Kërko

Vatican News
Rijeka e Galway - kryeqytetet evropiane të Kulturës 2020 Rijeka e Galway - kryeqytetet evropiane të Kulturës 2020 

Kryeqytetet evropiane të kulturës: Matera dhe Plovdivi ia kalojnë stafetën Rijeka-s dhe Galway-t

Synimi i nismës së Bashkimit Evropian për të shpallur çdo vit një “kryeqytet evropian të Kulturës” është ky: “Të nxirret në dritë pasuria dhe larmia e kulturave në Evropë, të kremtohen karakteristikat kulturore të përbashkëta për gjithë evropianët, të ndihet se qytetarët evropianë i përkasin një hapësire të përbashkët kulturore, të promovohet kontributi i kulturës në zhvillimin e qyteteve”.

R.SH. - Vatikan

Nga Matera (Itali) dhe Plovdivi (Bullgari), që ishin “kryeqytetet evropiane të Kulturës” gjatë vitit 2019, më 1 janar 2020, stafeta do t’u kalojë qyteteve Rijeka (Kroaci, https://rijeka2020.eu/en /) dhe Galway (Irlandë, https://galway2020.ie/en/). Në 12 muajt e këtij viti, qyteti i Materës realizoi një gamë shumë të gjerë me ngjarje kulturore dhe artistike, që tërhoqën dhjetëra mijëra vizitorë në “qytetin e Gurëve”, ku Gurët janë, në të vërtetë, shtëpi të ndërtuara në shkëmb. Ky është edhe synimi i nismës së Bashkimit Evropian për të shpallur çdo vit një “kryeqytet evropian të Kulturës”: “Të nxirret në dritë pasuria dhe larmia e kulturave në Evropë, të kremtohen karakteristikat kulturore të përbashkëta për gjithë evropianët, të ndihet se qytetarët evropianë i përkasin një hapësire të përbashkët kulturore, të promovohet kontributi i kulturës në zhvillimin e qyteteve”.

Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, kjo nismë jep mundësi për rikualifikimin e qyteteve, vlerësimin e imazhit të tyre në sytë e banorëve, ndihmon turizmin, forcon lidhjet e tyre ndërkombëtare. Rijeka e Kroacisë ka programuar një ngjarje përuruese më 1 shkurt 2020, rreth temës së “ujit, punës e migracionit”. Do të mbahet në portin e qytetit, që është edhe pika kryesore për përcaktimin e identitetit të banorëve. Ndërkaq, ishulli irlandez Galway, ka parashikuar më 10 shkurtin e ardhshëm, një koncert me temë “Imagjinoni Irlandën”, me zëra femërorë. Në të dyja qytetet do të zhvillohen ngjarje të rëndësishme kulturore gjatë gjithë vitit 2020.

31 dhjetor 2019, 09:01