Kërko

 La Comissione del Congresso di Manastir sull'alfabeto della lingua albanese del 1908 La Comissione del Congresso di Manastir sull'alfabeto della lingua albanese del 1908 

Nga 14 deri më 22 nëntor 1908 në Manastir lindte alfabeti i sotëm i shqipes

Kongresi i Manastirit u mblodh nga 14 deri më 22 nëntor 1908 për të vendosur për problemin e ndërlikuar të alfabetit. U organizua nga shoqëria Bashkimi dhe u propagandua nga Mid'hat bej Frashëri në revistën e tij Lirija

R.SH. - Vatikan

Kongresi i Manastirit u mblodh nga 14 deri më 22 nëntor 1908 për të vendosur për problemin e ndërlikuar të alfabetit. U organizua nga shoqëria Bashkimi dhe u propagandua nga Mid'hat bej Frashëri në revistën e tij Lirija:"... ardhi një ditë e pëlqyerë për istorinë tonë, që të nisim liruar' e papengim të punojmë për mbrodhësin' e lumtërin' e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, po me kartë e pëndë, andaj kjo çështje e Abecesë lipsetë të jetë fillim, që pa atë nuku do mundim të harijmë qëllimetë tona të lartëra për mbrodhësi të gjuhësë."- Kështu shkruante Mid'hat bej Frashëri, që e drejtoi këtë mbledhje, ku morën pjesë delegatë të të gjitha besimeve nga mbarë Shqipëria dhe kolonitë shqiptare jashtë.

Ndër pjesëmarrësit e shquar qenë Atë Gjergj Fishta, dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Luigj Gurakuqi dhe Hilë Mosi nga Shkodra; Shahin bej Kolonja dhe Petro Nini Luarasi nga Kolonja; Thoma Abrami nga Korça; Sotir Peci nga Bostoni, dhe Bajo Topulli e familja Qiriazi nga Manastiri.

Kongresi zgjodhi një komision prej njëmbëdhjetë antarësh nën kryesinë e Atë Gjergj Fishtës për të studiuar problemin e alfabetit e për të dalë me propozime. U arrit menjëherë në mendimin e përbashkët që alfabeti t’i shërbente kryesisht forcimit të unitetit kombëtar. Nismëtar i kësaj frymne qe Atë Fishta i cili shpjegoi se sido që i dërguar prej shoqërisë Bashkimi, s’ ishte aty thjeshtë për të mbrojtur abece-në, por për të gjetur një rrugë që çonte në bashkimin e përgjithshëm.

Tre alfabetet kryesorë që u morën në shqyrtim qenë: alfabeti i shoqërisë letrare Agimi të Shkodrës i propozuar nga dom Ndre Mjeda; alfabeti i shoqërisë letrare Bashkimi të Shkodrës, i hartuar nga Imzot Prenkë Doçi dhe alfabeti i Stambollit, i hartuar nga Sami bej Frashëri. Toskët ishin më fort për alfabetin tradicional të Stambollit, kurse gegët zakonisht pëlqenin alfabetin e Bashkimit, i cili ishte më praktik për botimet, sepse nuk kishte shkronja jolatine.

U shqyrtuan gjithashtu edhe dy alfabete të tjerë, alfabeti grek i përdorur nga Kostandin Kristoforidhi, dhe alfabeti arab, të cilin shumë myslimanë të devotshëm, sidomos në Maqedoni e Kosovë, vazhduan ta shohin si të vetmen zgjidhje edhe për shumë kohë pas Kongresit. Komisioni vendosi të pranojë variantet e modifikuara të alfabeteve të Bashkimit e të Stambollit.

Të dy mund të përdoreshin në shkolla e në botime. Pranimi nga të gjithë i vendimit të komisionit do të donte ende shumë kohë, por, me vendimin për të mbështetur një zgjidhje kompromisi, kongresi shtroi rrugën për kalimin shkallë-shkallë nga alfabeti i respektuar i Stambollit, te alfabeti i tanishëm i shqipes i bazuar në shkronja latine, duke mënjanuar kështu polemika e kundërshtime e duke hedhur bazat për formimin e gjuhës letrare shqipe.

22 nëntor 2019, 12:41