Kërko

Vatican News
HEALTH-CORONAVIRUS/PALMSUNDAY-JERUSALEM HEALTH-CORONAVIRUS/PALMSUNDAY-JERUSALEM 

Toka e shenjtë, mungesa e shtegtarëve nuk e shuan shpresën

Kryeipeshkvi Pierbattista Pizzaballa, administrator apostolik i Patriarkatit Latin të Jerusalemit, tregon gjendjen shpirtërore të Kishës e cila mbështet me lutje dhe bamirësi mijëra familje qё janё vënë në krizë nga pandemia: "Ne jemi në tokën ku ёshtё rritur Jezusi dhe jemi ne që duhet të kultivojmë e mbajmë vështrimin pashkor të jetës, që përbëhet nga kryqi, por edhe nga ringjallja”.

R.SH. - Vatikan

"Shtegtarët në Tokën e Shenjtë pothuajse janë ndalur krejtësisht". Kryeipeshkvi Pierbattista Pizzaballa, administrator apostolik i Patriarkatit Latin të Jerusalemit, shpjegon me dhimbje se urgjenca e shkaktuar nga pandemia, e cila nё realitet vazhdon ta bëjë të pamundur arritjen e besimtarëve e tё shtegtarëve:" Së pari, sepse kufijtë janë ende të mbyllur. Pastaj, shumica e vendeve me të cilat ka ende marrëdhënie, kërkojnë karantinë e kjo natyrisht e shkurajon shtegtimin e besimtarëve. Kёsaj, pastaj, i duhet shtuar fakti se javën e fundit, në Izrael dhe nё Palestinё, ka pasur një valë të dytë me rritjen e infektimeve nga kovid-19, çka i ka trembur me të vërtetë shtegtimet e besimtarëve nё Tokёn e Shenjtё".

Virusi nuk e fshin lutjen

Njё provё e vështirë e fesё në këto vende të shenjta është gjithashtu fakti se në shumë raste meshtarët ende janë të detyruar t’i transmetojnë kremtimet liturgjike online dhe të takohen me besimtarët vetëm nëpërmjet mediave sociale. Por kjo, siguron kryeipeshkvi Pizzaballa, mundёson tё mos mungojë forca e lutjes: "Jemi në Lindje dhe në Lindje ekziston një Kishë tradicionale - në kuptimin e mirё të fjalës - ku pjesëmarrja në liturgji ndjehet shumë nga besimtarët. Një nga problemet aktuale të familjeve është fakti që nuk kanё mundёsi të marrin pjesë, ose të marrin pjesë në një mënyrë të kufizuar, në kremtimet liturgjike: për t’ua lehtësuar sadopak kёtё vështirësi, barinjtë shpirtërorë, famullitarёt tanë janë pajisur me mjete tё ndryshme për t’i mbajtur konkretisht format alternative tё lutjes, pёr t’i vizituar familjet aty ku është e mundur, për t’i formuar krerët e familjeve nё mësimin e fesё, në mënyrë që ata pastaj të mund t’u sjellin  familjeve e tё gjithëve afërsinë dhe pjesëmarrjen e meshtarëve, sidomos nё ato familje kur meshtari nuk ka mundёsi për t’i vizituar nё vend. Nё kёtё situatë, lutja, pa asnjë dyshim, është absolutisht një mbështetje e domosdoshme njerëzore dhe shpirtërore.

09 korrik 2020, 13:42