Kërko

Vatican News
Ipeshkvi shqiptar Imzot Nikë Prela Ipeshkvi shqiptar Imzot Nikë Prela 

Ipeshkvi shqiptar Imzot Nikë Prela në 24-vjetorin e vdekjes

Jetoi me Zotin e për Zotin, me popullin e për popullin, duke shkrirë të gjitha energjitë e veta për ta ndriçuar me dritën e Ungjillit. Si meshtar, punoi me të gjitha forcat, me fjalë e me vepra për të kumtuar Ungjillin e Krishtit; si ipeshkëv, tregoi kujdes të veçantë për thirrjet meshtarake dhe talentet e reja, duke i hapur rrugën lulëzimit të veprimtarisë fetare-kulturore-atdhetare.

R.SH. - Vatikan

Sot, më 25 shkurt 2020,  në Kishën Katedrale Shën Nënë Tereza në Prishtinë u bë rivarrimi i ipeshkvit ndihmës të dioqezës Prizren-Shkup, Imzot Nikë Prelës, në përkim me 24-vjetorin e kalimit të tij në amshim.

Eshtrat e imzot Nikë Prelës, që deri më tani kanë pushuar në varrezat e Prizrenit, u barten në kriptën e Kishës Katedrale Shën Nënë Tereza në Prishtinë.
Për këtë ditë Dioqeza dioqezane e Prizren-Prishtinës ka përgatitur një program në tri pika: mbajtjen e një simpoziumi, kremtimin e Meshën Shenjte dhe një akademi përkujtimore, me të cilat deshi të shënojë këtë ngjarje të rëndësishme për Kishën e Kosovës.

Imzot Nikë Prela, ipeshkëv ndihmës i dioqezës së Shkup-Prizren, ndërroi jetë më 25 shkurt 1996, lindi në Kotorr më 3 qershor 1918. Ndoqi rrugën e meshtarisë, që e çoi në detyrën e lartë të ipeshkvit të dioqezit të lashtë të Shkup-Prizrendit, bari i të cilit qe qysh nga viti 1970 deri në vdekje.

Imzot Nikë Prela jetoi me Zotin e për Zotin, me popullin e për popullin, duke shkrirë të gjitha energjitë e veta për ta ndriçuar me dritën e Ungjillit. Si meshtar, punoi me të gjitha forcat, me fjalë e me vepra për të kumtuar Ungjillin e Krishtit; si ipeshkëv, tregoi kujdes të veçantë për thirrjet meshtarake dhe talentet e reja, duke i hapur rrugën lulëzimit të veprimtarisë fetare-kulturore-atdhetare, botoi një sërë veprash, ndërmjet të cilave, 'Fjalorin Biblik'.

Si atdhedashës, të cilit i dhimbsej vendi e populli i vet, trokiti portë më portë në zyrat e larta kudo nëpër botë për të mbrojtur me kërrabën e bariut, grigjën që i qe besuar, rrethuar nga ujqërit e uritur. Dha kështu një kontribut të shquar në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, veçmas të Kosovës.Mbylli sytë më 25 shkurt 1996.

Në 24-vjetorin e kalimit të tij në amshim të Prelatit shqiptar, kujtojmë sidomos veprën që i la trashëgim Kishës katolike dhe popullit shqiptar, duke mbetur kështu i gjallë në kujtesën e gjindes së vet. Shfletuam sot arkivin tonë, po shkëpusim një fragment nga një intervistë me Imzot Nikë Prelën për redaksisë shqipe te Radio Vatikanit, kur kishte ardhur në Romë për t’i kërkuar Papës Gjon Pali II ndihmë për Kosovën, këtë fragment simbolik:....

arkivi jonë dhe shkëputem nga një intervistë e tij e dhënë radios sonë, kur kishte ardhur në Romë për t’i kërkuar Papës Gjon Pali II ndihmë për Kosovën

Për figurën e imzot Nikë Prelës, përveç një mori shkrimesh që na la trashëgim, studimesh, artikujsh, kujtimesh e shënimesh të tjera, është edhe një monografi e plotë, shkruar nga Frrok Kristaj. Në këtë përvjetor, në figurën e Imzot Nikë Prelës, nuk mund të mos kujtojmë e njofim ‘njeriun me ideale të larta fetare e kombëtare, të pranishëm në ngjarjet më të rëndësishme politike e patriotike’, bashkëpunimin e tij të ngushtë me dr. Ibrahim Rugovën për njohjen dhe për statusin e Kosovës, pa harruar kurrë misionin e tij të madh fetar e human, si bari shpirtrash. Nuk duhen harruar as vizitat e misionet me interes kombëtar të Imzot Prelës nëpër botë si dhe shumë vepra tjera të këtij Prelati shqiptar të nderuar.

25 shkurt 2020, 16:40