Kërko

Vatican News
BELGIUM-EU-GERMANY-DIPLOMACY BELGIUM-EU-GERMANY-DIPLOMACY 

Evropa e bashkuar, solidare, e gjelbër: Kishat mbështesin presidencën gjermane

Dokumenti i nënshkruar nga Komisioni i episkopateve të BE-së (Comece) dhe Konferenca e Kishave Evropiane (Cec) lidhur me programin e shpjeguar nga Angela Merkel në Europarlament, kёrkon të fuqizohet fryma e solidaritetit dhe t’i kushtohet vëmendje e veçantë mbrojtjes së njerëzve më të ligshtë.

R.SH. - Vatikan

Sipas Komisionit tё episkopateve të BE-së (Comece) dhe Konferencës sё Kishave Evropiane (Cec), për ardhmërinë e Bashkimit Evropian është e nevojshme “të fuqizohet fryma e solidaritetit”, term kyç, qё nё kërkesën e këtyre ditёve tё Kishave tё krishtera evropiane, përsëritet 17 herë. E “t’i kushtohet vëmendje e veçantë mbrojtjes së njerëzve më të ligshtë”. Ndërmjet temave më të diskutuara, janë pandemia, kriza ekonomike, dixhitalizimi, partneriati me Afrikën. Në konferencën mbi ardhmërinë e Evropës, kishat deklarojnë se dëshirojnë të marrin pjesë “në mënyrë konstruktive dhe aktive”.

Programi i presidencës gjermane të Këshillit të Bashkimit Evropian

Programi i presidencës gjermane të Këshillit të Bashkimit Evropian, shpjeguar më 8 korrik nga kancelarja Angela Merkel në Eurodhomë - u pëlqen Kishave, të cilat e quajnë “ambicioz e largpamës”, sepse synon “zhvillimin e një BE-je të fortë, të përtërirë, të drejtë e të qëndrueshme, me baza të fuqishme e në vijë me vlerat dhe parimet e përbashkëta. E kështu, mund ta mbrojë edhe të mirën e përbashkët”. Këtë vlerësim e lexojmë në një dokument, që Komisioni i episkopateve të BE-së (Comece) dhe Konferenca e Kishave Evropiane (Cec) e përgatitën  për të “vënë në dukje, me frymë ekumenike e kristiane, disa reflektime dhe propozime tematike, që kanë të bëjnë me përparësitë e shprehura nga Gjermania në programin e saj.

Ndjehet nevoja për marrëdhënie njerëzore

Dokumenti i Komisionit të episkopateve të BE-së (Comece) dhe Konferencës së Kishave  evropiane (Cec) iu dorëzua, më 7 korrik, ambasadorit gjerman pranë BE-së, Michael Klauss, e do të jetë në bazë të takimit të Kishave me Michael Roth, ministër federal për çështjet evropiane, që do të mbahet në Berlin, më 27 tetorin e ardhshëm. “Përvoja tronditëse e pandemisë tregoi se ne, evropianët, nuk jemi individë të izoluar, por njerëz të cilët kanë nevojë për marrëdhënie njerëzore e jetë të përbashkët, të vetëdijshëm për lidhjen e ngushtë me njëri-tjetrin. Prandaj, që të mund të përfytyrojmë ardhmërinë e Evropës, duhet ta  gjallërojmë  ndjenjën e solidaritetit, term që në dokument përsëritet 17 herë e lidhet me të gjitha argumentet e përmendura”- nënvizohet në dokument.

T’i japim përgjigje pandemisë

Lidhur me detyrën kryesore, domethënë me përgjigjen që i duhet dhënë krizës së lindur nga pandemia, përtej problemeve ekonomike, kryesore është të mos kapitullojmë para frikës, nacionalizmit të tepruar dhe interesave të verbëra populiste. Plani i përtëritjes, i propozuar - pohojnë Kishat - “duhet të përcaktojë një perspektivë të qartë për një Evropë, që synon të bashkohet, mbi bazën e solidaritetit”. Pa harruar se i duhet kushtuar vëmendje e veçantë mbrojtjes së  shoqërive më të ligshta evropiane. Ndërmjet këshillave, “edhe  ajo që kërkon të punohet intensivisht për zhvillimin e aktiviteteve  evropiane  dhe për rinovimin e politikave,  që kanë të bëjnë me shëndetin”.

Shndërrimi dixhital, për e kundra

Për përparësinë e dytë të presidencës gjermane, atë “të Evropës së fortë e inovative”, Kishat kërkojnë që shndërrimi dixhital të jetë “largpamës, i bazuar mbi vlerat e përbashkëta”, posaçërisht përsa u përket zhvillimeve e zbatimeve të dixhitalizimit dhe të inteligjencës artificiale me përgjegjësi të thellë etike. Kujdes! “Dixhitalizimi i të gjitha sferave sjell me vete dhe sfida të mëdha, që kanë të bëjnë me lirinë, dinjitetin njerëzor e me drejtësinë shoqërore”.

Dialog, në të gjitha drejtimet

Kishat kërkojnë edhe dialog në të gjitha drejtimet, posaçërisht atje, ku diskutohen temat antropologjike themelore. Kërkojnë promovimin e kohezionit shoqëror, sigurinë e solidaritetin. Kërkojnë të vihen në jetë politika konkrete, duke u përqendruar kryesisht tek zhdukja e varfërisë, përmes ecjes në rrugë të përbashkëta.

Evropa  “green” dhe e qëndrueshme

Ka ardhur koha të korrigjohen të gjitha gabimet e së kaluarës - theksojnë Kishat - që kërkojnë reduktimin drastik të anhidridit karbonik në atmosferë, në vijim të pakësimit të shtegtimeve, duke hapur rrugë reja në këtë drejtim. Kërkojnë një “Evropë të gjelbër”, ku nuk të merret fryma!

Siguri e vlera të përbashkëta

Vëmendje të posaçme i kushtojnë Kishat edhe përparësisë së pestë, “Evropës së sigurisë e të vlerave të përbashkëta”. Kërkojnë nisma për të drejtat e njeriut e demokracinë e, sidomos, për të drejtat e secilit shtet anëtar, lidhur me financimet nga ana e BE-së.

Partneriati me Afrikën

Përparësia e fundme i kushtohet Afrikës. Kishat kërkojnë të thellohet bashkëpunimi me Afrikën, duke adoptuar një agjendë evropiano-afrikane, përqendruar mbi mbrojtjen e njeriut”. E japin alarmin për bashkësitë e persekutuara në botë: “Liria besimit nuk është vetëm liri njerëzore - theksohet, por edhe përmasë strategjike për liritë demokratike dhe promovimin e  paqes shoqërore”. E, së fundi, kërkohet e mira më e madhe, pa të cilën asnjë e mirë tjetër nuk mund të vihet në jetë: paqja!

13 korrik 2020, 13:49