Kërko

Vatican News
 San Giuseppe lavoratore San Giuseppe lavoratore 

Më 19 mars festa e Shën Jozefit, Pajtor i Kishës universale

Nënshtrim absolut para vullnetit të Zotit, lëshim i plotë i vetvetes në dorën e Zotit, bindje absolute përballë planit hyjnor të shëlbimit, edhe në gjërat më të natyrshmet, siç është dëshira e atësisë natyrore. Në këtë Jozefi ishte plotësisht heroik e gati gati i parapriu përgjigjes “Po, o Atë!” që do të jepte Jezusi.

R.SH. - Vatikan

Më 19 mars bashkësia kishtare kremton Shën Jozefin, fat i Virgjërës Mari e Pajtor i Kishës universale. Sipas traditës, në festën e atit të adoptuar të Jezusit, kremtohet edhe festa e baballarëve. 

Ky kremtim ka rrënjë të thella biblike: Jozefi është patriarku i fundit, të cilit Zoti i flet përmes udhës së përvuajtur të ëndrrave. Ashtu si Jozefi i Besëlidhjes së Vjetër, Shën Jozefi zdrukthëtar është njeri i drejtë e besnik (Mt 1,19), që Zoti e ka zgjedhur si rojtar të shtëpisë së vet. Ai lidh Jezusin, mbretin mesianik, me pasardhësin e Davidit. Fati i Marisë dhe ati adoptuar i Jezusit, Jozefi e udhëheq Familjen Shenjte në ikje dhe në kthim nga Egjipti, duke përshkuar rrugën e Daljes.

Papa Piu IX e shpalli Pajtor qiellor të Kishës Universale; Papa Gjoni XXIII e radhiti emrin e shën Jozefit në Kanunin Romak (Meshari Romak). Po kujtojmë se Papa Shën Gjon Pali II i kushtoi figurës dhe misionit të Shën Jozefit në jetën e Krishtit e të Kishës, nxitjen Apostolike “Redemptoris Custos” - “Rojtari i Shëlbuesit”, nënshkruar më 15 gusht 1989.

Kur është fjala për Shën Jozefin, nuk mund të mos meditojmë për vlerën e një Shenjti, përvujtëria dhe thjeshtësia e të cilit tingëllojnë si provokim për epokën tonë, e cila kujdeset kryesisht për t’u dukur sa më shumë, ku e si të mundet. Për një Njeri, që dëshiron të fshihet, të bëhet sa më i padukshëm, ballë për ballë njeriut, i cili bën çmos të duket, të njihet, të mbahet me të madh.

Pra, Shën Jozefi ishte njeri i drejtë, zbatues i ligjit, me profesion marangoz, që vuajti dramën e amësisë së mistershme hyjnore të Marisë. I lajmëruar nga Zoti në ëndërr, Jozefi e pranoi me fe planin e Hyjit. 40 ditë pas lindjes së Jezusit, Jozefi me Marinë e çuan foshnjën Hyjnore në Jeruzalem për ta paraqitur në tempull e atje takuan plakun Simeon, i cili parafoli një ardhmëri të vështirë e të mistershme për këtë fëmijë. 

Jozefi e dëgjoi dhe i besoi përsëri Zotit. Kur Jezusi mbushi 12 vjet, prindërit e morën me vete në shtegtim drejt Jerusalemit; e ja se në kthim e sipër, pa i njoftuar, Jezusi u ndalua në qytet. E ëma e pyeti pse ua kishte shkaktuar këtë pakënaqësi e Jezusi u dha një përgjigje që as Maria e as Jozefi nuk e kuptuan. E Jozefi uli kokën e u bind. Ky pra është Shën Jozefi: një besimtar që e ka lëshuar plotësisht vetveten në duart e Zotit.  Nganjëherë të krijohet përshtypja se figura e Shën Jozefit mbetet paksa e fshehur në hagjiografinë klasike. 

Për Shën Jozefin Ungjijtë dokumentojnë vetëm heshtjen e kjo po, është e jashtëzakonshme. Nënshtrim absolut para vullnetit të Zotit, lëshim i plotë i vetvetes në dorën e Zotit, bindje absolute përballë planit hyjnor të shëlbimit, edhe në gjërat më të natyrshmet, siç është dëshira e atësisë natyrore. Në këtë Jozefi ishte plotësisht heroik e gati gati i parapriu përgjigjes “Po, o Atë!” që do të jepte Jezusi. 

Koncili II i Vatikanit ia ka kushtuar kapitullin V të Kushtetutës mbi Kishën ku flitet për thirrjen e të gjithë të pagëzuarve për të ecur në rrugën e shenjtërisë. E Papa Gjon Pali II, në Letrën apostolike Tertio Millennio adveniente, propozoi një punë baritore të zakonshme për promovimin e shenjtërisë. Me fjalën shenjtëri nënkuptonte dhuratën për të jetuar çdo ditë si bij të Zotit, duke bërë vullnetin e Atit. Shën Jozefi jetoi pikërisht kështu. E jetoi me besnikëri të jashtëzakonshme jetën e zakonshme që i kishte caktuar Zoti. 

Baballarët e sotëm mund të nxjerrin shumë mësime nga figura e Shenjtit. Duhet të mësojnë sidomos se bijtë janë dhuratë e madhe e Zotit, se duhen dashur e nuk duhen zotëruar. Kanë nevojë absolute për ndihmë gjatë rritjes, por gjithnjë duke respektuar lidhjen e tyre me Zotin e me vullnetin e Tij. Në një farë pike, Jozefi zhduket: ndër Ungjijtë mbetet vetëm Jezusi. Kjo është edhe metafora e atit që pak nga pak u jep bijve pavarësinë. Madje, duhet t’i ndihmojë që kjo pavarësi të arrihet sa më mirë që të jetë e mundur.

19 mars 2020, 10:58