Kërko

Vatican News
Papa Pio XII Papa Pio XII  

Enciklika ‘Summi Pontificatus’ e Piut XII kushtuar dinjitetit tё njeriut e kundër luftës

Enciklika ‘Summi Pontificatus’ e Papёs Piut XII mbi dinjitetin e njeriut e kundër luftës, botuar më 20 tetor 1939.

R.SH. - Vatikan

Si sot, më 20 tetor 1939 u botua Enciklika ‘Summi Pontificatus’ e Piut XII për dinjitetin e njeriut e kundër luftës. Kështu, Papa Piu XII nënshkruante enciklikën e tij të parë, Summi Pontificatus. E Eugjenio Paçelli ishte zgjedhur Papës në Katedrën e Shën Pjetrit vetëm prej disa muajsh e, prej disa javësh, me pushtimin nazist të Polonisë, kishte shpërthyer Lufta e Dytë Botërore.

Summi Pontificatus është enciklika parë e Papës Piu XII, botuar më 20 tetor 1939 me rastin e katërdhjetë vjetorit të shugurimit të tij meshtarak e të përkushtimit të njerëzimit Krishtit Mbret sipas vullnetit të paraardhësit të tij Papës Leonit XIII. Kjo Enciklikë dëshironte të ishte një dokument programatik i papnisë së Piut XII. Vendosi botëkuptimin e bashkëjetesës paqësore, që nuk ka vetëm domethënie negative të heqjes dorë nga dhuna, por edhe një domethënie pozitive të vëllazërimit ndërmjet njerëzve dhe popujve.

Dokumenti përfaqëson dënimin e prerë të totalitarizmave të asaj kohe, e në mënyrë të veçantë, të totalitarizmit nazist. Enciklika Summi Pontifalics (1939), bënë një bilanc të kohës së kaluar, e prezanton një konstatim të dhimbshëm: largimin e njerëzve nga feja; këndej fton popullin e Zotit në një përtëritje e kthim te zemra e Krishtit.

Një pjesë të rëndësishme të kësaj Enciklike programatike, Papa Piu XII ia kushton pikërisht temës së paqes e kundërvënies ndërmjet Krishterimit e totalitarizmit. Mbi këtë dokument, që edhe në realitetin e sotëm botëror mbetet jashtëzakonisht aktual, historiani nga Universiteti romak “La Sapienza” Françesko Malgjeri thotë:

Shpërthimi i luftës, e i kësaj lufte, që ishte luftë e lidhur me një vizion ideologjik, e bënë Papën të ndërhyjë me këtë enciklikë në të cilën, në një farë mënyre, ideja e paqes  është e lidhur edhe me refuzimin e idesë së totalitarizmave e saktësisht me idenë - tha atëherë Papa Piu XII - “e një botëkuptimi, që i jep Shtetit autoritet të pakufizuar”. E prandaj, pikërisht këtë vizion të totalitarizmit në Evropë e gjykon si element, që favorizonte konfliktet. Çështja ishte sidomos ajo e ripohimit të të drejtave të njerëzve, ajo e nevojës së një marrëveshje dhe të një bashkëjetese paqësore ndërmjet popujve”.

Në realitet, në enciklikën “Summi Pontificatus”, Papa Piu XII nënvizon këtë kundërvënie ndërmjet qytetërimit të dashurisë - qytetërimit të krishterë - dhe dhunës ideologjike të totalitarizmave.

Arsyeja që do të përsëritet edhe në dokumentet e mëvonshme të këtij pape - posaçërisht mendoj për radiomesazhet e tij për Krishtlindje, duke u nisur nga viti 1939 deri në vitin 1942, ku përvijohet plani i një bashkësie ndërkombëtare të frymëzuar pikërisht nga respektimi i drejtësisë, i së drejtës; mendoj për radiomesazhin, siç ishte edhe ai i vitit 1944, në të cilin kemi një thirrje të saktë mbi vlerën e demokracisë si një sistem i frymëzuar edhe nga vizioni i krishterë, i marrëdhënieve ndërmjet njerëzve e ndërmjet popujve”.

Kujtojmë se kjo enciklikë e Papës Piut XII, do të përdoret, ripohohet, aktualizohet edhe në magjisterin e papëve të mëvonshëm, nga Papa Gjoni i XXIII deri tek Papa Françesku.

20 tetor 2020, 09:20