Kërko

Masat kundër koronavirusit në Kinë Masat kundër koronavirusit në Kinë  (AFP or licensors)

Virusi i Kinës: epidemia përhapet me shpejtësi

81, viktimat e virusit, që po përhapet me shpejtësi në Kinë. Presidenti i Institutit të Mjekësisë së Universitetit të Hong Kongut, prof. Gabriel Leung, deklaroi sot se numri i njerëzve të sëmurë mund të dyfishohet çdo javë, nëse virusi vijon të përhapet më këtë shpejtësi e nëse autoritetet shëndetësore nuk ndërhyjnë masivisht.

R.SH. - Vatikan

Janë tashmë 81 viktimat e virusit, që po përhapet me shpejtësi në Kinë. Autoritetet e Pekinit i kanë shtyrë deri më 2 shkurt, pushimet e Vitit të Ri kinez, në mënyrë që njerëzit të mos lëvizin nga shtëpia. Sipas njoftimeve zyrtare, të sëmurët nga koronavirusi (siç quhet virusi i ri) kanë arritur shifrën 2.744 vetë, por lajme të pakontrolluara nga regjimi komunist kinez e rrisin këtë shifër së paku deri në 90 mijë vetë.

Impenjimi ndërkombëtar

         Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se po punohet “24 orë në ditë e çdo ditë” për ta mbështetur Kinën dhe popullin e saj “në këtë çast të vështirë”. OBSH-ja “po informon gjithë vendet për këtë situatë e po jep direktiva të veçanta për mënyrën e reagimit”.

         Sot, drejtori ndodhet në Pekin, ndërsa kryeministi kinez Li Keqiang shkoi në Wuhan, qyteti i provincës së Hubeit, ku u shfaq virusi për herë të parë. Ai u takua me mjekët e spitalit, që krerët e Pekinit kanë dhënë urdhër të ndërtohet menjëherë, për t’i bërë ballë emergjencës. Ndërkaq, revista prestigjoze shkencore “The Lancet” shkruan se pacientit të parë i janë shfaqur simptomat më 1 dhjetor 2019 e asnjë nga familjarët nuk ka pasur ethe, ose probleme të tjera. Gjithashtu, nuk ka lidhje epidemiologjike ndërmjet këtij pacienti dhe rasteve të tjera.

Koronavirusi, i ngjashëm me Sars, por jo aq vdekjeprurës

         Siç kanë vërejtur ekspertët, koronavirusi është mjaft i ngjashëm me virusin Sars, që shkaktoi qindra të vdekur në Kinë, para disa vitesh, por nuk është aq vdekjeprurës sa ai. Veçse, përhapet shumë shpejt. Virusi ka mbërritur në Kanada, në Australi numërohet rasti i pestë, pastaj, në Korenë e Jugut, në Tajlandë e në SHBA. Gjithnjë, është fjala për njerëz, që kanë qenë në Wuhan e janë kthyer në shtëpitë e tyre, duke sjellë me vete edhe mysafirin e paftuar e tepër të rrezikshëm. Vende të ndryshme të botës po organizohen për të tërhequr qytetarët e tyre nga Wuhani, ndërsa Mongolia, në kufi me Kinën, ka mbyllur kufijtë. Deri më 2 mars, do të mbeten mbyllur edhe të gjitha universitetet, shkollat, kopshtet e çerdhet, pavarësisht se në Mongoli akoma nuk ka raste të sëmurësh me koronavirus.  

Eksperti i Hong Kongut: numri i të sëmurëve mund të dyfishohet çdo javë

         Bashkësia shkencore vijon punën për të gjetur sa më shpejt vaksinën kundër këtij virusi, ndërsa presidenti i Institutit të Mjekësisë së Universitetit të Hong Kongut, prof. Gabriel Leung, deklaroi sot se numri i njerëzve të sëmurë mund të dyfishohet çdo javë, nëse virusi vijon të përhapet më këtë shpejtësi e nëse autoritetet shëndetësore nuk ndërhyjnë masivisht. Studimin e tij, profesori, i cili është njëkohësisht edhe drejtor i një Qendre botërore epidemiologjie në Hong Kong, ua ka dorëzuar autoriteteve të Pekinit, Hong Kongut, si edhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Sipas llogarive të tij, numri i pacientëve, përfshirë ata që akoma nuk kanë shfaqur simptomat e sëmundjes, mund të jetë rreth 44 mijë e do të arrijë pikun e vet në periudhën ndërmjet gjysmës së prillit e gjysmës së majit, në qytetet e mëdha. Për të shmangur këtë, do të duhej të merreshin “masa thelbësore drakoniane, që kufizojnë lëvizjen e popullsisë, shpejt e pa humbur kohë”, nënvizon profesori.

27 janar 2020, 13:59