Kërko

Vatican News
 San Francesco da Paola San Francesco da Paola 

Më 2 prill, kalendari kishtar kujton shën Françeskun nga Paola

Shën Françeskun nga Paola, themelues i Urdhrit të Fretërve vetmitarë të vegjël, në moshën katërmbëdhjetë vjeçare e braktisi familjen e qytetin dhe shkoi të strehohej mes maleve, i vendosur për ta kaluar krejt jetën si vetmitar. Por një ditë një gjahtar, u tërhoq nga qeni i tij drejt shpellës së vetmitarit dhe nuk iu duk e vërtetë që të mund t’ua tregonte njerëzve. Shumë të rinj shkuan tek ai

R.SH. - Vatikan

Më 2 prillkalendari kishtar përkujton shën Françeskun nga Paola, vetmitar, themelues i Kongregatës oshënare paolane apo të Urdhrit të Fretërve vetmitarë të Vegjë, pajtor qiellor i Kalabrisë dhe i  detarëve italianë. 

Figura e shembulli tij janë nxitje për të gjithë bijtë e tij shpirtërorë si dhe ata, që e kanë pajtor qiellor, ta jetojnë mesazhin e tij për kthimin e përhershëm në rrugën e Zotit, sepse ky mesazh vijon të na flasë për dashurinë e pakushtëzuar ndaj Zotit, vëllezërve e krijimit.

Në vitin 1943 shën Françesku nga Paola, vetmitar i hershëm, është shpallur pajtor qiellor i lundërtarëve, megjithëse nuk kishte vënë këmbë asnjëherë në një anije. Ky titull i është dhënë duke u mbështetur mbi një tregim popullor, nga i cili mësohet se: Françesku gjatë njërit prej shumë shtegtimeve, pasi kishte mbërritur në Ngushticën e Mesinës (Itali), u kërkoi disa peshkatarëve që ta kalonin për të shkuar në Sicili, pasi ata i refuzuan (ndoshta stuhia e detit kërkonte kujdes) e shtriu pelerinën mbi sipërfaqen e ujit dhe mbi atë varkë të pazakonshme kaloi drejt ishullit. Feja i lëviz edhe malet.

Kjo dhe të tjera mrekulli ia përhapën famën e shenjtërisë, të cilën e gëzonte që në rini, kur në moshën katërmbëdhjetë vjeçare e braktisi familjen e qytetin dhe shkoi të strehohej mes maleve, i vendosur për ta kaluar krejt jetën si vetmitar.

Humbën gjurmët e tij, ose ndoshta asnjëri prej familjarëve nuk u shqetësua që të shkonte për ta kërkuar. Por një ditë një gjahtar, u tërhoq nga qeni i tij drejt shpellës së vetmitarit dhe nuk iu duk e vërtetë që të mund t’ua tregonte njerëzve. Shumë të rinj shkuan tek ai. Në atë kohë rinia tërhiqej edhe nga shembulli i shenjtërve.

Ishte kështu që Françesku nga Paola i dha jetë urdhrit të fretërve rregulltarë më të vegjël, do të thotë ndjekësve të fundit të shën Françeskut të Asizit. Dhe një papë me emrin  Françesk (Siksti V) e aprovoi, por në këmbim i kërkoi të plotësonte kërkesën e mbretit të Francës, Luigjit XI, i cili ishte i sëmurë dhe e priste shërimin përmes ndërmjetësimit të fratit mrekullibërës, fama e të cilit i kishte kaluar Alpet.

Frati i përvuajtur nuk iu shmang misionit që ia besoi papa. U nis drejt veriut, mbërriti, Zoti e di se si, në Plessis – les – Tours, për të ngushëlluar të sëmurin e famshëm i cili nuk ishte aspak i gatshëm të vdiste; nuk ia shëroi trupin, por shpirtin, dhe e ndihmoi të pranonte vullnetin e Hyjit duke e përforcuar me anë të sakramenteve.

Mbreti i ri që u vendos në fronin e Francës pas Luigjit XI arriti ta mbante në Plessis shenjtin për ta pasur si këshilltar dhe rrëfyes. Këtu Françesk di Paola kaloi pjesën tjetër të jetës. U kanonizua dymbëdhjetë vjet pas vdekjes.

02 prill 2020, 09:33