Kërko

Vatican News
 Jezusi qetëson stuhinë Jezusi qetëson stuhinë 

Coronavirus, rast për të medituar mbi kuptimin e jetës

Bota moderne do ta kishte quajtur përrallë, realitetin e krijuar nga një sëmundje kaq e papritur, kaq ngjitëse e kaq e përhapur me shpejtësinë e rrufesë nëpër botë. Nëpër atë botë, që besonte se epidemitë e kësaj natyre i përkisnin një të kaluare të perënduar një herë e përgjithmonë. Që mund ta gjesh vetëm në rrëfimet e kohëve të largëta. A në librat e lashtë. Po epidemia e nisur në Kinë, po shtegton me shpejtësinë e murtajës nëpër botë. E as vendet më të zhvilluara nuk po mund t’ia ndalin hovin. A nuk është ky rast për të medituar për botën? Për jetën? Për vlerën dhe kuptimin e saj?

R. SH. - Vatikan

Emergjenca e coronavirus po shkakton, në vendet ku përhapet,  ndryshimin e rrufeshëm të mënyrës së jetesës. Njerëzit detyrohen t’i ndërrojnë zakonet e, për të ruajtur jetën, të mbyllen në mjediset shtëpijake, duke hequr dorë nga ritmi i ethshëm i deridjeshëm, pa të cilin mendohej se nuk kishte kuptim të jetoje. Deri disa nga kishat, në vendet e prekura nga Covid 19, për të respektuar kërkesat e qeverive, po i ndërpresin kremtimet e Meshës Shenjte. E kjo tregon se emergjenca duhet përballuar me një sjellje të dyfishtë. Së pari, ndonëse në distancë të detyruar nga rreziku i ngjitjes, duhet të jemi më shumë se kurrë pranë njeri-tjetrit. Shpitërisht! Sepse kjo është ndjenja më e thellë e më ngushëlluese për njeriun, në një situatë të tillë. Pa harruar t’i ndjekim porositë e autoriteteve e duke u detyruar të bëjmë shumë sakrifica, që e ndryshojnë ritmin e jetës, me të cilin jemi mësuar. Sjellje praktike, këto. Por që na shtyjnë doemos të meditojmë për kuptimin e vetë jetës, të ritmit të përditshëm e të fundit të saj. Që mund të na trokasë pa pritur e pa u kujtuar te porta. Të meditojmë për situatën e emergjencës. Për  këtë  situatë dramatike, që nuk dihet kah na vjen e që s’po mund ta ndalojë as shkenca moderne. Nuk mund të mos na lindë, pra, pyetja “Pse jetoj?”; “Për kë?”. “Ç’kuptim ka shtegtimi im tokësor, që mund të arrijë papritur në atë cak, të cilin nuk e kisha menduar kaq të shpejtë?”… E, në përpjekjen për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve ekzistenciale, mendimi nuk mund të mos shkojë shumë përtej masave, që duhen marrë për ta përballuar sëmundjen. Atëhere krijesa ndjen fuqimisht nevojën e bashkësisë së krishterë, larg çdo përgojimi. Ndjen nevojën e pranisë së Krijuesit. Ka etje e uri për Eukaristinë.

Në këto kohë të vështira nuk mungojnë as ata, që e shikojnë përhapjen e virusit si ndëshkim hyjnor. Prej këndej, edhe një breshëri pyetjesh të tjera: “Thua mundet Zoti i gjithëfuqishëm ta ndëshkojë kaq rëndë njeriun krejt të pafuqishëm? Zoti që na do aq shumë? Aq sa mori mbi vete të keqen tonë, mëkatin tonë dhe e gozhdoi mbi kryq?”. Për pyetjet tona ka një përgjigje të vetme: “Zoti nuk mund ta përdorë sëmundjen si armë të hakmarrjes, si kërcënim. Ideja e dënimit hyjnor, nuk bën pjesë në vizionin e krishterë. E qartë, pastaj, se kjo është temë e ndërlikuar. Gjithsesi, asnjë i krishterë nuk duhet të mendojë se Zoti vendosi të na dënojë në këtë mënyrë ne, mëkatarët, që të mund të kthehemi në rrugën e Tij! Ka mijëra mënyra të tjera Zoti, për të na kthyer në atë rrugë të mbarë, deri te caku i mbramë, që nuk është aspak e thënë të varet nga Covid 19!”. 

09 mars 2020, 13:15