbërriti aty, kryetari i policisë meqë të arrestuarit ishin të shumtë dhe nuk kishte ku t’i vinin, së bashku me të tjerët, si për ta fshehur, e futën në një kanal të hapur afër kodrës së lumit Fan përballë Rrëshenit. Sot i takon të jetë në kurriz të katedrales, domethënë mes Ndërfushazit dhe Rrëshenit. Tregon e motra Liza. “Ishte e martë, sepse atë ditë pata shkuar në Kishën e Shёna Ndout në Laç dhe kur u ktheva, mora vesh për arrestimin e saj dhe të vëllait… Duhet të ishte shumë e lodhur, sepse dy ditë përpara se ta arrestonin kishte qenë tek Mrikë Biba dhe ishte kthyer darkën përpara arrestimit… Qysh atëherë nuk e kam parë më. As nuk jemi përshëndetur”.

U arrestua sepse i përkiste familjes Gjonmarkaj, shumë antikomuniste, e cila ishte akuzuar për vrasjen, në atë zonë, në Peshqesh, katër ditë më parë më 07.08.1949, e Bardhok Bibës, Sekretarit të Parë të Partisë Komuniste të Mirditës dhe deputet në Parlament.

Në këtë pikë është mirë të dëgjojmë prapë motrën e saj Lizën, që është mjaft e informuar rreth kësaj ngjarjeje: “ Bardhok Biba ishte një i afërt i familjes, ishte Shpalit, por  banonte në Rrëshen. Për t’u hakmarrë ndaj kësaj vrasjeje, komunistët organizuan një reprezalje duke arrestuar një numër të madh personash, rreth 300, ndër të cilët u arrestuan edhe im vëlla Marku dhe ime motër Marija. Të gjithë ne anëtarët e tjerë të familjes u internuam në jug të Shqipërisë, në Tepelenë. E shoqja e  Bardhokut, me emrin Mrikë, i pat kërkuar sime motre, Marijes, të rrinte me të për të pritur vizita për ngushëllim. Dhe ajo ndjeni dy ditë atje. Në mbrëmje u kthye dhe të nesërmen në mëngjes e arrestuan. Në këtë pikë nuk arrij ta shpjegoj atë çka ende sot nuk arrij të kuptoj, pra pse e arrestuan Markun dhe Mrijen, të vetmen grua mes shumë burrash. Mes familjes sonë dhe asaj të Bardhokut në përgjithësi kishim marrëdhënie të mira dhe është e vërtetë  se kur Marku u dënua me pushkatim në fund të gjyqit, ndërhyri Marta, e motra e Bardhokut, për të sqaruar se si gjatë luftës partizane kur i vëllai Bardhoku ishte ilegal komunist ndër male, kishin marrë diçka tek të mitë për t’ia dërguar të vëllait dhe kështu Markun në vend që ta pushkatonin e dënuan me disa vite burgu dhe punë të detyruar. Atëherë duhet të mendoj se me siguri Marija u arrestua sepse ishte një vajzë e re 21 vjeçe, e përgatitur dhe e formuar si e krishterë, dhe për ato kohë, edhe e përgatitur nga ana kulturore, meqë i patën dhënë edhe detyrën që të jepte mësim. Ndoshta për këtë ishte e vetmja grua që u arrestua mes gjithë atyre burrave. Kjo tregon se si familja jonë ishte në shënjestër prej kohe”.

Me siguri u arrestua vetëm sepse kishte një formim të fortë të krishterë dhe duke qenë e vetmja mësuese në atë vend, në shkollë mësonte edhe katekizëm, edhe pse regjimi e kishte ndaluar në shkollë. Përveç kësaj, si grua, ishte e emancipuar dhe kishte ndikim te të tjerët, nga të cilët çmohej dhe vlerësohej.

Duhet ditur se në mbarë Shqipërinë, Mirdita ishte e vetmja zonë gati krejt katolike, për këtë arsye këtu përndjekja komuniste qe edhe më e egër. Në fakt, gjatë hetuesisë, prej 300 të arrestuarve, të paktën 35 në Mirditë, kanë vdekur ose janë vrarë. 

