Kërko

Vatican News
 Shpërthimi i bombës në Hiroshimë Shpërthimi i bombës në Hiroshimë  (ANSA)

Shpërthimi në Hiroshimë e Nagasaki, në kujtimet e dëshmitarëve

Ditë kujtimesh të hidhura, e jo vetëm për Japoninë, dita kur përkujtohet me dhimbje të thellë shpërthimi i bombës së dytë atomike, mbi Nagasakin, pasi kishte bërë kërdinë mbi Hiroshimën, 75 vjet më parë. Kujtimet e të shpëtuarve nga katastrofa…

R. SH. - Vatikan

Ditë kujtimesh të hidhura, e jo vetëm për Japoninë, dita kur përkujtohet me dhimbje të thellë shpërthimi i bombës së dytë atomike, mbi Nagasakin, pasi kishte bërë kërdinë mbi Hiroshimën, 75 vjet më parë. Kujtimet e të shpëtuarve nga katastrofa…

Shpërthimi në Hiroshimë e Nagasaki, në kujtimet e dëshmitarëve    

Ndërmjet dëshmitarëve, që e panë me sy tragjedinë bërthamore, ishte edhe Atë Pedro Arrupe (1907-1991), i zgjedhur më 1965 Epror i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit. Më 6 gusht 1945 ndodhej në gjirin e bashkësisë rregulltare, në rrethinat e Hiroshimës. “Isha në dhomën time me një meshtar tjetër, rreth orës 08.15 - shkroi më pas, duke e kujtuar atë ditë – kur, pa pritur, pamë një dritë verbuese, si vezullim magnezi. Sapo hapëm portën e ndërtesës, që ngrihet mbi qytetin, dëgjuam një shpërthim të hatashën, të ngjashëm me atë të shtjellës së një urgani. Atë ças vërejtëm, të tmerruar, portat, dritaret e muret që lëkundeshin e binin mbi kokat tona. U ngjitëm vrap në kodër, për të dalluar më mirë ç’po ndodhte. Prej aty pamë si na shembej gjithçka nën këmbë. Kërkuam ndonjë shteg për të hyrë në qytet, por ishte e pamundur. Atëhere bëmë çka mund të bëhej në praninë e kësaj kasaphane në masë: ramë në gjunjë e u lutëm që të kishim një Prijës, sepse në ato çaste mungonte çdo ndihmë njerëzore”.

Shpërthimi mbi katedrale, në kujtimet e kirurgut Paolo Takashi Nagai

Ndërmjet dëshmitarëve të shpërthimit bërthamor mbi Nagasaki, ishte edhe kirurgu e radiologu Paolo Takashi Nagai (1908-1951). “Mëngjesin e 9 gushtit 1945 – kujton - isha në vendin tim të punës, jo larg epiqendrës së shpërthimit. Bomba e goditi në zemër lagjen katolike. Atë ditë të zezë katedralja ishte përplot me besimtarë, në radhë para rrëfyestoreve. Përgatiteshin për Solemnitetin e Zojës së Ngjitur në Qiell, atë ditë, pa e menduar se pas pak do të ndiqnin rrugën e Marisë. Pas shpërthimit, u ktheva me vrap në shtëpinë e time. Ndërmjet gërmadhave, gjeta trupin e copëtuar të gruas, Midori. Ndër duart e saj ndriste diçka: rruzarja me kryqin. E ndërmjet gërmadhave të katedrales u gjend edhe kumbona, mrekullisht e paprekur. Do t’i dëgjohej përsëri zëri vetëm pak muaj më vonë, natën e Krishtlindjes. “As Bomba atomike - pati shkruar Nagai - nuk mundi t’i bëjë të heshtin kumbonët e Zotit!”.

Një gur i zi dhe gërmadhat e katedrales

Në pikën ku ra bomba atomike e 9 gushtit 1945 mbi Nagasakin, një shtyllë e zezë të kujton epiqendrën e shpërthimit. Jo larg saj janë ende gërmadhat e katedrales së Urakamit. Pa rënë ende bomba, ishte kisha më e madhe e Azisë Lindore. Ndërsa mbi kodrën pranë Hypocenter Park, ngrihet Muzeu i Bombës së Nagasakit. Vijon të flasë për tmerret e luftës, përmes pamjeve e dëshmive tejet prekëse.

Françesku nga Nagasaki: thirrje për një botë pa armë bërthamore

Nga Nagasaki, më 24 nëntor 2019, nësa vizitonte Atomic Bomb Hypocenter Park, Papa bëri përsëri thirrje për një botë pa armë bërthamore:

“Paqja dhe stabiliteti  ndërkombëtar - nënvizoi - nuk mund të pajtohen  me asnjë përpjekje për të ndërtuar mbi frikën reciproke, mbi shkatërrimin a kërcënimin për zhdukjen e plotë të Planetit me gjithë banorët e tij. Mund të  pajtohen vetëm me etikën globale të solidaritetit e të bashkëpunimit të mbarë familjes njerëzore, në shërbim të ardhmërisë”.

07 gusht 2020, 10:50