Kërko

Vatican News
cappella redemptoris mater nella ii loggia del palazzo apostolico in vaticano  cappella redemptoris mater nella ii loggia del palazzo apostolico in vaticano  

Pashkët dhe udhëtimi drejt Rrëshajëve

Posa kemi kremtuar Ngjalljen e Krishtit dhe jemi në udhëtimin tonё shpirtëror drejt Rrëshajëve. Ditët ndërmjet të Dielës së Ngjalljes dhe të Dielës që vjen pas, quhen “Tetëditëshja e Pashkëve”, sepse krijojnë idenë e një dite e një ngjarjeje të vetme.

R.SH. - Vatikan

Kemi filluar tetëditëshen e Pashkëve dhe jemi në udhëtim drejt Rrëshajëve. Ditët ndërmjet të Dielës së Ngjalljes dhe të Dielës që vjen pas, quhen “Tetëditëshja e Pashkëve”, sepse krijojnë idenë e një dite të vetme. Po cila është domethënia e Tetëditshes së Pashkëve?

Pse dita që vjen menjëherë pas Pashkëve, quhet e Hëna e Engjëllit?
Pashkët janë kulmi i Liturgjisë së krishterë e i jetës së krishterë, sepse pikërisht për Pashkë Krishti vdiq e u ngjall për ne e na dhuron vetveten në Shpirtin Shenjt. Ja pse ky mister kryesor i mbush plot zemrat, fenë e vetë liturgjinë. E ja pse në histori u ndje nevoja për ta zgjeruar, në një farë mënyre, begatinë e emocioneve të kësaj dite që është dita e ditëve e që kujtohet çdo të diel në mister, përmes kremtimit të një Tetëditsheje, që quhet Tetëditëshja e Pashkëve. Janë tetë ditë që konsiderohen si një ditë e vetme, dita e të Ngjallurit, drita e të cilit duhet përvetësuar gjithnjë më thellë, pikërisht duke e kundruar e duke vijuar ta kundrojmë misterin e këtij takimi me të Ngjallurin, që e ndryshon rrënjësisht jetën tonë. Pra mund të themi se kjo është javë hiri, në të cilën duhet t’i hapim zemrat për të vërshuar ndër to, bukuria e Krishtit të ngjallur.

Pse dita e parë pas Pashkëve quhet‘e Hëna e Engjëllit’?
Kjo e hënë quhet tradicionalisht e Hëna e Engjëllit, për të nënvizuar një element të ngjarjes së madhe të Pashkëve e pikërisht çastin kur Maria Magdalena shkon në kopsht, dëgjon dikë që e thërret e kujton se është kopshtari. Në të vërtetë në këtë figurë gjejmë diçka shumë të bukur, idenë e kopshtit të parë në botë, kopshtit të Parajsës Tokësore, që rikrijohet e përtëritet nga Ai që u ngjall. Engjëjt kanë një rol të rëndësishëm në ngjarjen e madhe të Pashkëve. Ata u kumtojnë grave që shkojnë te varri, se Krishti nuk është më aty. Janë, pra, dëshmitarë që përhapin gëzimin e lajmit të bukur e përvojën e zemrës së re që Krishti ka ardhur të na dhurojë me vdekjen e ngjalljen e Tij.

Ç’do të thotë të jetosh si i ringjallur në jetën e përditshme?
Jeta e krishterë është jetë që buron nga Pashkët, nga Krishti i Gjallë e kjo do të thotë që bashkon në mënyrë të pandashme vdekjen e ringjalljen, dhimbjen e gëzimin, errësirën e dritën. Ky është reflektimi që duhet të bëjë gjithnjë i krishteri, duke kujtuar pagëzimin e vet, që do të thotë zhytje në misterin e Pashkëve. Kjo konkretisht do të thotë se në këtë botë s’ka të krishterë që të mos mund të shkëputet nga përvoja e errësirës dhe e dhimbjes. Krishti erdhi të na shpëtojë nga mëkati, Krishti erdhi t’i japë kuptim vuajtjes sonë e errësirës sonë, por ne do të jemi plotësisht të lirë vetëm atëherë kur ta kundrojmë fytyrë për fytyrë, në lumninë e Ditës së tetë, në lumninë e Pashkëve të mbramë e përfundimtare të Jeruzalemit qiellor. Në një farë mënyre stili i Pashkëve të jetës është të jetosh çdo ditë me zemrën e festës.

Siç dihet, menjëherë pas kremtimit të Pashkëve nis koha që na përgatit për Rrëshajë. Si duhet jetuar këtë kohë kishtare e shpirtërore?
Koha e Pashkëve është kohë e Kishës. Libri i Veprave të Apostujve është Ungjilli i Kishës. Na përshkruan pikë për pikë përhapjen dhe rrezatimin e dëshmisë së Pashkëve në Kishën që po lindte, nga Jerusalemi e në mbarë botën. Është, pra çasti në të cilin duhet të rizbulojmë hirin e madh se bëjmë pjesë në Kishë, se jemi mbledhur nga i Ngjalluri me forcën e Shpirtit të Tij të Shenjtë, i cili na bashkon përmes Fjalës së Zotit e sakramenteve, por edhe çasti për të rizbuluar urgjencën e transmetimit të kësaj dhurate të mrekullueshme që na ofron Krishti Gjallë, përmes dëshmisë të dashurisë, të fesë e të shpresës, si në marrëdhëniet e përditshme, ashtu edhe në vrullin e ri të veprimtarisë sonë misionare, për t’ua kumtuar edhe atyre që nuk e njohim akoma, bukurinë e Krishtit, fuqinë e Dritës së Ngjalljes së Tij

15 prill 2020, 09:35