Kërko

Vatican News
2019.04.20 Cristo Risorto 2019.04.20 Cristo Risorto 

Krishti Gjallë na nxit ta përhapim Ungjillin e Jetës

Dita e dytë e Ngjalljes së Krishtit, e Hëna e Engjëllit, zgjat galdimin e kumtimit të Pashkëve, prandaj edhe një herë të gjithëve urime: Për shumë vjet Pashkët! Krishti u ngjall! Aleluja! Edhe ne sot, Jezusi, i Ngjalluri na përsërit të bëhemi, pa frikë, lajmëtarë e Tij e t’i kumtojmë mbarë botës lajmin e Ngjalljes së Tij. S’ka pse të trembet ai që e takon Jezusin e ngjallur dhe e lëshon vetveten në duart e Tij.

R.SH. - Vatikan

Krishti Gjallë na nxit ta përhapim Ungjillin e Jetës në realitetin e jetës së përditshme.

Sot është ditën e dytë e Ngjalljes së Krishtit, e Hëna e Engjëllit, që zgjat galdimin e kumtimit të Pashkëve, prandaj edhe një herë të gjithëve urime: Për shumë vjet Pashkët të gjithëve! Krishti u ngjall! Aleluja!

Jemi akoma plot me galdimin shpirtëror që sjellin kremtimet solemne të Pashkëve në zemrën e besimtarëve. Me këtë kumtim e brohori Kisha e kremton sot të Hënën e Engjëllit. Këtij misteri kaq të madh të Ngjalljes së Krishtit, liturgjia nuk i kushton një ditë të vetme, por pesëdhjetë ditë, do me thënë gjithë Kohën e Pashkëve, që përfundon me Rrëshajët.

E Diela e Pashkëve, pastaj është një ditë krejtësisht e veçantë, që shtrihet në të gjithë hapësirën e kësaj jave, deri të dielën e ardhshme, duke formuar kështu Tetëditshen e Pashkëve. Në atmosferën e gëzimit të solemnitetit, liturgjia e sotme na çon te varri i Krishtit, ku kishin shkuar Maria e Magdalës dhe Maria tjetër, të nxitura nga dashuria e pakufishme për Jezusin.

Ungjilltari nga Mateu (Mt 28,8-15) tregon se Krishti iu afrua grave e u tha: “Mos kini frikë! Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi të më presin në Galile. Atje do të më shohin!” E, duke përshkuar gëzimin e jashtzakonshëm që ndjenë gratë kur e panë përsëri Zotin dhe vrapimin e tyre plot entuziazëm për t’u bërë pjesë në këtë gëzim edhe nxënësve, shohim se ky gëzim nuk i përket një kohë të largët, por të gjitha kohërave, nuk është vetëm i të krishterëve të parë, por i gjithë njerëzve, të çdo kohe e të çdo vendi, sepse Krishti erdhi për të shëlbuar mbarë njerëzimin.

Edhe neve sot, ashtu si këtyre grave që nuk iu ndanë Jezusit në orën e mundimeve, i Ngjalluri na përsërit të bëhemi, pa frikë, lajmëtarë e Tij e t’i kumtojmë mbarë botës lajmin e Ngjalljes së Tij.  S’ka pse të trembet ai që e takon Jezusin e ngjallur dhe e lëshon vetveten në duart e Tij. E Kisha na porosit të gjithë të krishterëve ta përhapin në të katër anët e botës këtë lajm të madh, që ia ndryshoi rrjedhën historisë njerëzore. Ky është mesazhi që të krishterët janë të thirrur ta përhapin deri në kufijtë më të largët të botës. Feja e krishterë nuk lind nga pranimi i një doktrine, por nga takimi me një Vetje, takimi me Krishtin e Ngjallur.

Në jetën tonë të përditshme nuk mungojnë rastet për t’ua përcjellë të tjerëve në mënyrë të thjeshtë e bindëse fenë tonë. E duhet ta kemi mirë parasysh se është më urgjente se kurrë që burrat e gratë bashkëkohës ta njohin e ta takojnë Jezusin e, në sajë edhe të shembullit tonë, ta lenë vetën të pushtohen nga Ai.

E të ndalemi pak te figura e Virgjërës Mari në orën e Engjëllit, që kumtonte Ngjalljen. Ungjilli nuk thotë asgjë për Marinë, po tradita e krishterë dëshiron ta kundrojë kur galdon më shumë se kushdo tjetër, në sa përqafon përsëri Birin e saj hyjnor, të cilin e mbajti me dhimbje të parrëfyeshme në prehër kur e zbritën nga kryqi. Tani, pas Ngjalljes, Nëna e Shëlbuesit galdon së bashku me miqtë e Jezusit, që krijojnë Kishën në fasha.

Ndërsa shijojmë urimet më të përzemërta të Pashkëve, ti lutemi Mbretëreshës Qiellore ta mbajë të gjallë në zemrën e secilit nga ne besimin në Ngjalljen e të na bëjë lajmëtarë të shpresës e të dashurisë së Krishtit.

13 prill 2020, 10:56