Kërko

Vatican News
2019.01.09 Sede Onu, Nazioni Unite 2019.01.09 Sede Onu, Nazioni Unite 

Të rishpiket bota: kjo, thirrja e OKB-së, në 75 vjetorin e Kartës së Kombeve të Bashkuara

“Duhet ta rindërtojmë sa më mirë që të mundemi shoqërinë dhe ekonominë, që të bëhen gjithnjë më të qëndrueshme e më gjithëpërfshirëse: kjo, thirrja për ndryshim e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterrez, me rastin e përvjetorit të nënshkrimit të statutit të OKB-së, firmosur në San Francisco, më 26 qershor 1945.

R.SH. - Vatikan

Ishte një botë krejt e ndryshme, ajo që dilte nga Lufta II Botërore, me shumë gjëra që duheshin rindërtuar, por edhe me shumë entuziazëm. E pikërisht në këtë atmosferë lindte Karta e Kombeve të Bashkuara, që përcaktonte synimet e parimet, impononte zgjidhjen paqësore të konflikteve  e hynte si rreze drite në errësirën e luftës e në gërmadhat e saj. Ishte një mënyrë, për të ripohuar besimin në të drejtat themelore të burrave, të grave e të kombeve, të mëdha e të vogla.

Karta e Kombeve të Bashkuara

Kujtojme se Karta e Kombeve të Bashkuara synonte të nxiste progresin shoqëror e të krijonte  një jetë më të mirë për njeriun. Kërkonte  që njeriu ta gëzonte plotësisht lirinë aq të dëshiruar e aq të nëpërkëmbur nga lufta. Organizata e re u konceptua në mënyrë që të ishte më e qëndrueshme sesa Shoqëria e Kombeve, lindur në vitet ’20, sepse u pajis edhe me një Këshill sigurimi dhe me pesë anëtarë të përhershëm, me të drejtën e vetos!

Prova e pandemisë
75 vjet më pas, vendin e luftës e zuri pandemia, që kërkon, sot më shumë se asokohe, shpikjen e një bote të re, siç e nënvizon sekretari i përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterrez. “Nuk mund të kthehemi mbrapa. Nuk mund të bëhemi, ashtu si ishim para kësaj gjëme! - shpjegon numri një i Pallatit të Qelqit - e të rikrijojmë sisteme, që e rënduan krizën”. Është krejtësisht e qartë ajo, që kërkon e ardhmja. Kërkon mbrojtjen e shëndetit për të gjithë, kërkon më shumë solidaritet ndërmjet popujve e kombeve, kërkon një ekonomi botërore të menduar ndryshe, kërkon t’i jepet fund pabarazisë.  

 Thirrja e OKB-së për ndalimin e zjarrit në botë

Mbetet shumë për të bërë, sepse thirrja e OKB-së, e përsëritur nga Papa, për ndalimin e zjarrit në mbarë botën, në këto kohë kur u hap edhe një front tjetër, më i rrezikshëm se zjarri i armëve, nuk u dëgjua, ndonëse e mbështetur nga 180 vende e më se 20 grupe të armatosura. Në Jemen e Libi dhuna është bërë më e padurueshme se kurrë.  

E Guterrez kujtoi se Kombet e Bashkuara parashikojnë t’u dërgojnë ushqime më se 87 milionë njerëzve, në 83 vende, duke e furnizuar edhe me vaksina gjysmën e fëmijëve të botës e duke shpëtuar 3 milionë jetë çdo vit. Organizata - kujtoi Guterrez - kujdeset edhe për 80 milionë refugjatë e të shpërngulur, duke ndihmuar më se dy milionë gra shtatzëna, gati për të lindur e duke u përpjekur ta ruajë paqen, falë 40 misioneve të paqeruajtësve të saj, që vigjilojnë në të katër anët e botës! Por a do të mund të shpiket bota e re, për të cilën flet me kaq entuziazëm sekretari i përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterrez? Ndoshta! Nëse entuziazmi i tij do t’i tërheqë pas vetes edhe ata, që vijojnë të shkaktojnë vdekje të dyfishta: nga lufta e nga pandemia - pa ua vënë veshin thirrjeve për t’i dhënë fund vdekjes, në emër të “shpikjes së një bote të re!

26 qershor 2020, 14:54