Kërko

Vatican News
 Imzot Pjeter Bogdani Imzot Pjeter Bogdani  

Imzot Pjetër Bogdani dhe Evropa, në një Simpozium në Tiranë

Me rastin e 330 vjetorit të vdekjes së imzot Pjetër Bogdanin, ipeshkvit, teologut, shkrimtarit e atdhetarit të madh shqiptar, fondacioni ‘Imzot Lucjan Avgustini’, FILA dhe Akademia e Studimeve Albanologjike organizuan në Tiranë një simpozium shkencor.

R.SH. - Vatikan

Siç njofton në web faqen revista fetaro-kulturore ‘Drita’ e dioqezës së Prizren-Prishtinës, më 20 nëntor 2019 në Tiranë u bajt një Simpozium shkencor për Imzot Pjetër Bogdani, me rastin e 330 vjetorit të kalimit të tij në amshim,  me temë “Përmasa evropiane e Pjetër Bogdanit”.  http://www.drita.info/2019/11/21/simpozium-shkencor-ne-tirane-permasa-europiane-e-pjeter-bogdanit/?fbclid=IwAR2HTXd9bY45PJ-8AFmF6SwAeI-s4CiIcF_355KJabFep0vijL4QE3yTteI

Simpoziumi u organizua nga Fondacioni Imzot Lucjan Avgustini – FILA dhe Akademia e Studimeve Albanologjike, në Muzeun Kombëtar të kryeqytetit të Shqipërisë, në sallën “Konstantin Shpataraku”. E morën pjesë Nunci Apostolik në Tiranë, Imzot Charls J. Brown, Argjipeshkvi i Tiranë-Durrësit e Kryetari i Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë, Imzot George Frendo, Argjipeshkvi i Tivarit në pension e presidenti i fondacionit “FILA”, Imzot Zef Gashi, Argjipeshkvi i Tivarit dhe administratori ad interim i dioqezës së Kotorit, Imzot Rrok Gjonlleshaj, ipeshkvi i dioqezës së Sapës, Imzot Simon Kulli, Ipeshkvi i Prizren-Prishtinës, Imzot Dodë Gjergji, kryetari i Bashkisë së Tiranës, meshtarë nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova, studiues, shkrimtarë e personalitete tjera.

Akademia e Studimeve Albanologjike në bashkëpunim me Fondacioni Imzot Lucjan Avgustini, përmes personaliteteve të letrave shqipe, solli në vëmendje edhe njëherë pas 3 shekujsh kontributin e vyer të një prej klerikëve që identitetin kombëtar, krahas atij fetar, e pati në qendër të  jetës dhe të veprimtarisë së tij si prift, ipeshkëv, kryeipeshkëv dhe shqiptar.

Me veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme kishtare, atdhetare e politike shumë vjeçare, si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689 dhe me kryeveprën e tij teologjike “Cuneus Prophetarum”, apo sipas përkthimit të françeskanit të madh At Justin Rrotës “Çeta e profetëve”, ipeshkvi shqiptar imzot Pjetër Bogdani konsiderohet si kultivues e ndriçues i ndërgjegjes shqiptare dhe pararendës i hershëm i lëvizjes së Rilindjes Kombëtar.

Moderator i këtij simpoziumit të përmendur qe Tomë Preka, i cili në fillim paraqiti shkurtimisht arsyen e këtij Simpoziumi, pastaj fjalën hyrëse e pati presidenti i fondacionit Fondacioni Imzot Lucjan Avgustini - ‘Fila’, Imzot Zef Gashit, i cili paraqiti historikun dhe veprimtarinë e këtij fondacioni. Të pranishmit u përshëndeten edhe nga Imzot George Frendo, Kryetari i Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë e, Nunci Apostolik Imzot Charls J. Brown, i cili tha se “Bogdani ka qenë njeri nga ato figura që më ka bërë të hyjë në historinë e Kishës katolike ndër shqiptarë dhe kulturës shqiptare, pasi ky ishte një intelektual i kalibrit të lartë të kulturës katolike shqiptare”, dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Erion Velijaj. 

Pas fjalëve përshëndetëse filloi pjesa e kumtesave. I pari ishte Dom Lush Gjergji, me temën “Vizioni evropian i një Bariu si Pjetër Bogdani”.  Ai e vlerësoi figurën e Bogdanit si njeri me vizion të qartë të krishterë dhe evropian,  një figurë që mund të jetë model edhe për kohën tonë, në rrugën e perforcimit të identitetit dhe të integrimeve europiane.

Ligjërata e dytë u mbajt nga Prof. Dr. Evalda Paci, me temën “Homazh ma të vjetrit ndër shkrimtarët e hershëm të shqipës Imzot Pjetër Bogadani”, pastaj foli Prof. Dr. Agron Gjekmarkaj, me temë “Pjetër Bogdani – ideologu i identitetit të Shqiptarëve”. Ligjëratën e fundit e mbajti Prof. Dr. Anila Omari, me temën “Me frymë atdhetare dhe iluministe: përpjekje e Pjetër Bogdanit për pasurimin e gjuhës letrare shqipe”.

Pas ligjëratave, Simpoziumi vazhdoi me pyetje e opinione të ndryshme nga të pranishmit. Në këtë pjesë foli edhe ipeshkvi i Prizren-Prishtinës Imzot Dodë Gjergji, i cili kujtoi disa nga thëniet më të njohura të Imzot Pjetër Bogdanit që na shërbejnë si udhërrëfyes për jetën e Kishës dhe të kombit. Në vazhdim e mori fjalën edhe kryeipeshkvi i Tivarit Imzot Rrok Gjonlleshaj, i cili e quajti Imzot Bogdanin shembull i bariut të mirë shqiptar.

Nga ky Simpozium që doli në pah se Pjetër Bogdani është një kolos shumëdimensional dhe që duhet të studiohet, të promovohet e të bëhet figurë e njohur nga gjeneratat e reja; figurë kyçe e shekullit të shtatëmbëdhjetë; prozator dhe lëvrues i gjuhës së kultivuar shqipe.

Me datën 6 dhjetor do të bëhet një aktivitet i ngjajshëm edhe në katedralen e Prishtinës, ne perkim më datën e vdekjes. Siç dihet më 6 dhjetor 1689 Imzot Pjetër Bogdani ndërroi jetë në Prishtinë nga epidemia e murtajës. Ai është një personaliteti i shquar i Kishës shqiptare, kombit dhe kulturës shqiptare. Imzot Pjetër Bogdani shquhet jo vetëm si meshtar e ipeshkëv i madh, por edhe si atdhetar, dijetar e letrar që dha kontribut të çmueshëm në përpjekje për çlirimin e popullit dhe vendit nga zgjedha osmane si dhe për zhvillimin e përparimin e kulturës së shqiptarëve.

24 nëntor 2019, 16:59