Kërko

2019.05.17 San Pasquale Baylon 2019.05.17 San Pasquale Baylon 

Më 17 maj kalendari kishtar kujton shën Pashk Bajlonin

Ky frat i përvujtë, Pashk Bajloni që nuk e ndjeu veten të denjë për t’u shuguruar meshtar, ishte vërtetë bir i Rrëshajëve, që do të thotë, i pajisur nga Shpirti Shenjt me dhurata të shumta, ndërmjet të cilave, dhantia e dijes së frymëzuar nga qielli.

R.SH. - Vatikan

Më 17 maj kalendari Kishtar përkujton Shën Pashk Bajlonin, rregulltar françeskan. Një përkim i posaçëm bashkon ditën e lindjes e të vdekjes së Shën Pashkut Bajloni, që njihet si Pajtor i shoqatave eukaristike: lindi ditën e Rrëshajëve të vitit 1540 në Torre Hermosa të Spanjës e vdiq në afërsi të Valencies, në Villa Real, ditën e Rrëshajëve të vitit 1592.

Ky frat i përvujtë, i cili nuk e ndjeu veten të denjë për t’u shuguruar meshtar, ishte vërtetë bir i Rrëshajëve, që do të thotë, i pajisur nga Shpirti Shenjt me dhurata të shumta, ndërmjet të cilave, dhantia e dijes së frymëzuar nga qielli.

Pashk Bajloni ishte i pashkollë. Vitet e jetës rregulltare i kaloi duke kryer shërbimin e portierit. E megjithatë konsiderohet si “Teologu i Eukaristisë”, e jo vetëm për fjalimet që u mbajti kalvinistëve të Francës mbi Eukaristinë, gjatë udhëtimit të tij në Paris, por edhe për shkrimet që i la trashëgim Kishës. Ndër shqiptarë emri i Shenjtit ka marrë trajtat Pashk, Pashko, Pashuk, Shuk, Paç e Paskal, ndërsa ndër vajza, Pashkë e Paskualina.

17 maj 2020, 10:58