Kërko

Vatican News

Kur ke frikë nga konfrontimi

Në Serbi, sulm kundër një festivali, që promovon marrëdhëniet me Kosovën. Artikull në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”

R.SH. - Vatikan

Disa militantë të së djathtës ekstreme serbe u përpoqën të sulmojnë pjesëmarrësit e festivalit “Mirëdita-Dobar Dan”, në ditën e hapjes së tij, më 22 tetor, në Beograd. Lajmi pasqyrohet sot, në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, me titullin “Kur ke frikë nga konfrontimi”. Në këtë lloj aksioni, shkruan gazeta, morën pjesë qindra manifestues, kryesisht ndjekës të partive politike serbe “Srpska Desnica” dhe “Srpska Stranka Zavetnici” – të dyja, të mirënjohura për qëndrimet ultrakonservatore e nacionaliste. Gjithsesi, policia serbe ndërhyri menjëherë, duke formuar një kordon rreth vendit, ku po zhvillohej festivali e, duke penguar kështu, hyrjen e militantëve.

Këta u ndalën jashtë zonës, duke hedhur parulla kundër pavarësisë së Kosovës dhe duke kërkuar dhunë kundër pjesëmarrësve të festivalit. Njëri nga militantët arriti të shmangte masat e sigurisë dhe të hipte në skenë, duke i marrë mikrofonin prezantueses së ngjarjes kulturore e duke protestuar me zë të lartë kundër festivalit. Policisë iu desh ta merrte nga këmbët e nga duart, për ta larguar nga skena.

Festivali “Mirëdita - Dobar Dan” mbahet çdo vit në Beograd, që nga 2014-a. Zakonisht, planifikohet për në qershor, por, këtë vit, u shty, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Qëllimi i takimit është të promovojë dialogun ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës, përmes shkëmbimit kulturor, në mënyrë që të përmirësohen marrëdhëniet shoqërore dhe politike ndërmjet dy vendeve.

Gazeta “L’Osservatore Romano” citon themeluesin e Takimit, Kushtrim Koliqi, i cili deklaron se është absurde që të rinjtë e të dyja vendeve ta njohin njëri-tjetrin vetëm përmes stereotipeve dhe paragjykimeve të të tjerëve. Ideuar dhe vënë në jetë nga tri organizata joqeveritare (kosovarja “Integra” dhe serbja “Nisma rinore për të drejtat e njeriut dhe iniciativat qytetare”), festivali përbëhet nga një sërë takimesh, shfaqje filmash dhe shfaqje teatrale të frymëzuara nga kultura kosovare.

Kjo nuk është hera e parë që festivali kërcënohet nga elementë agresivë. Edhe në edicionet e kaluara, ka pasur incidente të ndryshme dhe përplasje ndërmjet demonstruesve kundër festivalit e forcave të policisë serbe. “Fatkeqësisht, vitet kalojnë, por e njëjta skenë përsëritet çdo herë”, komenton Fiona Jelici, njëra nga organizatorët. Protestuesit pretendojnë se festivali është tejet i politizuar e mjet propagande i Partisë Progresive Serbe, aktualisht në pushtet.

27 tetor 2020, 16:01