Kërko

Vatican News
Marrëveshje për paqen ndërmjet  SHBA e talebanëve Marrëveshje për paqen ndërmjet SHBA e talebanëve   (ANSA)

Afganistan: marrëveshje për paqen ndërmjet SHBA e talebanëve

U nënshkrua, në Doha të Katarit, marrëveshja për paqe ndërmjet SHBA-ve dhe talebanëve, pas 18 vjet lufte. E nënshkruan i dërguari i posaçëm amerikan për Rajonin, Khalilzad dhe kreu politik i talebanëve, mullah Ghani Baradar.

R. SH. - Vatikan

Marrëveshja, e nënshkruar pas një jave armëpushimi në terren, i hap rrugën fillimit të bisedimeve ndërmjet milicive rebele dhe qeverisë së Kabulit. SHBA-të, nga ana e tyre, dhanë njoftimin për tërheqjen e plotë të trupave, duke përfshirë edhe ato të Natos, brenda prillit 2021 e duke i reduktuar përgjysëm gjatë 135 ditëve të ardhshme. Përpjekjet diplomatike  për arritjen e kësaj marrëveshjeje zgjatën më se një vit e gjysëm. Është një  etapë, që synon arritjen e cakut përfundimtar, vendosjen e paqes në një vend ku, sipas një komunikate të OKB-së, u vranë 3400 civilë për shkak të konfliktit, që vijon në këto troje prej dy dekadash. Marrëveshja u nënshkrua nga i dërguari amerikan për Afganistanin, Zalmay Khalilzad dhe zëvendës-kryetari i talebanëve, anëtar i qeverisë së kryengritësve, mullah Abdul Ghani Baradar. Të dy i shtrënguan dorën njëri-tjetrit, të ndjekur me brohori nga të pranishmit. Ndërmjet tyre, edhe sekretari  i Shtetit amerikan, Mike Pompeo, sipas të cilit marrëveshja u krijon afganëve kushtet për të marrë në dorë fatet e ardhmërisë së vendit!

Miratim nga ana e bashkësisë ndërkombëtare

Presidenti Trump, që gjatë fushatës elektorale pati premtuar se do t’i  rikthente trupat në atdhe, e shikon nënshkrimin e marrëveshjes së Dohës si sukses në politikën e jashtme e, sidomos, si “mundësi historike për  vendosjen e paqes afatgjatë në Afganistan”. Konflikti në vendin aziatik i kushtoi SHBA-ve rreth 2000 miliard dollarë e më se 3500 ushtarë të koalicionit (2400 amerikanë), e paguan me jetë, njëherësh me mijëra ushtarë e civilë afaganë. “SHBA-të - lexohet në një notë të Shtëpisë së Bardhë - do të vijojnë të punojnë me aleatët  dhe partnerët e tyre  për ta monitoruar situatën e për t’i  ruajtur sukseset e 19 vjetëve të fundit”. Marrëveshja miratohet edhe nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres; nga Nato dhe nga Përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrel, i cili e quajti nënshkrimin, “hapi i parë i rëndësishëm përpara në procesin e paqes e rast që nuk duhet humbur”. Sidoqoftë, nuk duhet harruar se ky është vetëm një hap drejt paqes!

 

01 mars 2020, 11:54