Kërko

Vatican News
"Fjalori latinisht - shqip" dhe "Skënderbeu" dy vepra të Imzot Frang Bardhit "Fjalori latinisht - shqip" dhe "Skënderbeu" dy vepra të Imzot Frang Bardhit 

Imzot Frang Bardhi, në përvjetorin e vdekjes

Më 1 korrik të vitit 1643 ndërroi jetë ipeshkvi shqiptar imzot Frang Bardhi, shkrimtar i letërsisë së vjetër shqiptare. Imzot Frang Bardhi, i përket aradhes së atyre priftërinjve e ipeshkvijve shqiptarë, të cilët duke kultivuar gjuhën shqipe kishin si synim shpëtimin e kombit nga asgjësimi e falimentimi politik e fetar.

R.SH. - Vatikan

Imzot Frang Bardhi, ipeshkëv, shkrimtar i letërsisë së vjetër shqipe dhe luftëtar i patrembur për çlirimin e popullit shqiptar nga pushtuesi osman, në përvjetorin e vdekjes.  Imzot Frang Bardhi ndërroi jetë si sot, më 1 korrik të vitit 1643. Ipeshkvi shqiptar i përket aradhes së atyre priftërinjve e ipeshkvijve shqiptarë, të cilët, duke kultivuar gjuhën shqipe e ushqyer shpirtin, kishin si synim shpëtimin e kombit nga asgjësimi e falimentimi politik e fetar.

Imzot Frang Bardhi lindi në Kallmet të Zadrimës në vitin 1606. Studioi në kolegjin kishtar të Loretos në Itali dhe në atë të Propaganda Fides të Vatikanit në Romë. U emërua ipeshkëv në dioqezën e Sapës. Krahas misionit e punës meshtarake e pastaj ipeshkvnore, imzot Frang Bardhi pati një kujdes të veçantë për kultivimin e kulturës shqipe dhe përparimin e popullit shqiptar, e kështu zhvilloi edhe veprimtari të dendura letrare dhe shoqëroro-politike.

Ipeshkvi imzot Frang Bardhi u mor me përkthimin e veprave katekistike, liturgjike e fetare nga italishtja e latinishtja në shqip për formimin shpirtëror të besimtarëve të krishterë. Por imzot Frang Bardhi njihet edhe si leksikografi i parë shqiptar, si historian i folklorit e si etnograf. Që kur ishte student në kolegj pat filluar të shkruajë në latinisht vepra që më vonë e bënë të njohur.

Disa prej tyre janë: 'Dictionarium latino - epiroticum' (1635, Romë ), 'Fjalori latinisht - shqip' dhe 'Skënderbeu' (1636, Venedik). Këto vepra e lidhin atë me humanizmin.  Në letrën drejtuar lexuesve shqiptarë, në hyrje të veprës së tij 'Fjalori', Imzot Bardhi shpalos arsyet që e shtyn të shkruan ‘Dictionarium Latino-Epiroticumuna cum nonullis usitatiorbus loquendi formulis – Romae – 1635. Pasi kishte medituar gjatë, se si mund të ndihmonte më së miri nga njëra anë në ruajtjen e gjuhës kombëtare e cila dita ditës shkonte duke humbur e çoroditur dhe në anën tjetër si t’u vinte në ndihmë shërbëtorëve të altarit, meshtarëve, të cilët duke mos ditur mirë gjuhën latine, nuk mund të ushtronin me ndërgjegjësim shërbimin e misionit të tyre, ai vendosi  të përpilonte një fjalor latinisht-shqip. Kjo vepër për te ishte një libër i dobishëm që ai mund ta shkruante.

Siç përmendem Imzot Bardhi njofton vetë se ka përkthyer edhe libra tjere fetarë të liturgjisë, katekizma e tjerë, të cilët sot nuk njihen, dhe se ka shkruar disa relacione për viset shqiptare, të cilat kanë vlerë historike.

Në veprimtarinë e tij shoqëroro-politike imzot Bardhi do të jetë në radhët e para të atdhetarëve që i përkushtohen luftës për t'u çliruar nga zgjedha e huaj osmane, zhvillimit dhe përparimit të vendit e të gjuhës shqipe.

Gjendja e mjeruar e popullit shqiptar nën sundimin e egër osman, dëshira e përpjekjet për ta ndihmuar atë që të shpëtonte nga kjo robëri, ishin shqetësime që e mundonin vazhdimisht bariun shpirtëror imzot Bardhin. Kjo duket edhe në relacionet që ai i dërgonte herë pas here Papës e Propaganda Fides në Vatikan.

Ja si shprehet në relacionin e vitit 1641 për rëndimet dhe poshtërimet që u bëheshin fshatarëve shqiptarë, sidomos të krishterëve, nga arbitrariteti i feudalëve turq: "Dhjetë ose pesëmbëdhjetë turq bashkohen dhe kalojnë nëpër shtëpitë e krishterëve dhe hanë e pinë sa të kenë oreks, gjithë ditën gjithë natën pa paguar asgjë. Ai i shkreti nuk mund të thotë se nuk ka bukë, verë, mish e tagji për kuajt e tyre, sepse ia përmbysin shtëpinë dhe e rrahin egërsisht. Po nuk pati, duhet të lerë peng rrobat e trupit për të ngopur lakmitë e tyre të mbrapshta …" Relacionet e imzot Frang Bardhit kanë edhe shumë të dhëna të tjera për gjendjen shpirtërore të popullit shqiptar, për zakonet, traditën, sfidat dhe perspektivat për një të ardhme në liri e përparim.

01 korrik 2020, 09:50