Kërko

Vatican News
I Lumi Dom Ndré Zadeja, martir, prift, poet e atdhetar I Lumi Dom Ndré Zadeja, martir, prift, poet e atdhetar 

I Lumi Dom Ndré Zadeja, martir, prift, poet e atdhetar i flakët

Më 25 mars kujtojmë përvjetorin e pushkatimit të të Lumit Dom Ndré Zadejës, meshtar, poet e atdhetar i flakët. Dom Zadeja, largpamës , i pati drejtuar popullit e rinisë këto fjalë profetike: “Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me jo o të rij. Një re e zezë ngarkue me ideologji të kuqe po dyndet mbi krenat tona. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë shka me i ba, veç me i bajtë e me sprovue të këqijat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin”.

R.SH. - Vatikan

Shfletojmë kalendarin për të përkujtuar sot, 25 mars, 75-vjetorin e pushkatimit të të Lumit dom Ndré Zadejës, meshtar, poet e atdhetar i flakët. Dom Ndré Zadeja është një nga 38-të martirët e Kishës katolike shqiptare, që u shpallen të Lumë, më 5 nëntor 2016, në Katedralen e Shën Shtjefnit, në Shkodër nga i dërguari i Papës Françesku, Kardinali Angelo Amato, asokohe Prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve.

Falë rrënjëve të lashta e historisë së pasur, krishterimi i dha një kontribut të rëndësishëm kulturës dhe shoqërisë shqiptare si dhe shprehjeve të saj shpirtërore e fetare. Ishte, kjo, gurra nga e cila qe ushqyer martiri i Lumo dom Ndré Zadeja e shumë e shumë të tjerë, gjatë kalvarit të diktaturës komuniste.

Dom Ndré Zadej qe martiri i parë i tërbimit komunist të E. Hoxhës mbi Kishën katolike në Shqipëri e një dëshmitar i jashtëzakonshëm i fesë së krishterë dhe i vlerave kulturore e atdhetare të kombit shqiptar.

Dom Ndré Zadeja, prift, dramaturg, poet e prozator, lindi në Shkodër më 3 nëntor 1891. Tri klasët e para të shkollës fillore i kreu në një shkollë italiane, ndërsa nga klasa e katërt e më tej studioi në Kolegjin Saverian, drejtuar nga Jezuitët. Studimet e larta i kreu në Insbruk të Austrisë më 1916. Po në këtë vit u shugurua meshtar. U kthye menjëherë në atdhé e pikërisht në vendlindje. Pati fatin ta kremtonte meshën e parë në Kishën e Zojës pranë kështjellës Rozafa të Shkodrës, ku nderohej e nderohet edhe sot, Zoja e Këshillit të Mirë, pajtorja qiellore e shqiptarëve. Ishte një ditë e bukur pranvere, 26 prill 1916.

Falë aftësive e kulturës së tij të gjerë, dom Ndré Zadeja e nisi shërbimin meshtarak si sekretar i ipeshkvit imzot Serreqit dhe si zëvendës-famullitar, deri në vitin 1922. Në këtë vit u emërua famullitar në Mal të Jushit, prej nga vijoi shërbimin meshtarak e ungjillor në Bogë, për të kaluar më pas në Shkrel e Sheldi. U arrestua nga regjimi komunist gjatë shërbimit në këtë fshat më 4 shkurt 1945.

Kujtojmë se më 16 gusht të vitit 1944, ndërsa në fshatin Shirokë afër Shkodrës kremtohej festa e Shën Rrokut, gjatë procesionit tradicional në shtigjet e vlerta të malit Tarabosh, dom Ndré Zadeja, meshtar shembullor e predikatar në zë dhe largpamës , i pati drejtuar popullit e sidomos rinisë këto fjalë profetike : “Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me jo o të rij. Një re e zezë ngarkue me ideologji të kuqe po dyndet mbi krenat tona. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë shka me i ba, veç me i bajtë e me sprovue të këqijat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin”.

E i pari që do t’i përjetonte të këqijat e dyndjes së resë së zezë me ideologji të kuqe, do të ishte pikërisht ai që i shqiptoi këto fjalë tre muaj para se të hynte komunizmit në Shqipëri e shtatë muaj para se të pushkatohej pas murit të varrezave katolike, me 25 mars 1945.

Dom Ndre Zadeja u pushkatua pa gjyq më 25 mars 1945 njëherësh me 14 burra: e në mes tyne kreshniku i maleve Prek Cali, si dhe Luigj Kastrati, Ndok Bardhoku, Ndrekë Loka, Arif Hyseni, Dedë Lulash Smajli, Gjok Nikaj, Dul Bajrami, Mark Luc Gjoni, Tomë Daka, Maliq Bajrami, Gjokë Voci, Pjetër Gjedashi. e t’iu kujtojmë emnat të gjithëve me nderim. Dom Ndré Zadeja u vra me akuzën se kishte fshehur bashkëvallin prift, një nga figurat më të ndritura të shkollës letrare të jezuitëve, dom Lazër Shantojën, edhe ai ndër martirët e Kishës shqiptare, për të cilët tashmë faza e procesit kanonik kishtar i ka kaluar Vatikanit për miratimin e beatifikimit të tyre.

