Kërko

1593558068912.jpg

Lajme nga bota: Gjermania, Turqia, Irani, Brazili, Kina

Gjatë presidencës gjashtëmujore, që fillon sot, qeveria gjermane, e udhëhequr nga kancelarja Angela Merkel, do të ketë përpara një sërë çështjesh të hapura në nivel kontinental. Nesër, Gjykata e Lartë e Turqisë vendos nëse Shën Sofia kthehet në xhami. Shpërthen një klinikë në veri të Teheranit. Brazili vazhdon të jetë i pari në rajon për përhapjen e Covid-19.

R.SH. - Vatikan

Gjermania merr presidencën e Bashkimit Evropian

 Sot, 1 korrik, Gjermania fillon presidencën e Bashkimit Evropian, e cila do të zgjasë deri në fund të vitit. Pas semestrit të Kroacisë, që e mori në dorë këtë detyrë për herë të parë, ministri i saj i jashtëm, Grlić Radman, ia dorëzoi stafetën kolegut gjerman Heiko Josef Maas, në Berlin, nën hijen e Portës së Brandenburgut. Gjithsesi, kremtimi festiv i këtij kalimi do të mbahet më 6 korrik.

  Orkestra Radiofonike e Mynihut, e drejtuar nga kroati Ivan Repušić, si edhe kori e orkestra e Radiotelevizionit Kroat, drejtuar nga Tomislav Fačini, “do ta shoqërojnë publikun në një udhëtim përmes historisë muzikore të Kroacisë dhe vendeve gjermanofolës”. Koncerti i parë do të jepet në Hercules Hall të Mynihut, ndërsa i dyti në Teatrin Kombëtar të Zagrebit. Të dy do të transmetohen në kanalin televiziv Ard-alfa më 6 korrik, në orën 22.15, por mund të shihen edhe “on demand” në faqen e internetit br-klassik.de/concert. Në fillim, do të flasin ministrat e kulturës të të dyja vendeve.

Gjatë presidencës gjashtëmujore, qeveria gjermane, e udhëhequr nga kancelarja Angela Merkel, do të ketë përpara një sërë çështjesh të hapura në nivel kontinental. Para së gjithash, përgjigja ndaj krizës ekonomike, për të cilën është organizuar një Takim i nivelit të lartë, më 17 dhe 18 korrik (Plani i Rimëkëmbjes); pastaj, caktimi i buxhetit për periudhën 2021-2027, që duhet të marrë parasysh përtëritjen e ekonomisë dhe nevojën për fonde strukturore; më tej, bisedimet për Brexit, që do të duhet ta shkëpusin përfundimisht Mbretërinë e Bashkuar nga Bashkimi Evropian, më 31 korrik. Gjithashtu, pikërisht nën presidencën gjermane, duhet të fillojë Konferenca për të ardhmen e BE-së.

Në një tweet, kancelari austriak, Sebastian Kurz, shpreh mendimin e shumë prej vendeve anëtare për këtë moment të rëndësishëm: “Gjermania – shkruan ai – merr në dorë presidencën, në një çast kur Evropa po përballet me sfida të mëdha. Në to përfshihet ndikimi financiar i pandemisë së koronavirusit, që ka prekur shumë shtete. Duam të ndihmojmë, por edhe të parandalojmë një Bashkim borxhi të vazhdueshëm”.

Turqi: nesër, Gjykata e Lartë vendos nëse Shën Sofia kthehet në xhami

 “Fantazmat e Bosforit shqetësojnë qetësinë e Stambollit Ortodoks”, lexohet në një lajm të Euronews. Hagia Sophia, ish-katedralja e njohur e Shën Sofisë, mund të kthehet së shpejti në xhami, ashtu siç ishte ndërmjet viteve 1453, data e rënies së Kostandinopojës në duar osmane, dhe 1931, kur Mustafa Qemal Ata Turku, e shndërroi atë në muze, të frekuentueshëm për të gjitha fetë. Vendimi i diskutueshëm do të merret më 2 korrik nga Këshilli i Shtetit, që është Gjykata e Lartë e Turqisë. Në një reagim, Patriarku ekumenik i Kostandinopojës, Bartholomeu, lë mënjanë diplomacinë, që karakterizon rolin e tij, e bubullin: “Shndërrimi i Shën Sofisë në xhami do të shkaktojë zemërimin e miliona të krishterëve në botë kundër Islamit. Hagia Sophia, falë vlerës së saj fetare, është pikë takimi ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Vendimi do t’i ndajë këto dy botë, pikërisht kur pandemia na dikton të jemi të bashkuar”. Departamenti Amerikan i Shtetit e kritikoi shndërrimin e mundshëm të Shën Sofisë në xhami, në këtë çast kur Turqia përballet me gjendje të ndryshme konflikti, madje, edhe lufte.

Iran: shpërthen një klinikë në veri të Teheranit

 Një shpërthim i fuqishëm në një klinikë në veri të Teheranit shkaktoi vdekjen e së paku 19 vetëve, siç raporton agjencia iraniane e lajmeve Isna. Shpërthimi, në qendrën shëndetësore Sina At’har, ndodhi gjatë natës dhe shkaktoi dëme në ndërtesat e afërta. Ndoshta, disa bombola me gaz morën zjarr në bodrumin e qendrës.

Koronavirus, Brazil: 2 milion e gjysmë të infektuar; më se 116 mijë të vdekur

 Pandemia e koronavirusit vazhdon të ndihet fort në Amerikën Latine, ku të infektuarit e kanë kaluar shifrën 2 milion e gjysmë, me më se 46 mijë vetë vetëm gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa viktimat janë më se 116 mijë vetë, me rreth 2500 të tjerë gjatë 24 orëve të fundit. Brazili vazhdon të jetë i pari në rajon për përhapjen e Covid-19, në një kohë, kur nga Kina vjen lajmi për një virus të ri, gjetur në derra. Ai ka infektuar tashmë disa punëtorë, që shërbenin në stallë, por deri tani, duket se e ka të vështirë të kalojë nga njeriu tek njeriu.

01 korrik 2020, 10:44