Kërko

Vatican News
2020.05.18  Oración Laudato Si 2020.05.18 Oración Laudato Si 

Ekologjia e gjithanshme. Laudato si’, pesë vjet më pas. Frytet e mira të enciklikës

Enciklika Laudato si’ (“Lëvduar qofsh”) e Papёs Françesku, pesë vjet më pas, e gjurmët e thella jo vetëm në Doktrinën shoqërore të Kishës, por edhe në proceset politike, ekonomike e, natyrisht, ekologjike të shoqërive tona të globalizuara, edhe në dritën e përvojës dramatike të coronavirusit.

R.SH. - Vatikan

Kur u botua, pesë vjet më parë, shumëkush e pati të qartë se enciklika  e Papёs Françesku “Lëvduar qofsh” do të linte gjurmë të thella jo vetëm në Doktrinën shoqërore të Kishës, por edhe në proceset politike, ekonomike e, natyrisht, ekologjike të shoqërive tona të globalizuara. Pesë vjet më pas, edhe në dritën e përvojës dramatike të coronavirusit, kemi tashmë prova, nga njëra anë për intuitën profetike të tekstit, e nga ana tjetër, për forcën e tij. Një gjallëri e tillë e bën të dalë nga faqet prej karte ose nga ekranet, për t’u shndërruar në jetë të jetuar si në nivelin ndërkombëtar e civil, ashtu edhe në atë të Kishës universale e të bashkësive kishtare lokale. Frytet e dokumentit të Françeskut janë një mori procesesh afatgjata, që i hapin rrugën zhvillimeve të reja në të gjitha fushat e prekura nga Enciklika. E nuk është e rastit që Papa Françesku shpalli një vit të veçantë, në pesëvjetorin e botimit, për të reflektuar pikërisht për Enciklikën.

“Laudato si’”  nuk lindi papritur e pa kujtuar, por në gjurmët e papnive të Gjon Palit II dhe të Benediktit XVI. E reja që sjell, është aftësia për t’i lidhur aspektet, që më parë trajtoheshin në mënyrë të veçantë. Nuk është rastësi, prandaj, që ndërmjet shprehjeve më të përdoruara, është “ekologjia e gjithanshme”, që përbën zemrën e saj dhe është bërë tashmë slogan, ngaqë na kujton se nuk ekzistojnë dy kriza të veçuara, por një e vetme, komplekse: “kriza shoqërore-ambientale”. Lidhen ngushtë, pra, kriza shoqërore me atë ambientale; kriza ekonomike, me atë politike; kriza kulturore, me atë shpirtërore.  “Laudato sì’ - siç shkruhet kohët e fundit, nuk është tekst për t’u mësuar, por “burim frymëzimi e kuadër orientues i një projekti, që e sqaron hap pas hapi, atë që vihet në jetë”.

Kështu, për shembull, në nivelin ndërkombëtar, enciklika tashmë  depërtoi plotësisht në debatin politik e shkencor, duke nisur nga Konferenca e Parisit e vitit 2015 mbi klimën; u hapi rrugën nismave të përshpirtërisë, si ajo vjetore, titulluar “Koha e krijimit”, e cila vijon nga 1 shtatori - Dita botërore e lutjes për mbrojtjen e gjithësisë, e deri më 4 tetor, festa e Shën Françeskut; bëri që kujdesi për shtëpinë e përbashkët të radhitet ndërmjet veprave të mëshirës e t’i japë shtytjen takimit “Economy of Francesco”, që do të mbahej marsin e kaluar, por u shty për tetor, për shkak të pandemisë.

Pa këtë dokument, ndoshta do të kishte qenë më e vështirë të mbahej një Sinod, si ai i Amazonës (lidhja e të cilit me “Laudato si’” është e dukshme duke nisur që nga tema: “Udhë të reja për Kishën dhe për ekologjinë e gjithanshme” e të arrihej tek nxitja e mëpasme apostolike “Querida Amazonia”, me katër ëndrra: shoqërore, kulturore ekologjike e kishtare, që janë  udhë  e ekologjisë së gjithanshme, e aftë për të prekur ndërgjegjen e botës mbarë përballë “mëkatit ekologjik”, siç e quajti Françesku gjatë punimeve të sinodit.

Sipas disa komentuesve, edhe vetë Sinodi i të rinjve i vitit 2018 si dhe “Dokumenti kushtuar vëllazërimit njerëzor për paqen botërore dhe bashkëjetesën” nënshkruar më 4 shkurt 2019 në Abu Dabi, nga Papa Françesku dhe Ahmad al-Tayyib, imam i madh i Al-Azhar, janë fryte të prekshme të dokumentit deri në atë pikë, sa edhe në Ditën botërore të rinisë të Panamasë 2029, u fol për “brezninë e Laudato sì”.

11 qershor 2020, 10:17