Kërko

Vatican News
 Memoriali i paqes në Hiroshimë Memoriali i paqes në Hiroshimë 

Nga Hiroshima, dy fjalë për jetën: është e çmuar!

Toshiko Tanaka është një nga gratë e Hiroshimës, që shpëtoi nga vdekja në kohën kur bomba atomike shpërthente mbi qytetin, duke lënë pas pluhur, hi e rrezatime, që vijonin të mbidhnin vdekjen. Në mikrofonet tona nuk pushon së foluri, nga Japonia, për vlerën e paqes, domethënë, të jetës. Kujton takimin me Gjon Palin II, ndërsa pret Françeskun.

R. SH. - Vatikan

Ajo u kthye nga viset e vdekjes, në jetë. E u rikthye falë artit, rrugë që e ndihmoi të mbetet gjallë, pasi jetoi një tragjedi të parrëfyeshme. Në moshën 81 vjeçe, Toshiko Tanaka kujton fëmijërinë e saj të bombarduar, por pa e humbur shpresën. Gjatë shtegtimit apostolik që pati bërë Wojtyla në Vendin e Lindjes së Diellit, në vitin 1981, pati rastin t’i dhurojë një nga veprat e saj, sepse ajo është artiste. E kjo e mbushi me dëshirë për ta vijuar jetën e shpëtuar për mrekulli, që rijeton sot në kujtimet e saj.

Dy fjalë, për atë ditë….?

“Atë ditë të vitit 1945 isha 6 vjeç e 10 muajsh. Shkoja në shkollën fillore. Deri gjashtë ditë para se të shpërthente bomba, familja ime banonte rreth 500 metra larg epiqendrës. Pranë shtëpisë sime ishte një shkollë foshnjore, ku u ndërtua, më pas, muzeu historik i kësaj ngjarjeje. Autoritetet vendase  të kohës na ftuan të zhvendoseshim, për të krijuar një korridor kundër zjarrit. Shkuam tek disa miq, e kjo na shpëtoi jetën. Ndërsa nga shokët e shoqet e mia mbeti vetëm një grusht hi!”.

Atë mëngjes nëpër rrugë shëtiste vdekja….

“Atë mëngjes po shkoja në shkollë. Ishte ora 8.15, kur dikush lëshoi një klithmë. Ngrita sytë lart e pashë një dritë verbuese, si të kishin shpërthyer njëherësh me mijëra llamba. Gjithçka u bë e bardhë. Mbulova sytë me krahun e djathtë, ndërsa ndjeva se po më digjej shpina. Një herë gjithçka u zbardh. Më pas u nxi krejt. U rrëmbeva sakaq nga një stuhi rëre. Dielli u  bë i zi e goja ime u mbush me pluhur. Vrapova drejt shtëpisë, po shtëpia pothuajse qe zhdukur. I kish mbetur vetëm një cep çatie, nëpër të cilin, më në fund, pashë një copë qielli blu. Pamja e kësaj copëze qielli më shoqëroi, si shenjë shprese, për gjithë jetën. Edhe tani, në moshë të shkuar, më jep guxim. Sot ndjehem mirë pikërisht falë kësaj iskre të kaltërt. Që më kujton gjithnjë qiellin”.

Praktikoni ndonjë fe të veçantë?

“Po, jam budiste, por nëse do të duhej të shpreh atë, që ndjej vërtet, do të thosha: ‘besoj në qiellin!’”.

Si e kapëcyet këtë tmerr të jashtëzakonshëm?

“Duke krijuar. Jam artiste. Përdor zmaltin shumëngjyrësh. Krijoj piktura, por nuk ia kam dalë kurrë mbanë ta pikturoj mesazhin mizor të shpërthimit atomik! Madje as fëmijëve të mi nuk kam mundur t’ua tregoj, atë që jetova. Kur dua të flas për të, më ngec fjala në fyt. E mesazhi mbetet i pathënë. Po kur ia dhurova një nga veprat e mia Gjon Palit II,  ai e kapi instinktivisht mesazhin, pa patur nevojë për asnjë shpjegim. Që asokohe nisa t’ia kushtoj veprat mesazhit të paqes, kumtit antiatomik. Ndonëse e ndjej veten fajtore, kur mendoj për shokët e mi të vdekur për tmerr, gjë që më pengoi ta rrëfej historinë time. Në vitin 2008 fillova të marr pjesë në ekuipazhin “Peace Boat”. Atëhere u binda se duhet ta tregoja historinë time. Se duhet të rroja, për të treguar! Atëhere e rindërtova shtëpinë, që të mund të pres çdo njeri, i cili dëshiron të njihet me përvojën time të jetës së rigjetur, pasi pashë vdekjen me sy”.

Si e jetoni vizitën e Papës Françesku?

“Kam shumë shpresë. Rreziku bërthamor nuk ka marrë fund. Është gjithnjë shumë i fortë. Dua ta dëgjoj mesazhin e Françeskut për ne. Kanë kaluar shumë vite, ndaj duhet një mesazh i ri e i fuqishëm për paqen. Dëshiroj të përforcohem nga fjala e tij, që është gjithnjë në mbrojtje të jetës. Jeta është e çmuar!  E përsëris gjithnjë, me pasion: “Mbrojeni jetën. Vlen shumë!”.

23 nëntor 2019, 13:12