Kërko

Prof. Anton Çeta Prof. Anton Çeta 

Prof. Anton Çeta, në 100 vjetorin e lindjes

Prof. Anton Çeta, gjakovari madh, intelektuali i ndritur, mbledhësi shquar i folklorit, shkrimtari njohur e pajtuesi i palodhur i gjaqeve, në 100 vjetorin e lindjes. Punoi shumë edhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në pajtimin e gjaqeve e dha kontribut të veçantë në përforcimin e rrugës për liri e pavarësi të Kosovës.

R.SH. - Vatikan

Kujtojmë, sot më 3 janar, prof. Anton Çetën, gjakovarin e madh, intelektualin e ndritur, mbledhësin e shquar të folklorit, shkrimtarin e njohur e pajtuesin e palodhur të gjaqeve, në 100 vjetorin e lindjes.

Prof. Anton Çeta lindi në Gjakovë më 3 janar 1920. Mësimet e para i mori në vendlindje, të mesmet në Tiranë, në Korçë e në Milano të Italisë. Deri në vitin 1950 studioi romanistikë në Universitetin e Beogradit ku, posa u diplomua, nisi punën e asistentit në katedrën e albanologjisë.  Me hapjen e fakultetit filozofik të Prishtinës, Prof. Anton Çeta u emërua ligjërues për letërsinë e vjetër shqipe. Nga viti 1968 e deri sa doli në pension, vijoi të punonte së bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, duke kryesuar degën e folklorit dhe botimin e revistës “Gjurmime albanologjike” – folklor e etnologji.

Pikërisht letërsisë gojore popullore shqiptare i kushtoi përpjekjet më të mëdha të jetës. Prof. Anton Çeta la pas si autor apo si bashkautor 20 vëllime, bazë e rëndësishme për studimin e folklorit.
Ai u bë i njohur edhe si poet i letërsisë fëmijnore dhe si përkthyes nga frëngjishtja, italishtja e serbo-kroatishtja. Nga gjuha frënge përktheu disa prej veprave të Alfons Dodesë e të Gi Mopasanit; nga gjuha italiane, vepra të Edmond D’Amicis e Alberto Moravias. Nga kjo gjuhë përktheu edhe veprën lirike të Pashko Vasës “Trëndafil e gjemba”.

Që nga viti 1990 prof. Anton Çeta u vu në krye të aksioni mbarë popullor për pajtimin e gjaqeve në Kosovë e jashtë saj, duke dhënë një ndihmesë shumë të madhe për zhdukjen e hasmërive, për shërimin e shoqërisë shqiptare e pajtimin e njerëzve duke zgjuar ndërgjegjësimin për vlerën e paçmueshme që është jeta, dhuratë e Zotit. Prof. Anton Çeta u bë kështu, që për së gjalli, institucion i urtisë së popullit shqiptar, zbulues i thesarit të tij e i shpirtit të tij.

Anton Çeta qe njohës i thellë i shpirtit e i thesareve të kombit shqiptar, studiues e hulumtues me horizont të gjerë i kulturës e posaçërisht letërsisë shqiptare, në mënyrë të veçantë iu kushtua mbledhjes dhe studimit të folklorit shqiptar. Shkrimtar, mbledhës e studiues i letërsisë popullore, përkthyes i jashtëzakonshëm, prof. Anton Çeta mes tjerash shkroi: “Në prehën të gjyshes”, “Tregime popullore të Drenicës”, “kërkime folklorike” etj.
I saktë, i njerëzishëm, i drejtë, fisnik, atdhetar e besimtar 

Mbeti në kujtesën e njerëzve e të historisë: i saktë, i njerëzishëm, fisnik e dinjitoz, i dashuruar me kulturën e popullit të vet: të vjetër e të re, të pashkruar e të kultivuar, ashtu si dhe me kulturën perëndimore e me gjithçka bën pjesë në thesarin e krijuar nga mendja e zemra njerëzore. Prof. Anton Çeta punoi shumë edhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në pajtimin e gjaqeve e dha kontribut të veçantë në përforcimin e rrugës për liri e pavarësi të Kosovës. Vdiq më 2 nëntor 1995.

Po kujtojmë disa prej veprave të tij: “Këngë dasme” I-II, Anekdota I; “Vajtime, gjëmë dhe elegji”. “Rapsodi e një poeme shqiptare” të De Radës; “Në prehën të gjyshes” (1955); “Tregime popullore të Drenicës” I-II(1963); “Kërkime folklorike” (1981); “Nga folklori ynë I-II” (1983-1989).

03 janar 2020, 14:45