E burgosën në selinë e seminarit françeskan, që pasi u konfiskua nga regjimi, u bë burg i Sigurimit, ku aktualisht është manastiri i Motrave Klarise. Si femër që ishte, iu desh të vuante më shumë se çdo i burgosur tjetër. Sjellja që pati regjimi ndaj grave që ranë në rrjetën e Sigurimit është ende një kapitull i pahapur. Vetëm rasti i Marije Tucit, e vetmja grua në listën e 38 martirëve shqiptarë të Lumë, na shpalos ndonjë faqe, ato që era e mëshirës dhe e dhimbjes mund të hapin. Sjellja ndaj saj qe vërtetë barbare, gati e paimagjinueshme. E njëjta gjë vlen edhe për gra të tjera që u përndjekën, u arrestuan dhe u dënuan me burgim, disa prej të cilave kanë dëshmuar për të. Është e vërtetë edhe se ka patur jo pak gra të krishtera, që iu dorëzuan lehtë komunizmit. Qenë edhe të tjera, shumë madje, e ndër ta edhe Marije Tuci, që i qëndruan besnike Hyjit dhe Kishës kundër çdo ideologjie ateiste. Shumë prej këtyre historive, si skelete qëndrojnë të mbyllura hermetikisht, ende të shpërfillura apo të panjohura, në raftet e Sigurimit. Marije Tuci e pagoi shtrenjtë faktin që ishte e krishterë dhe koherente me zgjedhjen që kishte bërë. Në fakt, pësoi torturat më poshtëruese, derisa e shpërfytyruan në fytyrë e në trup, por ajo diti t’u bëjë ballë me qëndrueshmërinë e karakterit dhe të bindjeve të veta të krishtera. Ajo çka pësoi, edhe pse nuk qe një përdhunim në kuptimin më të ngushtë të fjalës, sepse realisht nuk ndodhi; kishte domethënien e një përdhunimi të vërtetë seksual. Përdhunimi apo torturimi i një të burgosure, për më tepër të re, apo lënia të vdesë në mënyrë të tmerrshme, qe një akt barbar i vërtetë, për të cilin regjimi krenohej, duke treguar me ballin lart se ishte i zoti të bënte edhe kësi gjërash. Dihet se ata që i bënë këto kërdi në burra dhe gra nuk qe populli i thjeshtë, por njerëz të ndikuar prej Enver Hoxhes, një njeri me gjak të pastër marksisti. Nga ana tjetër muri i varrezave të Rrmajit në Shkodër u kthye në kasaphane të vërtetë.

E mbijetuara Olimbi Baruti, myslimane, për një muaj shoqe qelie me Marijen, para të gjithash duke folur për kushtet e paimagjinueshme të burgut ka thënë: “ Burgu ishte një birucë… edhe pse e quanin qeli, ishte qelia nr.13 pa dritë, as ajër, pa pasur mundësi të laheshim e të ndërroheshim, ushqimi i përditshëm ishte bukë, ujë, groshë ose makarona “. Pastaj vazhdoi: “Marija ishte inteligjente, guximtare, me një fe të madhe, lutej shumë në burg, ishte kundër komunizmit. Gjatë gjithë muajit vetëm një herë i dhanë ndërresa, ndoshta i’a kishte dërguar e ëma nëpërmjet një miku dhe Marija i bashkëndau ato pak gjëra me mua. Ndue Ndoci pati thënë se në Burg Marija kishte vetëm një shqetësim: fatin e të vëllait. Markut, që ishte arrestuar së bashku me të, dhe luste Zotin që ta shpëtonte e të mos e dënonin me vdekje.

