Kërko

Vatican News
2019.07.17 Processione della statua di Sant’Antonio, Padova, Festa del Santo 2019.07.17 Processione della statua di Sant’Antonio, Padova, Festa del Santo  (©2009 Claudio Olivato - Padova (ITALY))

Trembëdhjetë ditët e Shëna Ndout 2020: lutje në internet

Me 1 qershor nisi kremtimi i Trembëdhjetë ditëve të Shëna Ndout që, në këtë atmosferë të trishtë pandemie, do t’i shoqërojë, përmes internetit, besimtarët, deri në Solemnitetin e Shenjtit, më 13 qershor.

R.SH. - Vatikan

 

Nisi sot, 1 qershor, kremtimi i Trembëdhjetë Ditëve të Shëna Ndout që, në këtë atmosferë të trishtë pandemie, do t’i shoqërojë, përmes internetit, besimtarët, deri në Solemnitetin e Shenjtit me 13 qershor, me një faqe  të re krijuar për këtë rast:www.13giugno.org. Nga dita në ditë, nga ora në orë, nga minuti në minut,  kjo faqe interneti  do të krijojë mundësinë për ta pritur, së bashku me fretërit dhe me mijëra të devoçëm nga mbarë bota, Festën e Shenjti të Padovës e për të ndjekur gjestet tradicionale, që bëjnë shtegtarët kur hyjnë në Bazilikë te Padoves, që sivjet nuk do të jenë të mundura, për shkak të pandemisë. Të gjithë mund të ndjekin edhe kremtimet, të shkruajnë një mesazh ose një lutje, të ndezin një qiri, të prekin virtualisht Varrin e Shenjtit të Mrekullive, të marrin bukën e Shëna Ndout ose një bekim nga fretërit, si dhe të bëjnë një ofertë për të ndihmuar të varfrit përmes veprave të bamirësisë.

Mrekulli të jetuara

Shtegtarët e shumtë, që vijnë në Bazilikën e Shëna Ndout vazhdimisht, e më shumë gjatë qershorit, i drejtojnë Shenjtit lutje, i tregojnë njëri-tjetrit si  gjetën hir e si Shenjti i Mrekullive i ndihmoi të zgjidhin probleme të rënda të jetës e edhe të rigjejnë shëndetin e humbur. Gjë që tingëllon tejet aktuale në këtë kohë, kur fjala “shëndet” përdoret më shumë se të gjitha fjalët e tjera.

Lutje drejtpërdrejt, në faqen e internetit falë kanalit i www.13giugno.org., duke nisur që nga nata e festës, kushdo, nga të katër anët e botës, mund të shkruajë lutjen e tij, drejtuar Shenjtit, drejtpërdrejt në faqen e re të internetit e fretërit do të mendojnë ta vendosin mbi Varrin e Shenjtit të Mrekullive. Po kështu mund të ndizet një qiri virtual për ta falënderuar e për t’ia besuar Shëna Ndout ndonjë njeri të dashur a zgjidhjen e ndonjë problemi të vështirë të jetës.  E edhe ndonjë ndjet! Sigurisht njëri nga çastet më prekëse është ai, kur besimtari i afrohet Arkës, për të bërë gjestin shtegtarit: për të prekur me dorë të vet gurin  e gjelbër, ku ruhet Trupi i Shenjtit e t’i lutet, ashtu në heshtje, të ndërmjetësojë për shëndetin a për paqen e shpirtit e të korpit të të dashurve. Falë faqes së re të internetit, fretërit do të mundësojnë që çdo dorë ta ledhatojë virtualisht Gurin e Varrit të Shenjtit.

Në ditën e festës, në të gjitha kishat kushtuar Shëna Ndout, zakonisht bekohet buka, që pastaj u shpërndahet besimtarëve. Ofertat e lëna janë për të varfërit. Edhe sivjet mund ta marrësh bukën e Shëna Ndout, me një lutje  të bukur për familjet, për ta jetuar festën në dialog me fretërit, që vijojnë prej kohe t’i presin shtegtarët.

Faqja e re e internetit do t’i shoqërojë të devoçmit gjatë javëve të ardhshme, deri në ditën e Festës së Shëna Ndout: 13 qershori do të nisë me një transmetim të drejtpërdrejtë, në orën 6 të mëngjesit, me hapjen e Bazilikës, e do të përfundojë në orën 22.30, me mbylljen e saj: gjatë gjithë ditës do të mund të merret pjesë në lutjet e edhe në tetë Meshët, që do të kremtohen nga ora 6.30, 8.00. 9.30. 11.00, 15.00, 17.00, 19.00 e 21.00. Por mund të merret pjesë edhe në çaste të jashtëzakonshme. Gjatë gjithë ditës fretërit do të lexojnë e do të komentojnë mesazhet dhe lutjet e arritura e, aty nga ora 12.00, drejtpërdrejt nga Varri i Shenjtit, do të bekojnë mensat dhe shtëpitë e besimtarëve të lidhur përmes internetit, duke iu lutur Zotit e Shëna Ndout t’i mbrojnë e t’i ruajnë të gjithë.

Në këto çaste, kur duhet ruajtur distanca, kjo faqe interneti, nga e cila  mund të merret bekimi, në emër të Shëna Ndout, të jep forcë e shpresë, të afron e të bashkon me të tjerët, në emër të Zotit!

01 qershor 2020, 15:26