Kërko

Vatican News
2020.02.13 Mediterraneo frontiera di Pace Mediterraneo frontiera di Pace 2020.02.13  

Ipeshkvijtë e Mesdheut në Bari të Italisë për të biseduar për paqen e vëllazërimin

Nga data 19 deri më 23 shkurt në Bari të Italisë një konfrontim sinodal mbi fenë, vëllazërimin, lirinë fetare, luftërat dhe varfërinë. Punimet e takimit do të mbyllet nga Papa Françesku me kremtimin e Meshës së Shenjtë dhe lutjen e Engjëllit Tënzot. Takimi i Barit u paraqit para gazetarëve të mërkurën në Romë.

R.SH. - Vatikan

"Për t'u dhënë zë shpresave të popujve që kufizohen me Mesdheun". Kështu tha kardinali Gualtiero Basetti, president i Konferencës Episkopale italiane dhe i kryeipeshkvi i Perugia-Città della Pieve, gjatë paraqitjes zyrtare të takimit të Barit, që mbahet nga data 19 deri më 23 shkurt mbi temën “Mesdheu, kufij i paqes".

Së bashku me kardinalin Bassetti, takimin e Barit, që i kushtohet një reflektimi dhe spiritualitetit për paqen në Mesdhe, para gazetarëve e paraqiti edhe imzot Antonino Raspanti, zëvendës president i Konferencës Episkopale italiane dhe kryeipeshkvi i Bari-Bitonto, imzot Cacucci.

Punimet e takimit në Bari, në të cilin do të marrin pjesë ipeshkvijtë katolikë të 20 vendeve të ndryshme që janë përreth Detit Mesdhe, organizuar nga Konferenca episkopale katolike italiane, do të mbyllen nga Papa Françesku, të dielën më 23 shkurt, me kremtimin e Meshës solemne dhe lutjen e mesditës të Engjëllit Tënzot.

Një konfrontim i lirë e vëllazëror

Në takimin e Barit, që ka karakteristikat e një sinodi, sipas kardinalit Bassetti "nuk gjendemi përballë një konference shkencore-kulturore, takimi nuk është as një konferencë në të cilën eksperimentohen forma të reja të dialogut ndërfetar. Është, tha kardinali italian, diçka e ndryshme dhe e veçantë, për shumë aspekte edhe unik, sepse shpreh veçanërisht mënyrën tonë më autentike të jetesës e të qenies Kishë, që u jep zë vështirësive dhe shpresave të popujve të Mesdheut".

Temat e konfrontimit dhe e dialogut ndërmjet 58 ipeshkvijve e patriarkëve që marrin pjesë në takimin e Barit do të lidhen thellë me paqen, vëllazërimin, lirinë fetare, marrëdhëniet ndërmjet Kishës e shoqërisë, me gjendjen e shëndetit të vetë Kishave lokale, që janë të sprovuara nga probleme dhe sfida të ngjashme. Megjithatë, në takimin e Barit nuk do të ketë një agjendë të parapërgatitur për diskutim: do të lihet një hapësirë e lirë për dialogun vëllazëror dhe veprimin e Shpirtit  Shenjt.

Bassetti: Mesdheu të jetë  kufi paqeje

"Qëllimi i takimit tonë – shpjegoi kardinali Bassetti – është ajo që sugjeroi Giorgio La Pira: Mesdheu duhet të kthehet për të qenë një vend i takimit të qytetërimeve, një vend i zhvillimit të krishterimit, një kufi paqeje. Ka kaq shumë padrejtësi në brigjet e Mesdheut, ka situata lufte, varfëri ekstreme, refugjatë. Është një grumbull problemesh, sot, në Mesdhe...". E kardinali Bassetti njoftoi se nga takimi i Barit do të lindë edhe një "reagim i qetë por baritore e Kishës". Një përgjigje që do ta shohë dritën duke filluar nga dimensioni thelbësor i lutjeve”.

Në gjurmët e "profetit të paqes" Giorgio La Pira, ipeshkvijtë e Mesdheut, në takimin e Barit,  do të diskutojnë për të gjetur e treguar, së bashku, shtigjet konkrete që çojnë drejt pajtimit dhe vëllazërimit ndërmjet popujve, në një zonë të karakterizuar nga luftërat, persekutimet, emigracionet, pabarazitë.

13 shkurt 2020, 15:07