Kërko

Vatican News

11 shtator 2001, atentati terrorist kundër Kullave Binjake

Si sot, 19 vite më parë, sulmi terrorist kundër Kullave Binjake, më 11 shtator 2001, shkaktoi një masakër të vërtetë.

R.SH. - Vatikan

Kanë kaluar 19 vite nga sulmi i tmerrshëm terrorist, që e zhyti Nju Jorkun në njërën nga ditët më të zeza në historinë e botës. Ishte ora 8.46 e mëngjesit, 11 shtator 2001, kur avioni i parë u përplas mbi të parën prej dy Kullave Binjake. Shpërthimi i avionit të dytë në Kullën tjetër ndodhi në orën 9.03 të mëngjesit. U duk qartë menjëherë se të dy aeroplanët ishin rrëmbyer nga terroristët e Al Kaedës, me në krye Osama Bin Ladenin. Kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë në Manhatan, të përfshira krejtësisht nga zjarri, u shembën brenda pak orësh. Një aeroplan i tretë u përplas në Pentagon. I katërti, i drejtuar kundër Shtëpisë së Bardhë në Uashington, u rrëzua në një fushë afër Shanksville, pasi pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit arritën ta devijonin. Në sulmin kundër Kullave Binjake, humbën jetën 2752 vetë, përfshirë 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Shumica e viktimave ishin civilë nga 70 kombësi të ndryshme. Pasojat qenë të rënda për gjithë botën e sidomos, SHBA-të, u përfshinë në luftën e ashpër kundër “terrorizmit”.

11 shtatori, në vitin e pandemisë

         Sivjet, kur pandemia e koronavirusit i ka ndryshuar ritualet e panumërta amerikane, edhe përkujtimi i 11 shtatorit bëhet në një mënyrë të veçantë. 19-vjetori i sulmeve terroriste përkujtohet me dy ceremoni në Sheshin e Memories, pranë Qendrës Botërore të Tregtisë, pa lexuar emrat e viktimave, si çdo vit. Merr pjesë zv.presidenti Mike Pence, ndërsa presidenti Donald Trump dhe sfiduesi demokrat Joe Biden udhëtojnë për në Memorialin Kombëtar në Pensilvani. Me vetëdijen se në një çast të vetëm, jeta mund të shuhet papritmas, njerëzimi po përjeton një kohë tjetër, pas së cilës – ashtu siç ndodhi pas atentateve të 11 shtatorit 2001 – jeta mund të ndryshojë rrënjësisht e të mos rrjedhë si më parë. Nëse ka një mësim prej këtyre ngjarjeve, në të përmbahet pa dyshim edhe rëndësia për të vënë në qendër të kësaj jete çka është vërtet kryesore e themelore, duke jetuar çdo çast pa e konsideruar thjesht “kalimtar”.

11 shtator 2020, 10:52