Një dëshmitare tjetër, shoqe burgu me të për disa muaj, Vida Matlia, që vdiq me 12.08.1994, pati thënë: “ Nga të ftohtit rrinim të përqafuara për t’u ngrohur. Qelia ishte plot me ujë, sepse binte shi edhe mbi dyshek. Kur e shtruan në spital në kushte të rënda, e kishte barkun të fryrë… ndoshta… peritonit, ose tuberkuloz”. Ndue Ndoci, i vitit 1920, qe shumë i ri ndodhej në burg në të njëjtin vend, kështu e ka përshkruar, më 15.02.2006, qelinë e Marijes: “ Qelia ishte ngjitur me timen, ajo ishte shume e ngushtë dhe e lartë, ishte bërë apostafat për të mos arritur dritaren e murit dhe ishte mbyllur me llamarinë me vrima prej të cilës hynte krejt pak dritë. Në murin që ndante ishte hapur me një gozhdë një vrimë në njëfarë lartësie. Unë duke folur me të gjithmonë nëpërmjet vrimës dhe pasi më tha se quhej Mrije Tuci i thashë të linte t’i binte ajo pak dritë për ta parë më mirë. E pashë se e kishte fytyrën të enjtur dhe i thashë: “ Po ç’të paskan bërë kështu?”. M’u përgjigjë: “ Më kanë bërë shumë gjilpëra”. Për disa ditë e çuan në një qeli tjetër, pastaj e çuan në të sajën dhe pashë që ecte duke u tërhequr zvarrë dhe ishte e sfilitur. Nuk e njoha, dukej si një grua plakë. E pyeta kush ishte  dhe e mrekulluar që nuk e njoha më tha: “Jam Marije Tuci”. Nuk mund t’i besoja dhe i thashë: “Dukesh si një grua plakë!”. Ajo m’u përgjigj: “Kështu më kanë bërë torturat”.

Qëndrimi i gjatë në burg, pastaj, bëri punën e vet: uri, etje, lagështirë, të ftohtë, pisllëk, etj. Shpesh i hidhnin ujë të lagur dyshekut që të flinte mbi kashtë e lagur me qëllim që të bëhej me tuberkuloz dhe të vdiste vetë, pa pasur nevojë ta vrisnin. Kujton edhe një herë Ndue Ndoci: “Sistemi i përdorur nga Sigurimi ishte ai që ta linte të burgosurin të vetmuar në një qeli, pastaj, kur shihej se ishte e sfilitur nga torturat dhe vetmia, i vinin në qeli një “të burgosur” tjetër që ishte spiun. Meqë psikologjikisht një i burgosur ishte i mërzitur dhe me dëshirën për të folur me dikënd, normalisht fliste dhe tregonte çfarë i kishte ndodhur, në këtë mënyrë spiuni bënte një raport sipas udhëzimeve të Sigurimit dhe kështu bënte tradhti. Pastaj viktima merrej edhe një herë, torturohej disa herë radhazi që të pranonte akuzat e rreme me qëllim që ta dënonin. Marije Tuci, që e ruante gjithmonë qetësinë, u spiunua nga një grua që quhej Vida Cukni”. Dhe përveç të tjerash pësoi torturën e tmerrshme që e mbyllën në një thes me një mace të tërbuar, që rrihej me shkop që ta gërvishte e ta kafshonte dhe më shumë dhe si pasojë ta bënin të dilte nga thesi krejt të gjakosur dhe të shpërfytyruar”.

Në fakt, e torturuan në at mënyrë që të  mos njihej. Gjatë një hetuesie marrë në pyetje nga Hilmi Seiti, anëtar i gjykatës, duke qenë Marija vajzë e re, i bëri asaj disa propozime, të cilat Marija i refuzoi me forcë e vendosmëri. Dhe ky refuzim u quajt prej kriminelit një fyerje personale dhe e pafalshme, derisa i pat thënë: “Do të të shpërfytyroj deri në atë pikë sa as familja jote nuk do të të njohë!”. Në pafytyrësinë e përndjekësve kishte një kod të veçantë për gratë. Pastaj kapej një grua, “ për të shpëtuar”, siç ishte edhe qëllimi i Hilmi Seitit, kishte vetëm një zgjedhje: t’i ofrohej atij që e mbante nën presionin e gjyqit. Pas refuzimit të prerë të Marijes, ndodhi edhe “shpërfytyrimi”. Përsa i përket kësaj, është shumë domethënës të sjellim tregimin bërë, më 21.05.2003, nga motra stigmatine, Moter Jorgjia Bugareci, bashkëmoshatare me Marijen. 

