Kërko

1589809393493.jpg

Ekonomia: pandemia ka rritur pabarazitë shoqërore

Kriza shëndetësore globale dhe borxhi: nga njëra anë, ka nga ata që nuk i vuajnë pasojat ekonomike të pandemisë së koronavirusit, ndërsa, nga ana tjetër, ka njerëz që, papritmas, nuk kanë më as ç’të hanë. Mendimi i ekonomistit italian, Benedetto Gui.

R.SH. - Vatikan

Në këto muaj të pandemisë, shumë aspekte të jetës patën përparësi në krahasim me ekonominë, si shëndeti i popullsisë, mbrojtja e punës, natyrisht, aty ku ishte e mundur. Pasi shumica e njerëzimit u mbyll në shtëpi, për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, tani që filloi faza e dytë, skenarët ekonomikë që paraqiten, nuk janë nga më të mirët. Biseduam me profesorin Benedetto Gui, pedagog i Ekonomisë Civile dhe i Bashkimit në Institutin universitar Sophia të Loppiano-s, në Itali:

Pandemi do të thotë ta ndalosh prodhimin për një periudhë, të kesh më pak mallra për të konsumuar dhe të bësh sakrifica. Problemi është se ky bllokim rrit pabarazitë, pasi ka nga ata që nuk e vuajnë atë në aspektin ekonomik, në kuptimin që vazhdojnë të marrin të ardhurat e mëparshme, ndërsa një pjesë e popullsisë botërore privohet papritmas nga të ardhurave e veta, për të garantuar ndërprerjen e veprimtarive. Ky është problem i madh. Pastaj, natyrisht, lind edhe një problem borxhi. Në këto situata, përdoren kursimet e së kaluarës, ose kërkohet borxh, për të garantuar vazhdimësinë e jetës dhe të standardeve të saj, me shpresën se borxhi do të paguhet në të ardhmen. E kjo, edhe në nivel shtetëror. Borxhi është i arsyeshëm në kohë emergjence. Por, problemi qëndron në faktin se në vende si Italia, për shembull, janë krijuar borxhe edhe më parë, në kohë “normale”, prandaj tani, borxhet vetëm mund të shtohen. E, shyqyr që është Bashkimi Evropian. Sot, të gjitha vendet evropiane mbështeten nga Banka Qendrore Evropiane e në perspektivë, po mendohet për një boxh kolektiv të Bashkimit Evropian, që do të ndihmojë edhe vendet më të dobëta financiarisht si Italia, Spanja apo Greqia.

Kjo, për vendet e Bashkimit Evropian. Po për vendet e tjera të botës, që nuk kanë parashuta si ajo e Brukselit?

Kjo është çështja. Mendoj për vendet afrikane, si Kongo, për shembull, që e kanë të vështirë të mbeten të besueshëm në tregjet financiare. Një vend tjetër është Argjentina, që i ngjan shumë Italisë. Nëse nuk do të kishim Evropën, historia jonë ekonomike do t’i ngjante asaj të Argjentinës. Vendet e dobëta nuk kanë rezerva për ta përballuar gjendjen. Si fillim, duhet ndërhyrë me pezullimin e borxheve. Ky vendim është marrë nga G20-a e mund të konrektizohet.

Le të flasim pak për qytetarin e thjeshtë. Gjithë kjo situatë ka rrezik të krijojë mosbesim të madh në të, apo jo?

Ajo, që ndiejnë më shumë qytetarët është se sot, kanë rënë të ardhurat e sipërmarrësve të vegjël - artizanë, pronarë restorantesh, baristë. Janë në vështirësi edhe kompanitë e mëdha, por ndoshta, më të prekurit janë të vegjlit dhe të punësuarit prej tyre. Ndihet frika që bashkësia e kombit, ku bëjnë pjesë, nuk ka forcë t’i mbështesë deri sa ta marrin veten. Në nivelin evropian, shteti gjerman, për shembull, do t’ia dalë, por, vendet më të ligshta politikisht dhe ekonomikisht, janë gjithnjë e më pak në gjendje ta imagjinojnë të ardhmen, veçanërisht për të rinjtë.

21 maj 2020, 14:58