Kërko

 Një nga qytetet siriane të bombarduara Një nga qytetet siriane të bombarduara 

Presidenti turk Erdogan flet për kushtet e armëpushimit në Siri

“Operacioni do të ndalohet, vetëm nëse terroristët do largohen nga zona e sigurisë” – deklaroi, nga Ankaraja, lideri turk, që pohoi, më pas, se çdo vizitë e liderëve të huaj, që synon vendosjen armëpushimit, ‘do të jetë humbje e kotë kohe dhe energjish’, derisa të mos merret parasysh një qëndrim i prerë dhe i arsyeshëm”.

R. SH. - Vatikan

Për nesër, në Ankara, parashikohet një takim i zëvendës-Presidentit amerikan, Mike Pence, shoqëruar nga Sekretari i Shtetit Mike Pompeo - me presidentin turk, Erdogan. Delegacioni dërgohet nga kreu i SHBA-ve, Trump, për të kërkuar rrugën e armëpushimit ndërmjet Turqisë dhe  forcave kurde, të vendosura në veri të Sirisë. Ndërkaq  deklaratat e fundit të Erdoganit të bëjnë të mendosh se edhe kjo përpjekje mund të jetë e kotë.

I vetmi bashkëbisedues për një propozim paqësor tani, mund të jetë vetëm Rusia, në marrëdhënie të mira si me disa forca siriane, ashtu edhe me Turqinë. Presidenti Erdogan do të duhej të shkonte në Moskë për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin pikërisht në përfundim të këtij muaji; ndërkaq policia ushtarake ruse vendosi një pjesë të forcave të veta të armatosura në qytetin Manbij, ku nisi të patrullojë rrugët për të vënë nën kontroll zonën e kompetencës ruse si dhe për t’i garantuar sigurinë popullatës, siç shpjegon zyrtari i Kremlinit, Safar Safarov.

Situata aktuale në Siri

Duke nisur nga 9 tetori, forcat turke pushtuan zonën veri-lindore të Sirisë, nën kontrollin e forcave të pavarura kurde. Sulmi nisi menjëherë pas largimit nga Siria të forcave amerikane, që i lanë indipendentistët të ligështuar, përballë forcave të Ankarasë.

Gjatë gjithë javës vijuan ndeshjet e artilerisë dhe bombardimet e, sipas informacionit të Gjysëmhënës së Kuqe të Kudistanit, e vetmja Ojq e pranishme këto çaste në zonë, bilanci i viktimave arrin në 75 vetë, i të plagosurve, në 450, nga të cilët 165 në gjendje të rëndë. Numri i të shpërngulurve deri tani është 250 mijë vetë.

Më të shkurtëra, ndërkaq, deklaratat  e ministrit turk të mbrojtjes, që flet për 637 terroristë kurdë të neutralizuar, domethënë, të vrarë, të plagosur a të zënë rob.

Që dje me forcat kurde u bashkuan edhe ushtarët sirianë të Assadit, me të cilin qeveria e Kurdistanit nënshkroi marrëveshjen e quajtur “e keqja më e vogël”. Aktualisht qyteti-simbol i shtetit kurd, Kobane, është nën goditje e forcave të Ankarasë, por forcat ruse, të pranishme në zonë, për të shmangur rrezikun e sulmit të drejpërdrejtë, krijuan një zonë ushtarake sigurie.

Përgjigjet ndërkombëtare që i jepen sulmit turk

Pas sulmit turk mbi Sirinë, ndonëse nuk flitet për masa ndëshkimore zyrtare, shumica e vendeve evropiane, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar, i ndërprenë furnizimet me materiale luftarake drejt Turqisë.

Në Amerikë, ndërkaq, Donald Trump njoftoi, përmes një tweet-i, se po përgatit urdhërin për marrjen e masave ndëshkimore ndaj disa enteve të qeverisë turke. Në shënjestër, ministria e energjisë dhe drejtori i saj, ministri i brendshëm dhe ai i mbrojtjes si dhe vetë ministria e tij. Nën presion, edhe bankat, sidomos Halbank, me akuzën se ka ndihmuar Iranin për mosrespektimin e masave ndëshkimore. Ky vendim mund ta vërë në krizë ekonominë turke.

Ndërsa Evropa nuk mund ta ngrejë shumë lart zërin, sepse nuk ka kurrfarë ndikimi mbi këtë zonë!

16 tetor 2019, 18:07