Kërko

Vatican News

U shua në Egjipt, “mjeku i të varfërve”

Zi në botën myslimane dhe jo vetëm në të, për vdekjen e 76-vjeçarit Mohamed Mashali, njeri zemërgjerë, që për gjysmë shekulli, në klinikën e tij në Tanta, mjekoi qindra të varfër, duke kërkuar shuma jashtëzakonisht të vogla të hollash e nganjëherë, duke i ndihmuar nga xhepi i vet ata, që jetonin në mjerim.

R.SH. - Vatikan

Nga ora 9 deri më 19, dhjetë orë shprese. Këto ke në dispozicion, nëse je i sëmurë dhe duhet të zgjedhësh si t’i shpenzosh ato pak para, për mjekun apo për të ngrënë. Në Tanta, qytet në Deltën e Nilit, në ato dhjetë orë kishte shpresë për shërim, pa vdekur urie. E nuk numërohen të mjerët, që ia kanë borxh jetën atij, që e bënte reale këtë shpresë, doktorit Mohamed Mashali, i njohur si “mjeku i të varfërve”. Që nga 28 korriku, dita e vdekjes së tij, njerëzit nuk reshtin s’e kujtuar për altruizmin e jashtëzakonshëm, nxjerrë në pah edhe më shumë nga heshtja e një jete tejet të thjeshtë, që nuk zuri faqet e para të gazetave, por u bë virale përmes tam-tamit të mediave shoqërore.

Nëse s’mundesh, është falas

Në mbi 50 vjet – që filluan me diplomën universitare në vitin 1967 dhe vijuan me hapjen e klinikës private më 1975 - turma të varfërish trokitën në derën e tij. Myslimanë, të krishterë, nuk bëri asnjë dallim. Edhe kohët e fundit, pavarësisht se i moshuar, vizitonte 30 deri 50 pacientë në ditë, duke u kërkuar 5-10 paund egjiptianë, ekuivalentin e 30-60 cent të një dollari. E nëse dikush nuk mund të paguante, vizita ishte falas. Falas ishin edhe vaksinat e ilaçet, që ua shpërndau atyre, që nuk mund t’i paguanin.

Çfarë e bën të ndryshme një jetë

Shpirt fisnik, që nuk i pëlqente të dukej, ashtu si të gjithë bamirësve të vërtetë. Kishte nga të mësonte. Në një nga intervistat e rralla, Mohamed Mashali pati thënë se e zgjodhi këtë rrugë, sepse u prek nga sakrificat e familjes së tij për ta bërë mjek. Dhe shumë nga tëeet-et, që po mbushin internetin, kujtojnë një episod të veçantë. I duhej të kuronte një fëmijë diabetik, por zbulon se e ëma nuk ishte në gjendje t’i blinte insulinë, përndryshe nuk mund të ushqente fëmijët e tjerë. Paratë i nxorri nga xhepi i vet mjeku i mirë. E shembujt janë të shumtë. Zv.presidenti e kryeministri i Emirateve të Bashkuara Arabe shkruan për të në Tëitter: “Ishte krijues i një lloji tjetër shprese”. Ajo, do të shtonim ne, që nga ora 9 deri në orën 19 të çdo dite, bashkë me korpin shëronte edhe shpirtin.

31 korrik 2020, 14:29