Kërko

 Stema e OKB-së Stema e OKB-së 

OKB-ja, prej 75-vjetësh, në kërkim të paqes

Nga 21 deri më 29 shtator do zhvillohet, posaçërisht në nivel virtual, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Takimi mbahet me rastin e 75-vjetorit të themelimit të institucionit të Kombeve të Bashkuara. Flasin, në një videomesazh, edhe kardinali Parolin e Papa Françesku.

R. SH. - Vatikan

Ishte data 24 tetor 1945 kur, në San Francisco, një grup i parë vendesh, themelonte Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Pas dy luftërave shkatrrimtare botërore, bota mbarë kishte etje për paqen. Donte të rindërtonte. Dëshironte mirëqenien globale. E pikërisht lufta për paqen ishte në qendër të vëmendjes së OKB-së,  që në çastet e para të krijimit.

Që asokohe kanë kaluar 75 vjet. Bota nuk është më, ajo që ishte. E as Pallati i Qelqit, me seli në Nev York, nuk është më ai i pari. Duket si i përhitur nga rregullat e kohëve, që nuk janë më e që shpesh e pengojnë organizatën botërore të ndërhyjë me sukses në shumë kriza, që vijojë të ndizen e të shuhen në të katër ane botës së madhe! Gjithnjë me pasoja!

Pas 75 vjetësh, duhet rishikuar ekulibri i brëndshëm

Në këtë 75-vjetor Asambleja e Përgjithshme, në të cilën, sipas njoftimit dhënë gazetarëve nga drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, Papa Françesku do të marrë pjesë me një videomesazh. E do ta marrë fjalën edhe sekretari i Shtetit vatikanas, kardinali Pietro Parolin, duke u ndaluar, besohet, tek çështjet organizative, të domosdoshme për t’i krijuar OKB-së kushtet që të mbetet edhe sot e kësaj dite inkurajuese e paqes në Botë.   

Objektivat, dje e sot

Objektivat  e OKB-së, 75-vjet pas themelimit, janë të njëjta, me vlerë edhe për ditët tona, por ndoshta duhet punuar për reformimin e për t’u garantuar më shumë mundësi përfaqësimi vendeve anëtare, objektiv që kërkon të mos dëgjohet vetëm zëri i “pesë fuqive të mëdha”, anëtare të Këshillit të Sigurimit, e të mos harrohet se edhe shtetet e tjera kanë zërin e tyre e aftësinë për ta ngritur në Logun e Kuvendit të Kombeve të mbarë botës!

21 shtator 2020, 13:22