Kërko

Vatican News
 La Madonna della Providenza La Madonna della Providenza 

Virgjëra Mari në mijëvjeçarin e parë të krishterë

Figura e Marisë në mijëvjeçarin e parë të krishterimit qe objekt i disa përkufizimeve dogmatike, të përbashkëta për Kishat lindore e perëndimore. Gjithmonë Kisha, si ajo e Lindjes, ashtu edhe e Përendimit, e mbajti dhe e nderoi Zonjën si të papërlyer, që kur u zu në kraharor të nënës. Qysh në Koncilin e Efezit (431), kur Zoja u shpall dogmatikisht Nëna e Zotit, u pohua edhe se në të djalli as mëkati s’patën gisht as për një çast të vetëm. Etërit e Kishës e përforcuan ketë të vërtetë.

R.SH. - Vatikan

Një mendim për Virgjërën Mari, në muajin maj: Maria në mijëvjeçarin e parë të krishterë. Figura e Marisë në mijëvjeçarin e parë të krishterimit qe objekt i disa përkufizimeve dogmatike, të përbashkëta për Kishat lindore e perëndimore.

Kujtojmë së pari dogmën e Zojës së Papërlyer, duke u nisur nga Ungjilli sipas Mateut: “E ëma e Jezusit, Maria, duke pasë qenë e fejuar për Jozefin, para se të jetonin nën një kulm, u gjet me shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt. Tashti Jozefi, fati i saj, që ishte njeri i drejtë e s’donte ta ndante zyrtarisht, vendosi ta lëshonte fshehurazi. Ndërsa përbluante në mendje këto sende, ja se iu duk në ëndërr një engjëll i Zotit e i tha: “Jozef, bir i Davidit, mos kij frikë ta marrësh me vete Marinë, fatin tand, sepse ç’ është zënë në kraharor të saj, është vepër e Shpirtit Shenjt. Ajo do të nxjerrë në dritë një djalë, e ti do t’ia ngjitësh emrin Jezus: Ai do ta çlirojë popullin e vet nga mëkatet.Tashti të gjitha këto sende ndodhën që të plotësohej ajo që u tha prej Zotit nëpër gojën e profetit: “Ja se Virgjëra do të zërë në kraharor e do të lindë një djalë, të cilin do ta quajnë Emanuel, që do të thotë: “Zoti-me-né” (Mt. 1, 24-25).

Gjithmonë Kisha, si ajo e Lindjes, ashtu edhe e Përendimit, e mbajti dhe e nderoi Zonjën Mari si të papërlyer, që kur u zu në kraharor të nënës. Qysh në Koncilin kishtar të Efezit (431), kur Zoja u shpall dogmatikisht Nëna e Zotit, u pohua edhe se në të djalli as mëkati s’patën gisht as për një çast të vetëm. Etërit e Kishës e përforcuan këtë të vërtetë, edhe pse në shkrime të tyre nuk gjinden formalisht fjalët e dogmës, me të cilat u përcaktua një herë e përgjithmonë prej Papës Piut IX (1854) kjo e vërtetë feje.

Së dyti, kujtojmë Dogmën e Theotokos (Nënës së Zotit). Është titulli që iu dha Marisë në vitin 431, nga Koncili i Efezit. Ishte pohim, që nënvizonte unjësinë e Krishtit në të dy natyrat e veta, njerëzore e hyjnore (communicatio idiomatum);

Së treti, dogma e Virgjërisë së përhershme, që na kujton se, pas lindjes së Jezusit, Maria nuk pati fëmijë të tjerë, duke mbetur gjithmonë virgjër, para, gjatë e pas lindjes (Koncili i Kostandinopojës, viti 553).

Për t’u shënuar se, sipas Kishës ortodokse (duke ndjekur traditën e Proto Ungjillit të Jakut), Jozefi, para se të martohej me Marinë, kishte pasur disa fëmijë të tjerë, sivëllezër të Jezusit, nga martesa me një grua që, sipa traditës apokrife, quhej Melka ose Eska. Pohimi më i qartë i kësaj të dhëne, janë afresket mbi muret e Kishës së të Shëlbuemit, në Kora të Kostandinopojës.

07 maj 2020, 17:32