Kërko

Vatican News

Unicef: çdo ditë, 14 mijë fëmijë vdesin pa arritur moshën 5 vjeç

Gjatë vitit 2019, numri i fëmijëve, që vdesin pa arritur moshën 5 vjeç, është më i ulti ndër të gjitha statistikat e regjistruara deri më sot. Në krahasim me 12,5 milion vdekjet e vitit 1990, vitin e kaluar u regjistruan 5,2 milion, mesatarisht, 14 mijë fëmijë në ditë. Pavarësisht se konsiderohet rezultat pozitiv, shifra globale, që tregon vdekshmërinë e fëmijëve në botë, mbetet tejet e madhe.

R.SH. - Vatikan

U bë i njohur sot raporti i Unicef-it (Fondi i OKB-së për Fëmijët), OBSH-së (Organizata Botërore e Shëndetësisë), Undesa-s ( Departamenti i OKB-së për Punët Ekonomike dhe Shoqërore) dhe Bankës Botërore për vdekshmërinë e fëmijëve në botë. Sipas tij, gjatë vitit 2019, numri i fëmijëve, që vdesin pa arritur moshën 5 vjeç, është më i ulti ndër të gjitha statistikat e regjistruara deri më sot. Në krahasim me 12,5 milion vdekjet e vitit 1990, vitin e kaluar u regjistruan 5,2 milion, mesatarisht, 14 mijë fëmijë në ditë. Pavarësisht se konsiderohet rezultat pozitiv, shifra globale, që tregon vdekshmërinë e fëmijëve në botë, mbetet tejet e madhe. Edhe pse, 7,4 milion fëmijë e adoleshentë kanë humbur jetën për shkaqe, që mund të parashikoheshin, ose për sëmundje, që mund të kurohen.

Koronavirusi e përkeqësoi gjendjen

          Kësaj gjendjeje i shtohen edhe rezultatet e studimit, që bëri kësaj vere, Unicef-i dhe OBSH-ja, nga i cili rezultoi se fëmijët kishin vështirësi të veçanta në periudhën e mbylljes për shkak të koronavirusit, si në aspektin shkollor, ashtu edhe në atë shëndetësor. Sipas përgjigjeve të ardhura nga 77 vendet, që morën pjesë në sondazh, shërbimi shëndetësor vështirësohet për disa arsye: prindërit shmangin qendrat shëndetësore nga frika e infektimit; transporti në disa vende është i kufizuar; në disa të tjera, shërbimi është pezulluar, ose bllokuar për mungesë pajisjesh; ka më pak punonjës shëndetësorë në punë, për shkak të frikës nga infektimi dhe mungesës së pajisjeve mbrojtëse personale, si maska ​​e doreza; e, së fundi, jo më pak e rëndësishme, vështirësitë e mëdha financiare bllokojnë investimet në shëndetësi, në shumë vende. Afganistani, Bolivia, Kameruni, Republika e Afrikës Qendrore, Libia, Madagaskari, Pakistani, Sudani dhe Jemeni janë ndër shtetet më të prekura.

Duhen përmirësuar shërbimet për nënat e foshnjat

          7 nga këto 9 vende kanë pasur një tregues të lartë vdekshmërie nën 5 vjeç, gjatë vitit 2019, me mbi 50 vdekje çdo 1000 lindje. Në Afganistan, ku humb jetën 1 ndër 17 fëmijë, para se të arrijë moshën 5 vjeç, Ministria e Shëndetësisë raporton ulje të konsiderueshme të vizitave në institucionet shëndetësore. Nga frika e koronavirusit, familjet nuk arrijnë t’i japin përparësi kujdesit për fëmijën, para dhe pas lindjes, duke rritur rrezikun e vdekjes për gratë shtatzëna dhe të porsalindurit. Raporti i organizatave të Kombeve të Bashkuara dhe sondazhet e tyre theksojnë nevojën për ndërhyrje urgjente në përmirësimin e shërbimeve për nënat e foshnjat, përfshirë praninë e profesionistëve të kualifikuar shëndetësorë, sidomos gjatë lindjes.

09 shtator 2020, 15:31