Cerca

Vatican News
 Biblioteka Biblioteka 

Pse duhet të lexojmë?

A duhet të lexojmë e pse? Pyetje, që duhet t’ia bëjë secili vetes, në një botë ku ka kaq shumë libra e në një kohë, kur libri gjithnjë më shpesh zëvendësohet me mjetet moderne të komunikimit, që gjithsesi, nuk do të mund t’ia zënë kurrë vendin! Sepse libri është diçka tjetër, diçka më shumë. Leximi ka vlerë të madhe; na ndihmon për të kuptuar më mirë vetveten e kohët – të djeshmen, të sotmen, e edhe të ardhmen.

R. SH. - Vatikan

Leximi na pasuron jetën, na bën të aftë të përdorim fjalët e duhura, në kohën e duhur, për të shprehur mendimet tona, në një botë, që sundohet nga mendimet e të tjerëve. Makina teknologjikisht më e frytshme që ka shpikur ndonjëherë njeriu, është libri! Të lexosh një libër, nuk do të thotë të dalësh nga bota, por të hysh në botë, nga një derë tjetër! Kush nuk lexon, kur mbush 70 vjeç, ka jetuar një jetë të vetme: të vetën! Kush lexon ka jetuar 5 mijë vjet: ishte aty, kur Kaini vrau Abelin. Kur Krishti u ngjall, në tretën ditë! Kur Renci u martua me Luçinë… kur Pater Gjergj Fishta nisi të këndojë në Lahutë a hyri në çerdhe të Anzave të Parnasit…

Kush grumbullon libra, grumbullon dëshira; e kush ka shumë dëshira, mbetet gjithnjë i ri, edhe kur mbush 80 vjeç! Prindërit na mësojnë të duam, të qeshim, të vrapojmë. Po vetëm duke hyrë në botën e librave, zbulojmë se kemi edhe flatra! E mësojmë të afirmojmë vetveten.

Zgjedhja e librit

Çdo lexues, kur lexon, lexon vetveten. Vepra e shkrimtarit është vetëm mjet, që e ndihmon të kuptojë se, pa librin,  ndoshta nuk do të kishte mundur të shikojë brenda vetes!  Prandaj kur lexojmë, duhet ta kemi mirë parasysh edhe zgjedhjen e librit. Duke nisur kryesisht nga klasikët e letrave. Çdo libër është një hapësirë, që na fton të hyjmë e të shumëfishojmë  jetët tona. Të jetojmë edhe atë të miliona njerëzve. Të provojmë, duke shfletuar faqet e librit, fate të panjohura, të ngjashme me fatet tona. Jeta jonë shpesh na frikëson. Jeta jonë nuk na mjafton. Tepër e shkurtër! Atëherë na lind dëshira ta shumëfishojmë, përmes librave. Ai, që kujton se kemi vetëm një jetë për të jetuar, domethënë se nuk ka shfletuar kurrë ndonjë libër.   

Të lexosh, do të thotë të hapësh një dritare mbi botën

Të lexosh do të thotë të hapësh një dritare mbi botën. Të hysh në një botë të panjohur. Do të thotë të dialogosh, të qash e të qeshësh, të duash e të grindesh, si të ishe mes njerëzve të gjallë, jo personazheve, a ideve, që të kanë shkuar edhe ty shumë herë nëpër mend, por nuk ke mundur a nuk ke ditur t’i shprehësh. E i ka shprehur tjetri, për ty. Që, nga dritarja e hapur, të shikosh botën e madhe, duke dalë nga ajo jotja, e vogla. Jeton kështu, në jetën tënde, jetën e botës. Duke zhvilluar mënyrën e të menduarit e përfytyrimin, që të çon nëpër viset e pashkelura, pa lëvizur nga bota jote.

Çelësi i leximit

Të lexosh klasikët e letërsisë, domethënë të gjesh çelësin e leximit, për të shpjeguar botën tënde, të sotmen. Duhet të rikthehemi tek klasikët që, për fat të keq, sot lexohen me vështirësi. Ata, me mjeshtërinë e vet, na marrin për dore nga kohët e tyre, që mund të jenë shumë të largëta, për të na sjellë në kohët tona. Sepse njeriu është po ai, që ishte në kohën kur kryqëzohej Krishti! Vijon të kryqëzojë e të kryqëzohet! Të martirizojë e të martirizohet. E gjithë këtë mund ta rijetojmë, duke shfletuar faqet e librave të zgjedhur, kryeveprave, kryemjeshtrave, nga Bibla, tek Ungjijtë, nga Homeri, Virgjili, Shekspiri, Dante, Balzaku, Tolstoi…. Mund të fillosh nga secili prej tyre, për të zbuluar faqe të tjera, që, duke të gozhduar në karrike, të bëjnë të jetosh me të gjitha kohët e në të gjitha vendet. Dihet se ku mund t’i gjesh. Në librari, a në bibliotekë. Një qytet pa librari, është vend pa zemër!  E, sidomos, pa tru!

Edukimi me leximin

Nuk mund t’i kushtohesh leximit, pa edukimin për lexim. Librat janë si makinat e ndalura. Mjafton të përdorësh çelësin, për të hapur portën e për të hyrë në botën e imagjinatës. Mjafton të takohesh me një lexues të apasionuar, për të të pushtuar i njëjti pasion. Për fat të keq sot shumë nga ata që propozojnë leximin në shkollë, janë lexues të papasionuar. Kush e propozon librin, nuk lexon. Duke i penguar edhe të tjerët të lexojnë, sepse  nuk mund ta transmetosh një pasion, që nuk e ndjen fuqimisht në shpirtin tënd, as të propozosh leximin, kur nuk e  ke provuar se libri të pasuron.  Kur e përfundon së lexuari një libër dhe e mbyll faqen e fundit, të duket sikur ndahesh nga një mik. Ndërsa ndjen se ke hapur në shpirt një faqe të re. Tënden!

10 gusht 2019, 15:08