Kërko

Vatican News

Çmimi Zayed 2021 për Vëllazërimin Njerëzor

Deri më 1 dhjetor, mund të sinjalizohen njerëz, shoqata dhe organizata të dalluara në promovimin e bashkëjetesës paqësore dhe të përparimit njerëzor, sipas kritereve të Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor për Paqen dhe Bashkëjetesën Botërore, nënshkruar në Abu Dabi nga Papa Françesku dhe Imami i Madh, al Tayeb.

R.SH. - Vatikan

Themeluar në vitin 2019, Çmimi Zayed për Vëllazërimin Njerëzor, - i pari iu dha Papës Françesku dhe Imamit të Madh të Al-Azharit, Ahmad al Tayyeb, për nënshkrimin e Dokumentit për Vëllazërimin në Abu Dabi, më 2019 – pranon tani kandidatura. Do të merren parasysh, thuhet në një komunikatë, ata, që “janë thellësisht të impenjuar në nisma, që i bashkojnë njerëzit dhe promovojnë bashkëjetesën paqësore”. Procesi i përzgjedhjes do të mbyllet më 1 dhjetor dhe fituesit (et) do të shpallen më 4 shkurt 2021. Çmimi është prej një milion dollarësh.

Impenjimi për bashkëjetesën paqësore

Çmimi u krijua në nder të shehut Zayed bin Sultan al Nahyan, themelues i Emirateve të Bashkuara Arabe, i cili dallohej për vlerat e përvujtërisë dhe të respektit për të tjerët. “Kandidaturat – lexohet në komunikatë - mund të paraqiten nga anëtarët e qeverisë, ish-krerët e shteteve, anëtarët e Gjykatës së Lartë, udhëheqësit e Kombeve të Bashkuara, personalitete akademike dhe kulturore kryesore, krerë të OJQ-ve ndërkombëtare dhe anëtarë të Komitetit për Vëllazërimin Njerëzor, që përfaqëson gjithë njerëzit, të cilët duan të jetojnë në frymën e bashkëjetesës paqësore dhe përbëhet nga udhëheqës fetarë ndërkombëtarë, studiues dhe personalitete të shquara të kulturës.

Gjykimi do të jepet nga një komision i përbërë nga ish-presidentja e Republikës së Afrikës Qendrore, Catherine Samba-Panza, ish-zv.presidenti i Republikës së Indonezisë, Muhammad Jusuf Kalla, ish-Guvernatorja e 27-të e Përgjithshme dhe Kryekomandantja e Kanadasë, Michaelle Jean, pastaj, nga kardinali Dominique Mamberti, prefekt i Gjykatës së lartë të Senjaturës Apostolike dhe së fundmi, nga Adama Dieng, ish-këshilltar i veçantë i OKB-së për parandalimin e gjenocidit.

20 tetor 2020, 14:27