Kërko

Vatican News

SHBA, rasti Floyd. Kisha: të mposhtim racizmin

Tension i lartë në Mineapolis dhe në qytete të tjera të SHBA-ve, pas vdekjes së afroamerikanit George Floyd, gjatë arrestimit të tij nga disa agjentë të policisë. Së paku 3 vetë u plagosën me armë zjarri, ndërsa një tjetër vdiq gjatë protestave në Indianapolis. Kisha vendase lutet për viktimën dhe i bën thirrje shoqërisë amerikane të punojë për paqen e drejtësinë.

R.SH. - Vatikan

Vdekja e George Floyd, afroamerikanit 46-vjeçar, që, sipas dyshimeve, u mbyt nga një polic, gjatë arrestimit të tij në Mineapolis, po shkakton tensione të forta shoqërore ndërmjet bashkësisë zezake dhe institucioneve. Nuk ndalet vala e protestave, edhe të dhunshme. Së paku 3 vetë u plagosën me armë zjarri e një tjetër humbi jetën në Indianapolis. Manifestime, shpesh, të shoqëruara nga ndeshje e vandalizma, janë mbajtur nga Nju Jorku e Uashington, nga Los Anxhelesi në Atlanta, nga Bostoni në Çikago, nga Siatëll në Kolumbus. Rreth 10 shtete mobilizuan gardën kombëtare, ndërsa në 25 qytete u vendos shtetrrethimi. Gjendje emergjence në kontenë e Los Anxhelesit, ndërsa protestat vijonin përreth Shtëpisë së Bardhë, ku njerëzit u vërsulën edhe kundër gazetarëve të Fox News. Që nga fillimi i manifestimeve, janë arrestuar 1400 vetë.

Lutja e ipeshkvijve për viktimën, për paqen, të vërtetën e drejtësinë

          Ipeshkvijtë amerikanë dënuan ashpër dhunën e forcave të rendit kundër afroamerikanëve. Nuk është hera e parë. Në një deklaratë, nënshkruar nga kryetarët e shtatë komisioneve të Konferencës Ipeshkvnore të SHBA-ve, prelatët shprehin solidaritetin e tyre me bashkësitë zezake të vendit dhe kërkojnë hetime, për të arritur tek e vërteta dhe drejtësia. Më pas, urojnë që protestat në shesh të jenë paqësore. Racizmi në SHBA-të, denoncojnë ata, “nuk është diçka e së kaluarës, por një rrezik i vërtetë dhe aktual, që duhet përballuar me vendosmëri”. Që në Letrën baritore të vitit 2018, ipeshkvijtë dënonin çdo formë racizmi dhe ksenofobie. Sot, mbështesin fuqishëm qëndrimin e kryeipeshkvit metropolit të Saint Paule Minneapolis, imzot Bernard Anthony Hebda, i cili, në një notë, flet për ngjarje “që e shqetëson thellësisht shpirtin”. “Sidomos në këtë çast, në të cilin brishtësia njerëzore u vu në dukje nga pandemia e Covid-19 – pohon imzot Hebda – duhet ta respektojmë vlerën dhe dinjitetin e çdo individi, si në rastin kur janë civilë, që kanë nevojë për mbrojtje, ashtu edhe kur është fjala për agjentë të forcave të rendit, të ngarkuar me detyrën për të orfuar mbrojtje. Çdo jetë njerëzore është e shenjtë”, shton imzot Hebda. Së fundi, thirrja për t’u lutur për viktimën dhe për familjen e tij, por edhe e sidomos, për paqen e gjithë bashkësisë së plagosur, duke u impenjuar në promovimin e së vërtetës dhe të drejtësisë.

01 qershor 2020, 16:26