Kërko

Vatican News

Ndërroi jetë, në moshën 91-vjeçare, kompozitori i madh Ennio Morricone

Ishte i shtruar në një klinikë në Romë. Pati marrë Medaljen e Artë të Papnisë, nga Papa Françesku, në vitin 2019.

R.SH. - Vatikan

Ndërroi jetë në Romë, në moshën 91-vjeçare, muzikanti dhe kompozitori Ennio Morricone, një nga protagonistët më të shquar të muzikës së filmave, në historinë e kinemasë. Këto ditë ishte i shtruar në një klinikë në kryeqytetin italian, për shkak se kishte rënë dhe kishte thyer femurin. Jeta e tij perëndoi në të lindur të diellit “me të gjitha ngushëllimet e fesë”, njoftohet në një notë të mikut dhe të avokatit të tij, Giorgio Assumma. Mjeshtri “ruajti deri në fund kthjelltësinë e plotë mendore dhe dinjitetin e madh. Përshëndeti gruan e tij të dashur, Marinë, e cila e ka shoqëruar me përkushtim në çdo çast të jetës së tij njerëzore dhe profesionale, duke i qëndruar pranë deri në frymën e fundit”. Funerali do të kremtohet në formë private “në respekt të ndjenjës së përvujtërisë, që i pati frymëzuar gjithnjë aktet e jetës së tij”.

Ndërmjet muzikës dhe fesë

 Pazgjidhshmërisht i lidhur me filmat e regjizorit italian Sergio Leone, gjatë gjithë karrierës, ka kompozuar më se 500 kolona zanore për filma të ndryshëm, ndër të cilët, të famshmit “Nuovo Cinema Paradiso” dhe “Mission”. Çmim Oskar për karrierën, në vitin 2007 dhe për muzikën e filmit “The Hateful Eight” (Tetë të urryerit) të regjizorit amerikan Quentin Tarantino, në vitin 2016. Pati marrë nga Papa Françesku, në vitin 2019, Medaljen e Artë të Papnisë, “për impenjimin e tij të jashtëzakonshëm artistik, që pati edhe aspekte me natyrë fetare”. Vetëm disa muaj pas asaj ngjarjeje, i pati dhënë lamtumirën skenës. Por jo më shumë se pak kohë më vonë, pati pranuar papritur të dirigjonte një koncert në Sallën Pali VI në Vatikan, më 2020. “Nuk mund të mos pranoja”, qenë fjalët e tij atëherë, por fatkeqësisht, nuk ia arriti.

06 korrik 2020, 10:58