Kërko

Marussia -Dante Marussia -Dante 

Varri i Dantes

Duke kujtuar 700-vjetorin e vdekjes së Dantes, nuk ka sesi të mos na shkojë mendja te varri i Poetit të Komedisë Hyjnore. Si jeta, vdekja e, me të, edhe varri! Me ndërlikime të mëdha, me eshtra që lëvizen nga një vend në tjetrin, me kërkime e mohime për një shtegtim të ri, nga Ravena, ku thuhet se vijon të bëjë gjumin e mbramë, në Firence e tij që, sa ishte gjallë e dëboi, ndërsa tani, që është i vdekur, e do! Gjë që na kujton një thënie popullore shqiptare: “Vdis, pa të të dua!”.

R. SH. - Vatikan

Varri i Dantes, e di gjithë bota, ndodhet në Ravenë të Italisë, po vendlindja e tij, Firence, që deshi ta djegë mbi turrë të druve, që e detyroi “të ngjitë e të zbresë shkallët e huaja, për një strehë e një copë bukë”, tani e do. Po Ravena  nuk e lëshon. Ndeshja ndërmjet dy qyteteve për të vdekurin e kunoruar me dafina,  nisi që kur ishte ende gjallë Mikelangjelo Buonarroti, biri tjetër gjenial i qytetit të shquar italian.

Në vitet  ‘500, një delegacion nga Firence u nis e shkoi në Ravenë për t’i marrë eshtrat e Poetit. Shkonte si përfaqësues i popullit - e dhe i Mikelangjelos, po aq i famshëm sa Poeti i Komedisë, që po projektonte një varr monumental për Danten, kur të rikthehej me lavdi në vendlindje, prej nga kishte ikur nga sytë këmbët. I gjallë nuk e pa kurrë më Firencen e tij, A do ta shkelte përsëri i vdekur?

Sapo arriti në Ravenë, delegacioni hapi menjëherë sarkofagun e të Shuarit të madh. Ishte bosh!

Fretërit françeskanë, që i ruanin si sytë e ballit  reliket  e famshme, kishin bërë një vrimë në murin e varrit dhe i kishin mbartur eshtrat në një vend të sigurt, në kiostrin e kuvendit. E vijuan t’i mbartnin e t’i fshihnin jo një herë, por shumë herë, sidomos kur trupat e Napoleon Bonapartit, që shkelën në trojet italiane, i kërkonin eshtrat, për t’i vendosur si trofe në Francë. Më në fund, kur Italia u  bashkua, Dante u kthye rishtas në varrin e vet, në Ravenë!

Firences i mbeti, për kujtim, cenotafi - dmth varri bosh monumental, në Kishën e famshme Santa Croce e edhe një shtatore madhe, në sheshin para  Kishës. Ndonëse nuk ka hequr aspak dorë nga eshtrat e atij, të cilin deshi ta digjte, që e shau, e detyroi të arratisej dhe e la të vdiste nga malarja e të varrosej në Ravenë. Ndaj banorët e qytetit mikpritës, gjatë njërës nga përmbytjet më të mëdha të Firences, që e mbyti gjithë qytetin në baltë, iu përgjigjën kërkimit të përsëritur të eshtrave nga ana e fiorentinëve, me një këngë, vënë në gojën e Dantes, me refrenin:

“O Firence, që më dhe udhët kot së koti,

merre tashti m…, që ta dërgoi vetë Zoti!”.

Varri vigan - cenotafi - bosh e shtatorja e Dantes në Oborr të Santa Croces,  janë  simbole të dëshirës së zjarrtë të fiorentinëve për ta  pasur përsëri në gjirin e tyre Birin e vet të madh, duke e kthyer përgjithmonë mes të vetëve, me rastin e 700-vjetorit të vdekjes.

Do të pranojë të kthehet?

Do të kthehet Ai, e bijtë e tjerë të mëdhenj të kombeve të ndryshme, mbetur në dhena të huaja, ku nuk mund të pushojnë në paqe…???

17 korrik 2020, 12:08