Duhet të kemi parasysh se me Mbylljen e Instituteve, motrat e mbetura dhe të kthyera në familjet e veta, nuk mund ta mbanin veshjen rregulltare. Ja çfarë tregon: “ Një herë, gjatë kohës së regjimit (në vitin 1950), më pat marrë malli për Shkodrën dhe (nga Tirana) u ktheva për një vizitë të shkurtër në qytet. Aty mora vesh se Marija ishte në spital. Shkova në spital e fillova ta kërkoja, por nuk arrita ta dalloja kaq e kishin shpërfytyruar. Në njëfarë momenti, Marija që më njohu, duke folur me zor, më tha: “Jorgjia, shikoi si më ka bërë Hilmi Seiti. Më pat thënë: “Do të spërftyroj deri në atë pikë sa as familja jote nuk do të të njohë!”. Unë u turbullova shumë dhe ndjeva një dhimbje të madhe brenda meje kur e pashë në atë gjendje. Marija vazhdoi: “ Më kanë hedhur vazhdimisht e ngadalë ujë në kokë. Trupi im ishte i lagur gjithmonë. Pa pushim më linin mbi një shtrat të lagur. Shiko si më kanë katandisur!”. Pashë se ishte shumë rëndë. Për vdekjen e saj mora vesh vetëm pas rënies së regjimi komunist (1990), pra 40 vite pasi e kisha takuar për herë të fundit”.

Hilmi Seiti si një bishë ishte hedhur mbi këtë viktimë të pafajshme, duke e torturuar për të marrë vesh atë që as ai vetë s’e dinte, pasi çdo akuzë ishte pa baza, shpikur për të zhdukur një grua të re dhe të padëmshme si Marija dhe këtë vetëm sepse nuk e mohoi fenë, e jo për tjetër, duke i ndenjur besnike Krishtit deri në fund. Sa më shumë shkëlqenin nga pastërtia sytë e ndritshëm e të qetë të Marijes, aq më shumë tirani me bashkëpunëtorët e vet e ndjente nevojën sadiste për ta torturuar, për ta zhdukur prej syve, ndaj edhe deshi ta shpërftyronte. Kishte filluar një duel i rreptë mes tiranit dhe të pafajshmes, mes xhelatit dhe viktimës. Forca shpirtërore e Marijes u kthye ne butësi dhe tirani s’e mori vesh se u ndesh me Krishtin “zemër butë dhe të përvujtë”, në trupin dhe në shpirtin e asaj krijese të re. Instinktet e tij të ulta dhe shtazarake, u vërsulën mbi të dhe nëse nuk mundi të ketë mishin, nuk mundi të mposhtë as shpirtin. Kështu Marija, e butë si një qengj, si grua vërtet e fortë dhe krenare për fenë e saj, u bë një  me Krishtin, sipas profecisë së Izaisë në lidhje me Shëlbuesin: “S’kishte bukuri as hijeshi, që të mund të vërenim në të, as pashi që të mund të na pëlqente. Ishte i përbuzur, më i sprasmi ndër njerëz, njeri dhimbjesh, i regjur me vuajtje, si ai, para të cilit mbulohet fytyra, i përbuzur, këndej as s’e çmonin për gjësend” (Is 53, 2b.3). Sipas dëshmive të disa grave, në burg pati shkruar një letër që s’mundi ta niste, sepse do të kishte qenë një tjetër dëshmi bindëse ndaj veprës çnjerëzore të kriminelëve të Sigurimit të regjimi komunist. Kishte shkruar: “Ditët e mia janë duke mbaruar, dëshmia e kolonelit (Hilmi Seitit) të ma marrë jetën, u realizua. Kriminelët e tij nuk kanë lënë torturë pa provuar mbi trupin tim”. Kështu e patën katandisur Marijen plot me jetë, dënuar padrejtësisht e lënë të kalbej në lulen e rinisë në burgjet e Shkodrës aty ku pas 50 vitesh do të vendosnin qendrën e tyre të soditjes nxënësit e Kjarës së Asizit.