Më 25 mars 1945 Shkodra e tmerruar asistonte pushkatimin e parë të një kleriku katolik, të cilin e kishte njohur e dashur me shpirt për shërbimin e tij të jashtëzakonshëm meshtarak, për atdhetarinë e tij e për talentin e shquar që gjeti shprehjen e vet në melodramat e para të letërsisë shqipe “Ora e Shqypnisë”, “Hijet e zeza”, “Rrethimi i Shkodrës”, “Rozafa”, “Ruba e kuqe”, kurse “Shpella e Bogdanit” mbet dorëshkrim e tjera, të cilat u vunë në skenën e teatrit të jezuitëve në Shkodër e më vonë edhe në teatrin e Tiranës e vijuan të lexoheshin, edhe kur nuk mund të viheshin më në skenë, sepse të ndaluara nga regjimi komunist.

Në rrugët e rrugicat e shtrembëta të Shkodrës, njëkohësisht me breshërinë e mitralozave të diktaturës ateiste, që këputnin një nga lulet më të bukura të letrave shqipe, për ta lënë vetëm në kërcej të thatë traditën katolike e atë shqiptare në përgjithësi, u ndje zëri i lebetitur: “Kanë grì dom Ndrenë!”.

E tani, kur figura e tij gjigante nderohet si i Lum, në nderime të altarit, Kisha katolike e kombi duhet të krenohen me këtë martir të parë të Kishës katolike shqiptare të persekutimeve të egra të periudhës komuniste, me tingujt e melodramave të tij e sidomos me dëshminë e një jete flijuar për Fe e Atdhé.

Ndre Zadeja (1891-1945)

Kumbona e Sheldîs

Në qelën e Sheldîs gjindet nji kumbonë e vjetër, por e plasun, e shkrîme në vjetin 1583, me këto germa: Z. B. TON. F. MCLXXXIII. Ká nji stemë në të cillin shifet nji hyll a lule me tetë maje e dy bishta, si edhe ftyrat e dy Shêjtnave.
Tue ia lane studjuesave t’arkeologjís shvillimin e atyne germave, po na kândet me pershkrue gojdhanen e kësajë kumbonë, rrumi i së cillës, i shkurtuem prej nji magjypi në kohën e salvimit fetár prej anes së Vezirave, gjindet endè sot në dorë t’onë, e provon vertetsín e asajë gojdhane. Në vjetin 1775 Vizitatorit apostolik Emz. Gasprit, i rá në sy kjo kumbonë, e shkrou per tê se “mbi nji kishëz vetmitare d.m.th. shêjtnore lerg banuesave, të ruejtun ende mjeft mire, ká pasë si per mrekulli  nji kumbonë nja 20 kg, tinglli fort të kandshëm.” Nji prift trim e i kujtueshëm prej Sheldîje e pështoi prej duerve dhunuese të fanatikve.
[...]
Ishin kohnat e Vezirit
qi dhunoj hiri e pa hiri,
streha shêjte e kuminare,
çka kjè besë e fé shqiptare...
Me’m jetima, pa kumbonë
Dyqind vjet s’ju ndi jehonë
brunxit shêjt, veç n’at Sheldî,
kumboj lét per mrekullí...
Prifti i vjetër, trim me orë,
çueka thirrsat n’Vjerdhasorë,
(vjerdhasort’ miqt e Vezirit
shkurtojn’ krena mbas dishirit).
Na vên’ thirrsat doren n’parzem:
“Jeni t’thirrun t’hanen n’darzëm:
Prifti i jon’ pá shkues, pá shkuese,
t’hânen nade zblon ‘i nuse.”
Ç’po vlon pushka krep e n’krep,
Priten desh e rrxohen sjep,
vjami i deshvet dy gisht trashë
vlojn’ kazanat n’farken “Bashë”.
Ka dal’ Prifti e po rri n’derë,
Vjerdhasorve po u bâ nderë,
po u bâ nder’, po u rri në kambë,
dý topanxhet nën dollamë.
Dý topanxhe, dy kumarë,
kjén ’i nder’ per prift shqiptár!
Ndezet kânga neper ajr,
vjerdhasort’ i a bâjn’: “Per hajr!”
Hahet, pihet, sofra çohet,
nusja e priftit po e qet zân’:
(kerset pushka ân’ e m’ânë)
dâng, e dâng... e n’vesh t’Vezirit.
“Kush âsht aj qafir qafirit
(nuk kam t’ngim’ m’e pá n’çengel
qi per báll aj sot mue më del?
Disá vjet, mâ s’kan kalue,
njimí kish’ per tok’ jan’rrxue,
Kaq guxim nji prift sot pat
Me at kumbon’ m’u çue lugat?”
“Shqipëtar’ na jém si t’part,
Vezir, priftin mos e çart,
s’çartet mik pá i çart kumarë,
Njikshtû e ká kombi shqiptarë.”
Foli Vjerdha, pá ngurrue.
Dyqind vjet na ké ushtue,
dyqind vjet’ kumbon’ jehove,
shoqet n’dhé, ti m’kamb’ qindrove,
vezirlíve u prishe gjumin,
nji magjyp ta shkurtoj rrumin...
[...]
D. Ndré Zadêja
(prej melodramít kombtár “Ruba e kuqe”) Marrë nga “Kumbona e s’Dielles”, Kallnduer 1938, nr. 1. (marre nga Albanova)

25 mars 2020, 16:50