Kërko

Vatican News
 Në perëndim të diellit Në perëndim të diellit 

Shpirti im ka ngut…

Kemi dy jetë. E jeta e dytë nis kur kujtohesh se ke një jetë të vetme. Që duhet të dish ta jetosh!

R. SH. - Vatikan

I numërova vitet e mia e zbulova se më ka mbetur shumë më pak kohë, sesa ajo që e jetova deri më sot.  

Ndjehem si ai fëmija, që i dhurojnë një pako me ëmbëlsira: të parat i ha me kënaqësi, po kur e sheh se i kanë mbetur pak, nis t’i shijojë edhe më shumë. E t’i përtypë dalë-nga-dalë.

Nuk kam më kohë për mbledhje pa fund, ku diskutohen statute, rregulla, procedura…

Ku fliten fjalë boshe! Duke e ditur mirëfilli se asgjë nuk do të ndryshojë!

Nuk kam kohë për të ndihmuar njerëz që, pavarësisht nga mosha, janë ende ferishte djepi.

Më mbetet pak kohë. Tepër pak. Dua thelbin! Dua të gjej fillin e humbur, që lidh qiellin me dheun. Të luaj me dritën e diellit, të shkel mbi dëborën e bardhë, në muzgun e ditëve të mia.

Shpirti im ka  ngut. Në paketë më kanë mbetur shumë pak ëmbëlsira!

Dua të jetoj pranë njerëzve shumë njerëzorë, që dinë të tallen me gabimet e tyre, që nuk fryhen me triumfet, që janë në gjendje t’i marrin mbi vete përgjegjësitë.

E, kryesore, është  të jetoj një jetë që ia vlen!

I rrethuar nga njerëz, që dinë t’i prekin zemrat, njerëz, të cilët goditjet e rënda të jetës i mësuan të rriten. Njerëz me shpirt!

Po, po, kam shumë ngut! Ngut  për të jetuar me atë ritëm, që mund ta japë vetëm pjekuria.

Nuk dua ta humbas asnjë nga ëmbëlsirat, që më mbetën! I sigurt se do të jenë shumë më të këndshme, nga ato që i shijova deri tani.

Qëllimi im është të arrij fundin i kënaqur, në paqe me të dashurit e mi e me ndërgjegjen time. Ta jetoj edhe pikën e fundit të qiriut të jetës në djegie! Ta këndoj këngën e jetës deri në sosje të vetëdijes;

deri në nisjen drejt një bote tjetër;

derisa të shkel në shtigjet që  të çojnë te Drita…

Kemi dy jetë. E jeta e dytë  nis kur kujtohesh se ke një jetë të vetme. Që duhet të dish ta jetosh!   

Përkthyer lirisht nga Mario de Andrade (San Paolo, 1893-1945), poet, romacier e muzikolog.

22 shkurt 2020, 13:27