Perse e akuzuan? E motra Liza tregon: “As unë dhe as familjarët e mi nuk kemi marrë vesh akuzat që iu bënë dhe as se si e  patën formuluar dënimin; faktikisht pësoi të gjitha torturat e kërkuara prej gjykatësve, Kam marrë vesh se iu kërkua të shprehte vullnetet e funti përpara se të jepte shpirt dhe se ajo kërkoi të vdiste jashtë burgut. Dhe kështu u bë. Në fakt, ditët e fundit të jetës së saj e transferuan në spitalin e Shkodrës. Aty shkoi ta takonte një kushtërirë e jona, motër saleziane, Motër Marije Gjomarkaj, por nuk e njohu”. Marije Tuci duket tamam siç shprehet Dionjeti, kur flet për të krishterët: “ I duan të gjithë dhe prej të gjithëve përndjeken. I dënojnë me vdekje, por me këtë fitojnë jetën. I fyejnë dhe ata bekojnë, i trajtojnë duke i marrë nëpër këmbë dhe ata ua kthejnë me nderime. Edhe pse bëjnë të mirën, i dënojnë si keqbërës. Ata që i urrejnë nuk dinë të thonë arsyen e armiqësisë së tyre”.

E transferuan në spitalin civil, sigurisht e ruanim me rojë, pasi e patën” falur”, kështu i pat thënë Hilmi Seiti. E patën  falur për çfarë? Ndoshta një dritëz në ndërgjegje e shtyu të paciptin të bëjë sikur nuk ishte ndodhur asgjë për shkak të kundërshtimit që Marija i pati bërë, duke e refuzuar dhe ky fakt tjetër e vendos edhe në planin e një martirizimi të vërtetë për arsye të virgjërisë, që ajo diti ta mbronte me çdo kusht, duke pranuar torturat më të tmerrshme vetëm që të mos i dorëzohej tunduesit. Gjatë qëndrimit të saj të shkurtër në spital, vetë Marija, e shpërftyruar si ishte për shkak të torturave, i tha shoqes së burgut, Davida Gjonmarkajt: “U vërtetua fjala e Hilmi Seitit, që më pat thënë: ”Do të shpërftyroj deri në atë pikë sa as familja jote nuk do të të njohë”. Dhe e vetëdijshme se i kishte ditët e numëruara, me qetësinë që rridhte prej fesë së saj të gjallë, duke besuar në Krishtin, që e kishte thirrur në jetë për të qenë nusja e tij mistike, tha:Falënderoj Zotin, që ditët e fundit të jetës po i kaloj në liri”,

Ndjeu fort afër vetes praninë e Nënës së Krishtit, emrin e të cilës mbante me nder. Me të, qysh e vogël, qe lidhur fort nga një devocion i thjeshtë dhe i thellë, nëpërmjet Rruzares, që as ajo vetë s’e mbante mend kur kishte mësuar ta thoshte. Për këtë dëshmojnë edhe ato 24 kokrra të verdha, mbetje të Rruzares që as sigurimi nuk mundi t’ia hiqte nga duart kur vdiq. Në frymëzimin e thellë për të përqafuar jetën rregulltare në Institutin e Motrave françeskane Stigmatine, i mbeten të ngulitura më shumë në zemër, sesa në trup plagët e Zotit dhe të Dhëndërrit të saj hyjnor.

Vdiq pak më shumë se 22 vjeçe në spitalin civil, dy-tri javë pasi ishte shtruar aty, më 24.10.1950. Shkaku i vdekjes së saj, u tha, ishte një peritonit, madje, sipas çertifikatës së Vdekjes, lëshuar nga Bashkia e Shkodrës me 31.05.2002, ajo ka vdekur prej një koliti në zorrën e trashë. Dhe asgjë më tepër! Pasi vdiq, një kushëri i saj, Kol Shtjefni, nga Shkodra, me një telegram u komunikoi lajmin e vdekjes prindërve të saj, që ishin të internuar në Tepelenë. Vetë ai u kujdes për varrimin në varrezat katolike të Rrëmajit në Shkodër. Pranë eshtrave të së bijës dëshiroi të varroset i ati, që së bashku me të shoqen e me fëmijët e tjerë, nuk e panë më Marijen e tyre, as edhe të shpërftyruar. Të shndërruar, patjetër që e ka takuar mes Shenjtërve Martirë në parajsë.

Më 23.10.2006 eshtrat e saj u zhvarrosen në praninë e anëtarëve të Komisionit special me emërim arqipeshkvnor, të Eprores së Përgjithshme, të Eprores Provinciale, të Motrës Chiara Agnese Pieri, Delegate për Shqipërinë dhe të disa Motrave Stigmatine, pranë të cilave kishte studiuar dhe ku shpresonte një ditë të ishte  pjesëtare e Kongregatës si Motër. Një ditë më pas, në vitin e 47 të vdekjes, u varrosën në mënyrë të denjë dhe përfundimtare në kishën e Motrave Stigmatine. Zgjedhja e këtij vendi u motivua edhe nga fakti se pikërisht ajo kishë, sekuestruar së bashku me shtëpinë nga regjimi, u shndërrua  në gjyq, ku shumë veta u gjykuan dhe u dënuan me vdekje.

