Kërko

1592778667855.jpg

Serbia drejt Bashkimit Evropian: hapa të reja pas votimeve

Në parlamentin e ri serb, dalë nga zgjedhjet e së dielës, 21 qershor, Partia Përparimtare Serbe (SNS), e presidentit Aleksandar Vučić, fitoi mbi 63.4 përqind të votave, duke marrë shumicën absolute të vendeve. Ndër deputetët e zgjedhur, edhe shqiptarë nga zona e Preshevës. Me ne historiani italian, Daniele De Luca.

R.SH. - Vatikan

Menjëherë pas shpalljes së rezultateve të shkëlqyera për partinë e tij, presidenti serb Vučić deklaroi se për formimin e qeverisë së re, do të këshillohet me një spektër të gjerë forcash politike, pa arrogancë e pa diskriminuar askënd, me qëllim që të arrijë konsensusin, duke zgjedhur personalitetet më të mira dhe më të vlefshme. Ministri i jashtëm dhe lideri i Partisë Socialiste, Ivica Dačić, duke u shprehur i kënaqur me rezultatin, njoftoi gatishmërinë e tij për të vazhduar punën me SNS-në e Vučić-it.

Ekuilibri politik në parlament

 Pas votimit, sipas llogarive të bëra nga institutet Ipsos dhe Cesid, SNS-ja mund të marrë 189 nga 250 vendet në parlament; 32 vende i shkojnë Partisë Socialiste (SPS) të Dačić-it, e cila ka fituar pak më shumë se 10 përqind; ndërsa lëvizja Spas e ish-lojtarit të vaterpolit Aleksandar Šapić do të marrë 12 vende. Edhe katër listat e pakicave kombëtare hynë në parlament: Aleanca e hungarezëve të Vojvodinës me nëntë vende, lista e Muamer Zukorlić me 3, Alternativa Demokratike Shqiptare me 3 vende dhe SDA e Sanxhakatit e Sulejman Ugljanin me 2 vende.

Etapat e afrimit me Bashkimin Evropian

Serbia ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) me Bashkimin Evropian, më 29 prill 2008, në Luksemburg. Bisedimet filluan që më 10 tetor 2005, kur vendi bënte akoma pjesë në konfederatën me Malin e Zi, ndërsa marrëveshja hyri në fuqi më 1 shtator 2013. Beogradi aplikoi për anëtarësim në BE më 22 dhjetor 2009. Negociatat për anëtarësimin filluan më 21 janar 2014. Ndër fushat, për të cilat Brukseli ka kërkuar reforma, janë ajo e të drejtave themelore të njeriut, ajo e drejtësisë, lirisë, sigurisë dhe sidomos fusha e ambientit, ku distanca me vendet e tjera evropiane është e konsiderueshme. E është edhe çështja e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, për të cilat duhet gjetur një zgjidhje, para çdo lloj hapi për anëtarësim.

Perspektiva të reja në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit e Prishtinës

Në Kosovë, qeveria e re e udhëhequr nga Avdullah Hoti, lindur në fillim të qershorit mes polemikash, ka njoftuar se dëshiron t’i eliminojë taksat doganore prej 100%, që Kosova i pati imponuar Serbisë. Kjo, pas disa vendimeve të Beogradit, siç ishte pengimi i hyrjes së Prishtinës në Interpol. Por, pas vendimit të ri, hapet një dritare për rifillimin e marrëdhënieve diplomatike.

Intervista me prof. Daniele De Luca

Për rezultatin e zgjedhjeve në Serbi, për integrimin e saj në BE, për vendin e saj në rajon e për marrëdhëniet me Rusinë, si edhe për 25-vjetorin e afërt të Marrëveshjes së Dejtonit, ia drejtuam mikrofonin tonë Daniele de Luca-s, pedagog i Historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin italian të Salentos.

De Luca kujton se para votimit të së dielës në Serbi, u diskutua jashtëzakonisht për ligjin zgjedhor, sidomos për përqindjen më të ulët të pjesëmarrjes në parlament. Fitorja e Vučić-it konfirmoi konsensusin në favor të tij, menjëherë pas këtij debati të ashpër, filluar nga opozita. Historiani vë në dukje hendekun e madh ndërmjet votave të partisë së presidentit, mbi 60 përqind, dhe të partisë së dytë, Partisë Socialiste, e cila fitoi pak më shumë se 10 përqind të votave. Kjo do të thotë që është siguruar stabiliteti i qeverisë - ndër pikat kryesore të kërkuara nga BE-ja për të përmbushur kërkesat e integrimit. De Luca përmend çështjen e Kosovës, duke sqaruar se në këtë çast, ka perspektiva të mira për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, e duke theksuar se kjo është pikë themelore për Brukselin.

Historiani flet pastaj, për kuadrin politik rajonal dhe për marrëdhëniet e ngushta ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, duke kujtuar vizitën e Vuçiq në Bruksel dhe Moskë. E këtë vit bie edhe një përvjetor historik: De Luca nënvizon se në nëntor kalojnë 25 vjet nga Marrëveshja e Dejtonit, e vila u ndoq në dhjetor, nga plani i paqes. Kështu iu dha fund luftës në Bosnjë, pas masakrës së tmerrshme në Srebrenicë, në korrik 1995, për të cilën, fillimisht, u llogaritën 6000 viktima, ndërsa më vonë, u raportua vdekja e të paktën 8000 vetëve.

23 qershor 2020, 14:17