Kërko

Vatican News
“Histori shkodrane në fotografi”: nga Pjetër Logoreci. “Histori shkodrane në fotografi”: nga Pjetër Logoreci.  

“Histori shkodrane në fotografi”: nga Pjetër Logoreci.

Familja e madhe Logoreci vijon traditën e vet të lashtë atdhetare, përmes veprimtarisë së një pasardhësi: Pjetër Logorecit, autor i Albumit, titulluar “Histori shkodrane në fotografi”.

R. SH. - Vatikan

Familja e madhe Logoreci vijon traditën e vet të lashtë atdhetare, përmes veprimtarisë së një pasardhësi: Pjetër Logorecit. Jeton në Vjenë, ku një shekull më parë  studiuan të parët e tij, Kolë e Gjon Logoreci.

Ndonëse eci vonë në gjurmët e tyre, nuk mungon të lërë gjurmët e veta, kudo shkel. E deri më sot ka shkelur kudo ka një gjurmë sado të vogël nga Shqipëria e tij. Duke nisur nga arkivat e Profesor Joklit, për të vijuar me gërmime e gjetje të reja për Aleksandër Moisun, i apasionuar për teatrin siç është;  e edhe mbi familjet e vjetra, si ajo Ingrisch, mjeshtër të këpucës, që erdhën nga Austria....Emri i Pjetrit lidhet edhe me një ngjarje tjetër të madhe: me gjetjen në Vjenë të varrit të imzot Nikollë Kaçorrit, figurë sa e ndritur, aq edhe e mohuar.

Tani, krahas veprimtarive në institucionet e kulturës austriake, boton veprën “Histori shkodrane në fotografi”. Album vërtet  cilësor, i ndarë në 5 kapituj, duke nisur nga historia e Shkodrës, për të vijuar me fasadat, personalitetet dhe  jetën e përditshme të Qytetit të Veriut.

Edhe Albumi është fryt i hulumtimeve të pasionuara në arkivat austriake të birit të Shkodrës, që e kalon çdo çast të lirë herë Arkivin e Shtetit Austriak, herë në Arkivin e Bibliotekës Nacionale të Vjenës, në Arkivin e Bashkisë së Vjenës, në Arkivin e Bibliotekës së Universitetit të Vjenës dhe Arkivin e Bibliotekës së Universitetit të Gracit. Albumi i pasuruar me shumë foto të panjohura, që u përkasin viteve 1908 deri 1916, është rezultat i një pune kërkimore 6-vjeçare.  

Veçohet kapitulli i dytë me fotografi nga pushtimi i Shkodrës prej Malit të Zi, në të cilat pasqyrohet gjendja e mjerueshme e popullsisë, plaçkitjet, uria, bombardimet e shkatërrimi i qytetit nga pushtuesit. Në libër botohen fotografi nga skenat makabre, vrasjet, kufomat rrugëve  të qytetit që luftonte, duke lënë çdo familje shkodrane të paktën një pjestar në llogoret e Taraboshit, në mbrojtje të trojeve të të parëve, të dinjitetit dhe nderit shqiptar.  Fotot e albumit na flasin për një jetë të perënduar, që del nga faqet e tij, për të na kujtuar ngjarje të cilat nuk duhen harruar!

“Kur pashë fotografinë e Portalit të Katedrales së Shkodrës, me emnin e Shën Shtjefnit, si Katedralja e Vjenës, mbeta shtang – kujton autori i albumit. Portali është një vepër arti, punuar nga dora e Kolë Idromenos, nësa ndërtohej  Katedralja e Shkodrës. Për të shmangur shpërdorimet me financimet në ndërtimin e objekteve, konsullata austriake në Shkodër dokumentoi në fotografi të gjithë objektet e ngritura me këto donacione. Kështu gradualisht - kujton Logoreci i ri -  më lindi frymëzimi për albumin kushtuar Shkodrës, pa pyetur për vështirësitë, kohën, mundin dhe shpenzimet. 

Fotografitë e panjohura  na kujtojnë edhe veprat e artit, që nuk janë më, realizuar nga Idromeno e edhe nga atë Gjergj Fishta, e dëmtuar në kohën e komunizmit, si tavani i Katedrales, i gëdhendur në dru, shtatoret e pikturat murale,  si dhe objekte të tjera, që tani mbetën vetëm në fotografi, për të treguar se ishin me të vërtetë!

Albumi i ri tingëllon edhe si thirrje drejtuar pushtetarëve për t’i ruajtur vlerat e pallogartishme të Qytetit të Veriut, që po shkatërrohen sisetematikisht, duke ia ndërruar fizionominë qytetit, në një kohë kur ka mjaft hapësirë për ndërtime të reja. Do të kishim, kështu, Shkodrën e vjetër e Shkodrën e re.  Nuk është e nevojshme, prandaj, të ndërtohet e reja, mbi varrin e së vjetrës, me vlera të papërsëritshme kulturore kombëtare. Që u flasin aq shumë breznive.

24 korrik 2020, 10:53