Në familje, i vëllai  Marku, kur u lirua në vitin 1957, gjeti një letër të motrës së tij Marijes me pika gjaku, ka të ngjarë të jetë shkruar në spital, që sipas dëshmisë të vëllait, më 20.12.2004, thoshte: “Më kanë dënuar me tre vite burg me kusht, kur e dinë fare mirë se ditët i kam të numëruara. Jam e gëzuar që po përmbushet dëshira e kolonel Hilmi Seitit të më bënte që as familja ime të mos më njihte”. Kur i vëllai u arrestua për herë të dytë në vitin 1980, vetëm se pati thënë: “Gjithçka mund të harroj, por jo motrën time, që ka vdekur gjatë hetuesisë”, letra, e cituar më sipër, u sekuestrua dhe nuk dihet se ku ka përfunduar.

Të gjithë ata që morën vesh fundin tragjik të vajzës së re plot gjallëri Marije Tuci, metën të habitur sepse bëhej fjalë për një vdekje të padrejtë, pasi ajo ishte krejt e pafajshme dhe krejt jashtë çdo intrige politike. Nuk kishin pasur asnjë arsye për ta arrestuar dhe për ta mbytur në atë mënyrë barbare pas shumë torturash, në të cilat vetëm feja e mbështeti. Liza thotë: “Dihet se regjimi nuk kishte një ideologji të bazuar mbi fenë kështu u hodh kundër kishës për ta shkatërruar e kundra çdo anëtari të saj aktiv. Gjykatësit e panë Marijen të vendosur dhe të patundur në bindjet e veta fetare dhe ndaj e dinin se nuk ishte komuniste dhe nuk do ta kishin bindur kurrë që të bëhej, ndaj gjetën një pretekst çfarëdo për ta eliminuar”. E vërteta e këtyre fakteve i ka bindur të gjithë ata që e kanë njohur Marije Tucin, ose që kanë  dëgjuar të flitet për të kur kanë ndodhur këto fakte dhe më vonë, se vërtetë mund të mbahet si martire e fesë katolike, sepse ka besuar në Krishtin, e ka kumtuar me jetën e saj koherente dhe me mësimin e saj dhe e ka dëshmuar me martirizimin, duke u konsumuar në burg ende shumë e re, si martiret e para të Kishës. Duke iu përgjigjur pyetjes nëse gjatë regjimit të gjatë të terrorit ajo apo të tjerë kanë folur mbi Marijen, e motra Liza shprehet kështu: ”Ishte ime motër, si mund të mos e kujtonim dhe të mos e mendonim? Mund ta imagjinoni se si e kujtonin prindërit e mi, aq sa dëshironin të varroseshin në Shkodër pranë saj. Ndaj edhe pse në fshehtësi, gjithmonë e kemi kujtuar, dhe e kujtojmë akoma, me dashuri dhe nderim dhe gjithmonë kemi besuar se Marija përfundoi në atë mënyrë barbare vetëm për fenë e saj në Krishtin dhe në Kishën”.

Imzot Frano Ilia, Arqipeshkëv i Shkodrës, në vitin 1994, duke vendosur një kryq (+) nën skedën e Mrije Tucit, na lë te kuptojmë se është e denjë për ta propozuar për kanonizim. Marije Tuci, që e ka mbyllur jetën e saj tokësore si Krishti, mbetet e vetmja grua shqiptare,kujtojmë se më 5 nëntor 2016, në Shkodër, së bashku me 37 martirë tjerë të Kishës katolike shqiptare, të kohës së diktaturës ateiste të komunizmit, e shpall e Lume.

Teksti është nga libri “Imzot Vinçenc Prennushi me shokë Martirë” përgatitur nga Atë Leonardo Di Pinto ofm, enti botues arqipeshkvia metropolitane Shkoder-Pult, 2016

24 tetor 2020, 10:29