Kërko

Vatican News
 Rilindje! Rilindje! 

Nuk ka vdekje, ka vetëm jetë!

Nga koha kur njerëzimi nisi të mendojë vetëm për jetën, u kalua rrufeshëm në kohën kur i duhet të mendojë edhe për vdekjen, e cila endet në shtigjet e botës së madhe, pa përjashtuar asnjë vend, asnjë njeri… Sot quhet Covid-19… Po a ka me të vërtetë vdekje?

R. SH. - Vatikan

Pikërisht kur banorët e botës  “moderne” bënin çmos ta harronin se jeta ka një fund - ia behu vdekja. Erdhi me çap të pandjeshëm e nisi kositjen e livadhit të jetës. Atëherë, dashka pa dashka, ia nisi meditimi. E njerëzit u kthyen tek traditat sapienciale, që pohojnë se pa vetëdijen e vdekjes, nuk ka vetëdije jete. E kishin harruar plotësisht këtë art, edhe pse një mori studimesh shkencore i siguronin se mohimi i vdekjes nuk e fashit aspak  ankthin e fundit, madje e shton edhe më shumë. Kur beson vetëm në jetën tokësore!

Bëjmë mirë, prandaj, t’i rishfletojmë me kujdes Profetët, Shenjtorët, Filozofët e lashtë: na ftojnë  të mos e harrojmë vdekjen, por edhe të mos e e kemi frikë e ta duam jetën deri në çastin e fundit… Me sytë drejtuar nga qielli. E kështu - ndoshta- do të zbulojmë se nuk ka vdekje. Se ka vetëm jetë! Se frika nga vdekja është më e keqe se vetë vdekja. E se jeta është fëmijëria a amshimit!

Dita që druhemi se mund të jetë e mbramja, është ditëlindja jonë në amshim! Vdekja nuk është  gjumi i fundit. Eshtë rizgjimi i fundit. Prandaj jeto, si do të kishe dëshiruar të jetosh, i shtrirë në shtratin e vdekjes! Në prag të gjumit të fundit, të pret zgjimi i pambaruar!

14 shtator 2020, 09:26