Kërko

Vatican News

Shpërthim i ri në portin e Bejrutit: flakët e tymi, në qiell

Një zjarr gjigant shpërtheu sot në portin e Bejrutit, i dyti, pas shpërthimeve shkatërrimtare të 4 gushtit. Video të shumta në mediat sociale tregojnë njerëzit, që largohen të tmerruar nga porti.

R.SH. - Vatikan

Diçka më shumë se një muaj pas shpërthimit, që shkaktoi pothuajse 200 viktima dhe një numër të panjohur njerëzish të zhdukur, porti i Bejrutit, në Liban, digjet përsëri. Një kolonë tymi i zi u ngrit sot, 10 shtator, pak pas mesditës, në qiellin e qytetit, siç dëshmojnë video dhe fotografi të shumta të publikuara në rrjetet shoqërore nga qytetarë të frikësuar. Operacionet e zjarrfikësve për të kontrolluar zjarrin vijojnë akoma.

Çfarë po digjet

         Tani për tani, nuk kuptohet akoma sa është përhapur zjarri dhe çfarë e shkaktoi atë. Sipas mediave lokale, flakët filluan në një depo me goma makinash, burime të tjera flasin për vajra bimore. Ushtria libaneze u ka kërkuar banorëve të largohen nga zona. “Nuk ka rrezik shpërthimi dhe nuk ka të plagosur, përveç disa rasteve me vështirësi në frymëmarrje”, njofton kryetari i Kryqit të Kuq Libanez, cituar nga gazeta “Daily Star”.

Fatkeqësia shkatërrimtare e 4 gushtit

         Shpërthimi i muajit të kaluar, më 4 gusht, shkaktoi vdekjen e gati dyqind vetëve dhe plagosjen e mijëra të tjerëve. Sidomos forca e shpërthimit të dytë përmbysi makinat dhe shkatërroi ndërtesat me strukturë çeliku. Në zonën e portit, një pjesë e bregdetit u shkatërrua plotësisht. Deri në dhjetë kilometra larg, shtëpitë u dëmtuan nga shpërthimi dhe më se 300.000 vetë mbetën pa strehë. Sipas qeverisë libaneze, kapanoni i dytë më i madh i grurit në qytet u shkatërrua, duke e shtuar mungesën e ushqimit, të shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe nga kriza e rëndë financiare. Kostoja për riparimin e dëmeve e kalon 10 miliard dollarëshin.

Dita e lutjes së Papës

         Gjatë javëve të fundit, Papa është lutur shumë për Libanin, duke e inkurajuar popullin të gjejë energjitë për të rifilluar. Françesku u kërkoi politikanëve dhe krerëve fetarë të “kujdesen për të mirën e përbashkët dhe të impenjohen me sinqeritet e transparencë në rindërtimin e vendit”. “Guxim, vëllezër! Feja dhe lutja, u bëfshin forca juaj. Mos i braktisni shtëpitë dhe trashëgiminë tuaj, mos e zhgënjeni ëndrrën e atyre, që besuan në të ardhmen e një vendi të bukur dhe të begatë”: me këto fjalë iu drejtua Ati i Shenjtë libanezëve, kur njoftoi ditën e lutjes për Libanin, mbajtur këtë 4 shtator.

10 shtator 2020, 15:41