Kërko

Vatican News

Verë misionesh në hapësirë: në kërkim të jetës në Mars

Emiratet e Bashkuara Arabe, Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës: tre misione, që gjatë kësaj vere, synojnë të arrijnë Planetin e Kuq, për t’i studiuar atmosferën dhe për të vazhduar hetimet mbi mundësinë e ekzistencës së jetës. Kufij të rinj drejt përparimit dhe drejt përgjigjes për shumë çështje të pazgjidhura.

R.SH. - Vatikan

Vetëm pak ditë larg njëri-tjetrit, tre misione të rëndësishme nisen për në Mars gjatë verës, duke shfrytëzuar pozicionin më të mirë të mundshëm ndërmjet tij dhe Tokës, që përsëritet çdo dy vite. Misioni i parë, që u nis natën ndërmjet 19 e 20 korrikut ishte “Hope (Shpresa)”, i Qendrës Kozmike Mohammed Bin Rashid të Dubait, në bashkëpunim me disa institute të huaja. Anija doli me sukses në orbitë nga ishulli Tanegashima i Japonisë; i dyti do të jetë misioni kinez “Tianwen”, planifikuar ndërmjet 20 dhe 25 korrikut nga Kozmodromi Wenchang, me qëllim fotografimin dhe studimin e sipërfaqes së Planetit të Kuq; ndjekur nga misioni i SHBA-ve “Perseverance (Këmbëngulja)”, që, ka shumë mundësi të niset më 30 korrik nga Qendra Kozmike Kennedy, për studimin e kampioneve të tokës dhe të shkëmbinjve, që të nxirret në pah çdo mikrofosil, i cili mund të dëshmojë për gjurmët e jetës në Mars. Për Kinën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kjo është përpjekja e parë për të nisur një mision në Mars.

“Hope”, shpresa e Emirateve

Veçanërisht, misioni “Hope” rreth Planetit të Kuq është diçka e paparë deri tani, me objektiva të larta shkencore, që, pa dyshim, do të kontribuojnë në njohjen më të mirë të Marsit nga një orbitë e papërdorur kurrë më parë nga ndonjë sondë tjetër. “Hope” do të udhëtojë për 493.5 milion kilometra për të arritur në Mars në vitin 2021, vit në të cilin Emiratet do të festojnë përvjetorin e pesëdhjetë të themelimit të tyre. Misioni synon të studiojë dinamikën e atmosferës dhe të vrojtojë ndryshimet klimatike në planet, në mënyrë që të vërejë sezonet, retë dhe stuhitë e pluhurit, nga muaji në muaj. Nëse misioni do të zgjatet, ky studim do të vazhdojë së paku për dy vite. Një vizion i plotë, pra, që mund të sigurohet për herë të parë.

Jo vetëm naftë e turizëm

 Por “Hope” bën pjesë edhe në një kuadër më të gjerë, që synon të “përgatisë 50 vitet e ardhshme për Emiratet e Bashkuara Arabe”, të cilët dëshirojnë ta ndryshojnë disi ekonominë e varur tej mase nga nafta dhe turizmi, shpjegon Sarah Al Amiri, zv.drejtor i projektit. 50 vitet e kaluara, pohon ai, na kanë shërbyer “për të ndërtuar të gjitha infrastrukturat. Nesër, qëllimi është t’u sigurojmë begatinë Emirateve të Bashkuara Arabe, duke u mbështetur “në arsim, shkencë dhe sidomos në teknologji”. Ndërkaq, drejtori i projektit “Emirates Mars Mission”, Omran Sharaf, u flet të rinjve me një videomesazh në Twitter. “Misioni i Emirateve në Mars - nënvizon ai - është mesazh shprese për të rinjtë arabë. Nëse një vend rinor si Emiratet e Bashkuara Arabe është në gjendje të arrijë Marsin në më pak se 50 vite, atëherë, mund të bëjmë shumë më tepër si rajon”.

Intervista me atë Gabriele Gionti-n, jezuit

Interes i përbashkët dhe i nivelit të lartë, ky për Planetin e Kuq dhe, në përgjithësi, për misionet kozmike, që kanë si bazë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e njohurive, pavarësisht nga origjina e studiuesve. Duket se në qiell punohet më mirë se në Tokë! Në mikrofonin tonë, atë Gabriele Gionti, jezuit dhe kozmolog i Observatorit të Vatikanit (Specola Vaticana), një nga më të vjetrit në botë, me qendër në Castel Gandolfo, njëkohësisht, institut kërkimor-shkencor i Selisë së Shenjtë. “Përparimi shkencor nuk mund të ekzistojë pa bashkëpunimin ndërkombëtar, kemi hyrë në një fazë të re në këtë fushë dhe e shohim përditë”. Por ç’dimë deri tani për Planetin e Kuq?

  Gjëja më interesante e Planetit të Kuq është fakti se mund të ketë gjurmë jete. Tani duhet ta kuptojmë nëse ato ekzistojnë dhe cilat janë; e, pastaj, kur do të arrijmë ta dërgojmë edhe njeriun në Mars, kjo është pyetja tjetër e madhe...

Pse është kaq e rëndësishme prania e njeriut?

  Po mendoni për faktin sa është e vështirë që, për sa dimë deri tani, një makinë t’i bëjë vetë eksperimentet… Mendoni vetëm për këtë dhe do ta kuptoni sa e rëndësishme është prania e njeriut.

Duke studiuar Marsin, a mund t’u japim përgjigje edhe çështjeve, që na shqetësojnë në Tokë, si atyre ambientale, problemit të burimeve dhe të mbijetesës së planetit tonë…

Do të thosha, jo drejtpërdrejt. Sigurisht, mund të studiojmë si është planeti dhe si është atmosfera e, prej këndej, të bëjmë kërkime të tjera për t’i zgjeruar njohuritë dhe për të kuptuar më mirë edhe planetin tonë e gjithçka ndodh në Tokë. Por, është fjala për atmosferë dhe kushte të tjera fizike e kimike. Gjithsesi, në hapësirën kozmike mund të bëhen eksperimente shkencore, që nuk arrijmë t’i bëjmë në tokë. Prandaj, nga misionet kozmike mbërrijnë rezultate teknologjike të rëndësishme, pikërisht, për shkak të kushteve të tjera fizike. Për shembull, kohët e fundit, kemi arritur të prodhojmë një aliazh të rëndësishëm, që nuk arrinim ta realizonim në Tokë. Në këtë kuptim mund të flitet për ndikim të drejtpërdrejtë në jetën tonë të përditshme.

Këtë verë misionet kozmike nisen nga Emiratet Arabe, por edhe nga Kina e nga SHBA-të. Studimi i universit duket se i bashkon njerëzit më shumë se politika…

Sigurisht që në shkencë jemi para një epoke të re, në të cilën vërejmë se për të bërë hapa përpara, duhet të shkëmbejmë njohuritë. Askush nuk mund të ëndërrojë në këtë çast, të zhvillojë një program kozmik krejësisht i vetëm, prandaj, kjo nxit për bashkëpunimin, që mungon në fusha të tjera. Por ekziston për misionet e mëdha shkencore, sepse nuk mund të bëhet ndryshe, siç e shohim përditë.

21 korrik 2020, 08:25