Kërko

Ursula von der Leyen Ursula von der Leyen

Komisioni Evropian: strategji e përbashkët për vaksinën kundër koronavirusit

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paraqiti sot një skemë për bashkëpunimin evropian në gjetjen dhe prodhimin një vaksine të sigurt kundër koronavirusit, brenda 12 – 18 muajve.

R.SH. - Vatikan

Është gati strategjia evropiane për të “garantuar cilësinë, sigurinë dhe efikasitetin e vaksinave” kundër koronavirusit, por edhe për të siguruar furnizimin me to të të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian e të popullsive të tyre. Njëkohësisht, Brukseli vijon garën e solidaritetit, që vaksina të jetë ekonomikisht e përballueshme nga të gjitha shtetet e botës. Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paraqiti sot (17 qershor) një skemë për punën e përbashkët në fushën e vaksinimit kundër koronavirusit, që synon të shpejtojë prodhimin e vaksinave të sigurta dhe të frytshme brenda një periudhe prej 12-18 muajsh, madje, edhe më parë.

Jo vetëm sfidë evropiane, por globale

 Nevojiten studime klinike dhe investime për të rritur kapacitetin e prodhimit, sepse do të duhen miliarda doza. Strategjia e BE-së bazohet në dy shtylla: nga njëra anë, Brukseli do të japë fonde për zhvillimin dhe prodhimin e vaksinave dhe, nga ana tjetër, do të miratojë një kuadër ligjor për ta shpejtuar zhvillimin, autorizimin dhe përdorimin e vaksinave për të gjithë, duke ruajtur standardet e cilësisë, sigurisë dhe efikasitetit të tyre. “Kjo nuk është një sfidë evropiane, por globale”, nënvizoi Von der Leyen.

Të shmanget konkurrenca për vaksinën

“Bashkimi Evropian nuk do të jetë i sigurt, nëse vaksina nuk do të jetë gati për gjithë botën”. Strategjia e Brukselit synon “të shmangë konkurrencën ndërmjet shteteve të BE-së”, duke vepruar me “frymë solidariteti konkret evropian”. Më 27 qershor, do të mbahet një Takim botëror për të studiuar, së bashku me partnerët ndërkombëtarë, mënyrën për t’i bashkuar fondet e burimet financiare të të gjitha vendeve, që secili të jetë në gjendje t’i prenotojë vaksinat në firmat farmaceutike, që do t’i prodhojnë. Evropa do të kujdeset “t’i prenotojë” dozat për vendet më në vështirësi.

Kina e Amerika Latine: vijojnë infektimet

Ndërkaq, bota është akoma larg nga dalja prej pandemisë, me 8 milion të infektuar në shkallë planetare. Në Kinë, janë izoluar shumë lagje të Pekinit, ku janë zbuluar raste të reja infektimi në tregjet e hapura. Qeveria e ka paralajmëruar popullsinë për mundësinë e një vale të dytë të Covid 19. Në Indi, përveç koronavirusit, përhapet frika nga një virus i ri, i cili qarkullon prej kohësh, megjithëse nuk transmetohet lehtë nga njeriu tek njeriu. Ndërsa, në Amerikën Latine e në Karaibe, vetëm dje, janë regjistruar gati 60 mijë infektime të reja e rreth 2.500 viktima.

17 qershor 2020, 15:36